Kronikë e paralajmëruar e një puçi antikushtetues

Nga Desada Metaj

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar sot vetes në vetën e tretë njëjës për t’iu përgjigjur “disa artikujve në media për përfundimin e mandatit të saj”. Shqetësimi i Holta Zaçaj, në fakt, është ngacmuar vetëm nga 2-3 shkrime në media, ndërkohë që, në një vend normal, shkelja e Kushtetutës nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese do kishte shkaktuar një tërmet të vërtetë politik dhe mediatik.

Një vend që është kandidat për në BE dhe ka hapur kapitujt themelorë duhet ta kuptojë qartë se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i kundërvihet mediave apo të përfshihet në polemika, sikur të ishte një parti politike. Roli i saj është të flasë vetëm përmes vendimeve, duke ruajtur pavarësinë dhe integritetin institucional.

VNA prej disa javësh ka paralajmëruar dhe shkruar për precedentin e nisur me mandatin e papërfunduar të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Zgjatja e paligjshme e mandatit për kandidatin pasardhës qartas ishte precedent për këtë që po ndodh sot dhe pritet të ndodhë edhe për anëtaren tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Të treja së bashku mbarojnë në vitin 2025.

Mandati i Olta Zaçaj mbaron më 10 mars të vitit 2025, dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Sot, 10 dhjetor, ishte afati i fundit që kryetarja e Gjykatës (që është autoriteti i vetëm që mund të thërrasë mbledhjen) të deklaronte mbarimin e mandatit të saj dhe të shpallte vakancën për të njoftuar edhe KED.
1. Së pari, sot zonja Zacaj, në vend që të mblidhte trupën e gjyqtarëve për këtë vendim, ka shkruar një deklaratë në cilësinë e kryetares së Gjykatës dhe jo të gjyqtarëve si trupë kolektive. Thënë ndryshe me gjuhë ligjore, me mosveprimin e vet të mos-thirrjes së mbledhjes së GJK-së, ka shkelur detyrimin ligjor, që me shumë gjasë përbën shkelje disiplinore.
2. Së dyti, duke kërkuar ndihmën e Komisionit të Venecias si individ dhe jo si trupë gjykuese, zonja Zacaj ka nënshkruar një tjetër procedurë ekstra ligjore e panjohur më parë. A thua se Komisioni i Venecias duhet të shqyrtojë çdo paqartësi në leximin e Kushtetutës që kanë shqiptarët me ambicie zgjatjeje të paligjshme mandati. Konsultimi kaq i shpeshtë nga institucionet e larta shqiptare me Komisionin e Venecias duket kaq i shëmtuar dhe tregon paaftësi profesionale dhe politike në leximin dhe zbatimin e frymës së ligjit dhe Kushtetutës.
3. Së treti, data 10 mars 2017 është datë e njohur dhe e zyrtarizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendim. Ai është vendim i detyrueshëm për zbatim për këdo, përfshirë edhe çdo anëtar apo qoftë edhe kryetar të GJK-së. Të dish të numërosh apo të konsultosh kalendarin romak, gregorian apo kinez nuk është çështje kushtetuese e as venedikase. Për më shumë, Komisioni i Venecias ka qenë kristal i qartë për çështjen e zëvendësimit të anëtarëve të GJK-së, të cilëve u mbaron apo u ndërpritet mandati.
4. Së katërti, gjyqtarja Zacaj ndër të tjera shkruan se “kam konsideruar t’i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.” Qartësisht, sikundër VNA e ka paralajmëruar më herët, zonja Zacaj kërkon të “investojë” Venecian edhe për mandatet e gjyqtarëve të tjerë dhe jo vetëm për mandatin e vet. Kjo është një tentativë për të “justifikuar” edhe dy mandatet e tjera që iu mbarojnë në 2025 dhe për të cilat, si në rastin e saj, duhet të fillojë procedura e zëvendësimit.

Logjika e thjeshtë ta do të besosh se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese është naive ose e keqkëshilluar për këto qëndrime dhe veprime në shkelje të Kushtetutës. Megjithatë, nuk duhet doktoraturë për të kuptuar që një funksionar shteti nuk mund të kujtohet veç ditën e fundit për mandatin e tij, pikërisht në ditën kur nis zyrtarisht edhe procesi i zëvendësimit.

Karrigia dhe ambicia për ta mbajtur me çdo kusht atë nuk është fenomen as i panjohur dhe as i ri në politikën shqiptare. Por, nëse këshilltarët juridikë e kanë orientuar gabim për të interpretuar Kushtetutën, me gjasë ata politikë po e orientojnë Holta Zaçajn ku e ku më keq. Dhe ndoshta, bashkë me Kushtetutën, shumë shpejt kryetares së GJK-së do t’i duhet të shkelë edhe në territorin ku ata që sot e frymëzojnë për zgjatje të paligjshme mandati, nesër mund ta flakin në gropën ku dergjen të përdorurit e zakonshëm dhe pa përvojë të llumit të politikës.

Nuk janë tradhti vetëm puçet ushtarake, por edhe ato institucionale. Në fakt, çdo përpjekje për të shtrembëruar Kushtetutën është një akt politik i rëndë, që cënon sovranitetin dhe integritetin institucional të vendit. Lum kush e kupton në kohë…/vna.al

Artikulli paraprak‘Dumani, kampion anti-korrupsion’, Lala: Inkurajim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit
Artikulli tjetërEftiminjtë mbushin bllokun me kulla, dyshime mbi burimin e parave