Bashkia e Pogradecit drejtuar nga Eduard Kapri ka mbledhur dhe strehuar të gjithë endacakët dhe të pastrehët për t’i shpëtuar të ftohtit të acartë. Kryetari Kapri zhvilloi një takim me administratorët e Njësive Administrative për situatën e jashtëzakonshme që është krijuar për shkak të reshjeve të borës dhe temperaturave shumë të ulëta.
Gjatë mbledhjes u diskutua për të evidentuar familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë këto ditë të ftohta, familjet që kanë nevojë për ushqim dhe veshëmbathje. Më pas, Bashkia ka filluar menjëherë të evidentojë endacakët dhe të pastrehët si dhe familjet në nevojë, duke u ofruar strehim dhe ndihmë ekonomike për të përballuar këto ditë të vështira nga i ftohti.
Pas vendimit të Bashksië së Pogradecit, për të pastrehët e mbetur rrugëve, kjo nuk është një ëndërr. Shumë prej tyre lotojnë nga emocionet që përjetojnë. Janë larë me ujë të ngrohtë, kanë ngrënë gjellë e supë të ngrohtë, kanë ngrohur duart pranë një sobe dhe kanë fjetur në një dyshek e krevat.
Ndërhyrja e Bashkisë së Pogradecit për të strehuar endacakët dhe të pastrehët në këto ditë të vështira si pasojë e të ftohtit është përshëndetur dhe vlerësuar nga të gjithë banorët. Ky veprim i kreut të Bashkisë Pogradec, më tepër se human është një përgjegjësi e përkushtim ndaj të gjithë banorëve të qytetit dhe njësive administrative që kjo bashki ka në varësi. Kjo nismë duhet të përkrahet edhe nga bashkitë e tjera për të shmangur pasojat e rënda të humbjes së jetëve nga i ftohti.
Gjendja e blegtorisë në rezerva ushqimore ishte një tjetër çështje me rëndësi që u diskutua. Falë përkushtimit të të gjithë stafit të Bashkisë dhe Njësive Administrative, situata deri në këto momente është në kontroll. Në mbledhje u fol për problematikat në rrugë, sidomos për problematikat në rrugët e zonave të thella malore. Kapri theksoi vënien në dispozicion të më shumë mjeteve për zhbllokimin e rrugëve.
Si pasojë e ngricave dhe të ftohtit të madh kanë gjetur vdekjen 11 persona vetëm në një javë. Ditën e enjte humbën jetën dy persona nga i ftohti, një në Sarandë dhe një në Vlorë, ndërsa ditën e mërkurë, si pasojë e të ftohtit humbën jetën 4 persona. Qeveria jo vetëm që nuk mori asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të pastrehë dhe familjeve në nevojë, por nuk bëri asnjë reagim për 11 jetët e humbura si pasojë e neglizhencës së saj.
Mirditë, banorët me sytë nga qielli për të dalë nga izolimi
Banorët në zonat e thella malore në Mirditë po përballen me mungesë të rezervave ushqimore, mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm. Pavarësisht se prej dy ditësh në Mirditë nuk ka pasur reshje dëbore, raportohet se disa fshatra vijojnë të mbeten të bllokuara. Mësohet se janë bllokuar rrugët për në fshatrat Reps, Gur, Spaç, Orosh, Neneshenjtë. Të bllokuara janë edhe Gjugj, Shëngjin dhe Hebe.
Një nga zonat më të prekura nga dëbora dhe ngricat është Njësia Administrative e Fanit në Mirditë. Vetëm deri në qendër të njësisë mund të shkohet me automjet, pasi rrugët e fshatrave janë të gjitha të bllokuara. Niveli i dëborës në këtë zonë arrin deri në 1 metër, ndërsa të paktë janë banorët që i takon. Sipas tyre, e vetmja mënyrë lëvizje është në këmbë, ndërkohe që situata e krijuar i ka vënë në vështirësi, pasi mungon energjia elektrike dhe shërbimi shëndetësor.
Ndonëse janë të vendosur në mes të malit, jo të gjithë ngrohen me dru zjarri. Sipas banorëve çmimi i tyre është shumë i shtrenjtë, ndërsa për t’i prerë vetë i druhen frikës së burgut apo gjobës. Banorët presin që moti të ngrohet për të dalë nga izolimi.
Krahas mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve, banorët janë shprehur se po mbaron baza ushqimore edhe për bagëtitë. Deri tani në këto zona nuk është dërguar asnjë ndihmë nga qeveria. Autoritetet bëjnë të ditur se është e pamundur të futesh në zonat e thella për shkak të borës së madhe dhe tufanit.
Në Mirditë, temperaturat kanë vijuar nga -14 gradë Celsius deri në -22 gradë Celsius, ku për pasojë dështoi së fundmi edhe operacioni i ndërmarrë në fshatin Orosh.
Qeveria, e pamëshirë me Qarkun Dibër
Deputetja e PD, Dhurata Çupi, ka reaguar për gjendjen e rëndë nga bora dhe ngricat në Dibër. Në një postim në Facebook, Çupi shkruan se qeveria po tregohet e pamëshirë ndaj Dibrës, duke lënë të izoluar dhe pa asnjë ndihmë qindra familje.
“Pa dije, për shkak se shkollat janë mbyllur. Pa dritë, se energjia mungon në të gjitha bashkitë. Pa mbështetje ndjehen qytetarët sot në këtë vend. Acarin dimëror e rëndon edhe më shumë mungesa e vëmendjes së qeveritarëve. 50 pako për Matin. 50 për Klosin. 25 për Bulqizën dhe 25 për Dibrën. Kaq mjaftoi qeveria në një qark me rreth 200.000 banorë. Ata shprehen se dimri këtë vit ishte më i ashpri gjatë shumë viteve. Por kurrë s’ka ndodhur që mos t’ju gjendet pranë qeveria. Ne deputetët e opozitës dhe kryetarët e bashkive të djathta ishim në terren për t’u bashkuar me hallet e tyre. E vetmja që ju ka mbetur është shpresa pranverore”, shkruan deputetja e PD, Dhurata Çupi.
Në Qarkun e Dibrës situata vijon të mbetet problematike për rrugët rurale, ku si pasojë e reshjeve të borës, shumë prej zonave nuk komunikojnë me qendrat. Në Bulqizë, termometri ka shënuar -15 gradë Celsius, ndërkohë që si pasojë e të ftohtit janë krijuar ngrica në rrugë që po trajtohen me kripë. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, është e kalueshme me zinxhirë.
Në Kukës raportohet se situata po shkon drejt normalizimit. Temperaturat kanë pësuar një rritje të ndjeshme, ndërsa janë hapur segmentet rurale problematike nga ngricat, si pasojë e të cilave janë dëmtuar rreth 80% e matësave të ujit.
“Ngricat dhe temperaturat tejet të ulta kanë krijuar probleme, duke dëmtuar rëndë saraçineskat, linjat kryesore të pallateve, matësa të cilët kanë dalë jashtë përdorimit. Një sasi e konsiderueshme, për të cilat Drejtoria e Ujësjellësit është e pamundur për vetë kapacitetet e saj, por edhe pamundësinë financiare, duke trashëguar një borxh të kaluar”, shprehet Bujar Muçmata.
Spitali i Lezhës pa ngrohje, revoltohen pacientët
Në Spitalin e Lezhës ngrohja është me orar. Për të përballuar të ftohtit, shumë pacientë kanë marrë ngrohësa nga shtëpia. Mjaft pacientë janë revoltuar me Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet spitali. Ngrohjen me orar e pranon edhe përgjegjësja e repartit të teknikës në Spitalin Rajonal të Lezhës, Teuta Marku. Ajo thotë se ky shërbim duhej të ishte 24 orë, por ky vit është më i miri që është realizuar në këtë spital.
“Është me orar, por orari mbulon më tepër se gjysmën e 24 orëshit. Në dhomat e pacientëve ka ngrohje. Sivjet është vendosur kaldaja me naftë. Edhe rendimenti është më i lartë, thotë mjeku. Problem mbeten edhe ilaçet. Blerja e tyre është e pashmangshme. Recetat e lëshuara nga mjekët gjenden vetëm në farmaci.
Edhe rruga kryesore drejt Spitalit të Lezhës përballet me problemin e ngricave. Kalimi i ambulancave, urgjencave dhe qytetarët përdorin rrugën dytësore, e cila edhe ajo po mbahet në monitorim për shkak të frikës së shtimit të ngricave.
110 raste me fraktura nga akulli në Durrës
Dhjetëra raste janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Durrësit në pavionin e Ortopedisë me fraktura të gjymtyrëve. Sipas mjekëve ortopedë, shkak është bërë prezenca e akullit në rrugë dhe kryesisht pacientët më të shumtë janë mosha e tretë.
Reparti i Ortopedisë pranë Spitalit Rajonal të Durrësit ka pritur një numër të lartë pacientësh gjatë ditëve të fundit. Mbi 110 persona kanë kërkuar asistencën mjekësore të ortopedit, pasi janë paraqitur me fraktura të ndryshme.
Shkak për këtë situatë dhe fluksin e lartë të pacientëve është bërë prania e akullit në rrugët e qytetit bregdetar. Mjeku Ortoped Dritan Myderrizi shprehet se, rastet e paraqitura janë kryesisht mosha të mëdha me fraktura në pjesën e poshtme dhe të lartme të gjymtyrëve, por edhe thyerje të legenit.
“Ngarkesa në Urgjencën e Spitalit të Durrësit ka qenë e madhe për 6 ditë që vazhduan ngricat. Ka pasur mbi 100 thyerje për shkak të ngricave. Kanë mbizotëruar thyerjet e dorës te moshat e reja dhe thyerje të legenit tek moshat e vjetra”, thotë Dritan Myderrizi, mjek Ortoped.
Pavarësisht fluksit të lartë të pacientëve të paraqitur pranë Urgjencës së Durrësit dhe repartit të Ortopedisë, drejtuesit e Spitalit Rajonal bëjnë me dije se situata është përballuar me sukses.
Patos, asfiksohet çifti i të moshuarve
Një çift të moshuarish nga Dukasi i Patosit u gjetën të asfiksuar në shtëpinë e tyre, si pasojë e çlirimit të monoksidit të karbonit nga djegia e qymyrit të drurit, të cilin e përdornin për të ngrohur banesën. Sotiri, 62 vjeç dhe Lena Sojemea, 60 vjeç janë shtruar në repartin e reanimacionit në Spitalin Rajonal të Fierit. Mjeku toksikolog Lulëzim Banushi shprehet se, “gjendja është shumë e rëndë, fatkeqësisht. Burri është në gjendje kome, me dëmtime të rënda celebrale nga mosushqyerja e trurit me oksigjen”. Bashkëshortët jetojnë vetëm dhe u gjetën nga të afërmit që ishin alarmuar, pasi ata nuk po përgjigjeshin në telefon.
Një ditë më parë, një 55-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa babai i tij ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të asfiksisë nga gazi i qymyrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kakoz të Lunxhërisë, në Gjirokastër. Burimet policore bënë të ditur se janë njoftuar rreth orës 09:40 për ngjarjen, ku P.L, 55 vjeç është gjetur i vdekur, ndërsa babai i tij, A.L, 75 vjeç u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin e Gjirokastrës. Dyshohet se shkaku mund të jetë asfiksimi nga gazi i qymyrit që përdorej për ngrohje. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe ngjarjes.
Po ashtu, dy infermierë në Qendrën Shëndetësore në Bilisht janë plagosur rëndë ditën e premte. Në momentin që infermierët ngroheshin në qendrën shëndetësore ka shpërthyer bombula e gazit. Gjendja e tyre paraqitet të jetë e rëndë, ndërkohë që në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e zjarrfikëses.
Ndërkohë një tjetër qytetar në Bilisht është plagosur, pasi i ka marrë flakë bombula e gazit në shtëpi. Nga raportimet e para mësohet se, bombula mori flakë, pasi kishte rrjedhje gazi. Megjithatë i plagosuri është dërguar menjëherë në spital për mjekimin e plagëve, dhe është jashtë rrezikut për jetën.
R.POLISI