Shtyrja e zgjedhjeve presidenciale: A do të arrijë Rumania të shmangë kaosin si pasojë e ndërhyrjes së Rusisë?

 Nga Craig Turp-Balazs

Kataklizma nuk ndodhi. Rumania nuk zgjodhi fundjavës që shkoi një president pro-rus.

Ndërsa diaspora kishte votuar tashmë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ndërmori më 6 dhjetor hapin e paprecedentë të anulimit të rezultatit të raundit të parë të zgjedhjeve, duke përmendur si shkak përdorimin e paligjshëm të teknologjive dixhitale, përfshirë Inteligjencën Artificiale, si dhe burimet e padeklaruara financiare të fushatës.

Raundi i dytë u anulua menjëherë, dhe tani do të përsëritet i gjithë procesi i zgjedhjeve presidenciale, me shumë gjasa në mars të vitit që vjen. Deri atëherë, presidenti aktual Klaus Iohannis do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Në qendër të ngjarjeve është Călin Georgescu, që kandidon si i pavarur me mbështetjen e 3 partive ekstremiste, të cilat në raundin e parë fituan 22 për qind të votave.

Georgescu është akuzuar se ka pikëpamje pro-ruse dhe fashiste. Ai duhej të përballej më 8 dhjetor në balotazh me kandidaten progresiste dhe pro-evropiane Elena Lasconi, udhëheqëse e Bashkimit Shpëtoni Rumaninë (USR). Lasconi mori 19 për qind në raundin e parë, vetëm disa mijëra vota përpara kryeministrit të vendit, Marcel Ciolacu, kandidati që cilësohej më favoriti para votimit.

Georgescu tha se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë. Ai tha se ishte “absurde” që 9 gjyqtarë të kushtetueses rrëzuan votat e miliona rumunëve. “Ky është në thelb një grusht shteti!”- theksoi ai. Edhe Lasconi, që sondazhi i fundit e nxirrte me një epërsi të ngushtë ndaj rivalit, u shpreh kundër anulimit të procesit zgjedhor.

Ajo e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “të paligjshëm” dhe “imoral”, duke shtuar se “shteti rumun e ka shkelur demokracinë”. “Duam apo nuk duam, nga pikëpamja ligjore dhe legjitime, 9 milionë qytetarë rumunë, si në vend ashtu edhe në diasporë, kanë shprehur preferencën e tyre për një kandidat të caktuar. Ne s’mund ta shpërfillim vullnetin e tyre”- tha Lasconi.

Megjithatë, provat se fusha e lojës anonte në favor të Georgescu duken shumë të mëdha. Të mërkurën, Iohannis deklasifikoi dokumentet e shërbimeve sekrete nga Këshilli i Lartë për Mbrojtjen Kombëtare (CSAT), duke treguar se thuajse 800 llogari të TikTok që ishin hapur nga një “shtet i huaj” në vitin 2016, u aktivizuan papritur muajin e kaluar, që të gjitha në mbështetje të Georgescut.

25.000 llogari të tjera në TikTok, të përdorura për të përforcuar fushatën e Georgescut, ishin bërë aktive vetëm 2 javë përpara raundit të parë të zgjedhjeve. Inteligjenca e jashtme rumune, tha se Rusia ishte “shteti armik” i përfshirë në disa sulme hibride, duke përfshirë dhjetëra mijëra sulme kibernetike dhe sabotime të tjera të “infrastrukturës zgjedhore”.

Është e paqartë se çfarë do të ndodhë më pas. Iohannis, që nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet presidenti i ri. Së pari, parlamenti i ri i Rumanisë (i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit) duhet të betohet dhe të formohet një qeveri e re.

Një koalicion pro-BE i përbërë nga USR e Lasconit, Social Demokratët (PSD) e Ciolacut, Liberalët (PNL) dhe Unioni i Hungarezëve në Rumani (UDMR), kishin rënë dakord në parim që të formonin një qeveri të unitetit kombëtar për të kundërshtuar një presidencë të mundshme të Georgescut.

Por USR u shpreh të premten, se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që përfshin PSD-në, të cilën e akuzon se qëndron prapa vendimit të Gjykatës Kushtetues për të anuluar zgjedhjet presidenciale. Por edhe pse gjykata dominohet nga gjyqtarë me lidhje me PSD-në, të paktën 3 prej tyre nuk kanë lidhje me të, dhe vendimi i saj për të anuluar zgjedhjet ishte unanim.

PSD, PNL dhe UDMR, së bashku me disa deputetë që përfaqësojnë pakicat e ndryshme etnike  në Rumani, mund të kenë numrat për të qeverisur pa USR, të paktën në Dhomën e Deputetëve, dhomën e ulët të parlamentit. Ndërsa është më pak e qartë nëse mund të arrijnë shumicë në Senat.

Po ashtu, nuk është e sigurt nëse PNL do të dëshirojë të vazhdojë të qeverisë me PSD. Tre partitë ekstremiste që mbështetën Georgescun, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), SOS Rumania dhe Partia e të Rinjve (POT), kanë rreth 30 për qind të vendeve në parlament.

Nuk dihet nëse Georgescu do të lejohet ose jo të kandidojë në zgjedhjet e reja, data e të cilave do të caktohet nga parlamenti i ri. Ka pasur zëra se ai mund edhe të arrestohet dhe të akuzohet për tradhti kombëtare. E sigurt është se kryeministri Ciolacu do të kandidojë sërish, këtë herë duke shpresuar të shmangë poshtërimin e rënies në vendin e tretë, hera e parë që kur Rumania rivendosi demokracinë në vitin 1990, që një kandidat i PSD-së nuk arrin dot në balotazh.

Lasconi ka të ngjarë të jetë sërish kandidate e USR-së, por ish-kryeministri Nicolae Ciucă, kandidatura katastrofike e të cilit në emër të PNL përfundoi në vendin e pestë me vetëm 8.7 për qind të votave, mund të zëvendësohet nga Ilie Bolojan, kryetar i bashkisë së Oradeas në Rumaninë Perëndimore, aktualisht udhëheqës de facto i partisë.

George Simion, kreu i AUR, është një tjetër kandidat i sigurt në zgjedhjet që do përsëriten, nëse Georgescu nuk do të lejohet të garojë. Ai do të jetë kandidati kryesor “sovranist”. Themeluesja e partisë SOS Rumania, Diana Șoșoacă, u ndalua të kandidonte nga Gjykata Kushtetuese për qëndrimet e saj pro-ruse, për të cilat u tha se kërcënojnë sigurinë kombëtare të Rumanisë.

Mircea Geoană, ish-zëvendës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, nuk ka gjasa të garojë sërish pasi në raundin e parë u rendit i gjashti. Xholi në këtë grup mund të jetë kryebashkiaku popullor i Bukureshtit Nicușor Dan, i cili tashmë është shpallur si një kandidat i unitetit dhe pro-BE.

Dan, themeluesi i USR-së përpara se të largohej nga partia pas disa mosmarrëveshjeve, mund të mbështetet si nga USR ashtu edhe nga PNL (siç ndodhi kur fitoi zgjedhjet lokale të Bukureshtit në vitin 2020), por është shumë e dyshimtë nëse do të kishte përkrahjen e PSD-së./ Përshtatur nga “Emerging Europe”

Artikulli paraprakVIDEO/ Shënojnë “tre tenorët”, Reali mund Atalantën mes drithërimash dhe del nga kriza në Champions
Artikulli tjetërShqipëria drejt diktaturës, nuk ka kryeministër në botë që s’respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese!