8 Dhjetor – Dita e Rinisë

Nga Myzafer Elezi

Sot kujtojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë së re. Më 8 dhjetor 1990, studentët shqiptarë ngritën zërin kundër sistemit komunist, duke kërkuar lirinë dhe pluralizmin politik. Me thirrjen e fuqishme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata ndezën shkëndijën e parë për rrëzimin e diktaturës dhe hapën rrugën drejt demokracisë.

Ata të rinj idealistë, që me guximin dhe sakrificat e tyre shembën diktaturën dhe hapën rrugën për demokracinë, kanë merituar jo vetëm nderimin simbolik të çdo 8 dhjetori, por një rol të denjë në politikëbërje dhe në vendimmarrjen e lartë shtetërore.

Për fat të keq, pasioni dhe përkushtimi i tyre janë përdorur shpesh si dekor, për t’u përkujtuar një herë në vit, dhe më pas, janë lënë në harresë. Kjo sjellje përfaqëson një padrejtësi historike, që kërkon reflektim dhe veprim.

Është koha që klasa politike të ndalojë të përdorë kontributin e tyre si kartë simbolike dhe të angazhohet për të rikthyer rolin e merituar të këtyre individëve dhe të brezit që përfaqësuan. Demokracia e sotme, sado e brishtë, mbetet amanet i atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për të.

Reflektimi nuk është vetëm simbolikë; ai duhet të jetë fillimi i një angazhimi të ri për të përfshirë këto zëra të heshtur, për t’i dhënë vendin që u takon në historinë e gjallë të vendit dhe për t’i kthyer dinjitetin një brezi që meriton më shumë.

Pas 34 vitesh, Shqipëria vijon të përballet me sfida që shpesh e largojnë nga ato aspirata të dhjetorit të ftohtë. Ëndrra e një Shqipërie të lirë, të drejtë dhe europiane ende kërkon guxim, përkushtim dhe mbi të gjitha, angazhimin e të rinjve për ta bërë realitet.

Shpreh mirënjohje të thellë për ata studentë që guxuan të sfidonin diktaturën, duke rrezikuar gjithçka për liri. Ata janë simbol i guximit dhe vizionit që çdo brez duhet ta trashëgojë dhe kultivojë.

Inkurajoj sot çdo të ri dhe student shqiptar të mos e braktisë përgjegjësinë për të ndërtuar të ardhmen e vendit. Është koha që rinia të angazhohet më shumë në politikë dhe vendimmarrje, për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë dhe për t’i dhënë vendit një drejtim të ri, të bazuar te meritokracia, drejtësia dhe zhvillimi.

Urime për këtë ditë të veçantë të gjithë miqve të mi!

Gëzuar Ditën e Rinisë!

Artikulli paraprakSot “Dita e rinisë”, por Shqipëria ka 570 mijë të rinj më pak se 20 vjet më parë
Artikulli tjetërKFOR: Ushtria e Turqisë ka vendosur rreth 350 trupa në Kosovë, do të zëvendësojnë njësitë italiane