Siria me kryeministër të përkohshëm pas rënies nga pushteti të Presidentit Bashar al-Assad! Kush është Mohammed al-Bashir, do të udhëheqë vendin deri më 1 mars

Udhëheqësi i ri i përkohshëm i Sirisë njoftoi të martën se po merrte drejtimin e vendit si kryeministër i përkohshëm me mbështetjen e rebelëve që rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad tre ditë më parë.

 

Në një fjalim të shkurtër në televizionin shtetëror, Mohammed al-Bashir, një figurë pak e njohur në pjesën më të madhe të Sirisë, i cili më parë drejtonte një administratë në një zonë në veriperëndim të kontrolluar nga rebelët, tha se ai do të drejtojë autoritetin e përkohshëm deri më 1 mars.

“Sot mbajtëm një mbledhje të kabinetit që përfshinte një ekip nga qeveria e Shpëtimit që po punonte në Idlib dhe rrethinat e tij, dhe nga qeveria e regjimit të rrëzuar”, tha ai.

“Takimi kishte për temë transferimin e dosjeve dhe institucioneve në kujdesin e qeverisë”.

Pas tij ishin dy flamuj – flamuri jeshil, bardh e zi i valëvitur nga kundërshtarët e ish-presidentit Asad gjatë gjithë luftës civile, dhe një flamur i bardhë me mbishkrimin islamik me gërma të zeza, që është valëvitur zakonisht në Siri nga luftëtarët sunitë.

Në kryeqytetin sirian, bankat u rihapën për herë të parë që nga largimi nga pushteti i ish-presidentit Asad. Dyqanet gjithashtu po hapeshin përsëri, trafiku u rikthye nëpër rrugë, ku u rishfaqën punonjësit e pastrimit dhe ku qarkullonin më pak persona të armatosur.

Dy burime pranë rebelëve thanë se komanda e tyre i kishte urdhëruar luftëtarët të tërhiqeshin nga qytetet dhe që të vendoseshin atje policia dhe forcat e sigurisë së brendshme të lidhura me grupin kryesor rebel Hayat Tahrir al-Shams (HTS).

HTS është një ish degë e Al Kaedës që udhëhoqi revoltën kundër Asadit dhe së fundmi nuk i ka theksuar rrënjët e saj xhihadiste.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni mbështet plotësisht procesin e tranzicionit politik të Sirisë dhe dëshiron që ai të mundësojë një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe josektare.

Zëvendës-këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni ishte ende duke punuar për mënyrën se si do të angazhohej me grupet rebele dhe shtoi se ende nuk kishte një ndryshim formal të politikës dhe se veprimet ishin ato që kishin rëndësi.

REAGIMI I KUJDESSHËM I SHTETEVE TË BASHKUARA

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, nuk pranoi të thoshte nëse Uashingtoni do të ndryshonte përcaktimin e HTS-së si një organizatë e huaj terroriste, gjë që i pengon Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë atë.

“Kemi parë gjatë viteve një numër grupesh militante që kanë marrë pushtetin, të cilët kanë premtuar se do të respektojnë pakicat, që kanë premtuar se do të respektojnë lirinë fetare, kanë premtuar se do të qeverisin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pastaj shohim se nuk i përmbushin këto premtime”, tha ai.

Zoti Miller tha se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar grupit HTS të ndihmonte për gjetjen dhe lirimin e gazetarit amerikan Austin Tice, i cili u rrëmbye në Siri në vitin 2012 dhe ka kaluar më shumë se një dekadë në robëri. Ai tha se kjo ishte një “përparësi” për Uashingtonin.

Pasi ish-presidenti Assad u largua të dielën, njerëzit nxituan për në Sednaya, një burg në veri të Damaskut, ku grupet e të drejtave të njeriut thanë se torturat dhe ekzekutimet masive ishin të zakonshme dhe liruan disa qindra të burgosur.

Ekipet që kërkonin për qelitë e fshehura në Sednaya gjetën gjithashtu dhjetëra kufoma dhe njerëzit që kërkonin të afërmit e zhdukur ekzaminuan trupat e shpërfytyruar të shtrirë në një morg spitalor të errësuar në kryeqytet.

Sekretari Blinken tha se procesi i tranzicionit duhet të parandalojë përdorimin e Sirisë si bazë për terrorizmin dhe të sigurojë që çdo rezervë e armëve kimike ose biologjike të shkatërrohet në mënyrë të sigurt.

Zoti Finer tha se forcat amerikane në Sirinë verilindore si pjesë e një misioni kundër terrorizmit, do të qëndrojnë atje dhe gjenerali më i lartë amerikan përgjegjës për Lindjen e Mesme i vizitoi këto njësi të martën, së bashku me forcat kurde siriane (SDF) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

SULMET AJRORE IZRAELITE

Sulmet ajrore izraelite kanë goditur bazat e ushtrisë siriane, forcat e së cilës u shpërbënë përballë avancimit të rebelëve.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur shumicën e stoqeve të armëve strategjike të Sirisë në 48 orët e fundit dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha se synon të vendosë një “zonë sterile mbrojtjeje” në Sirinë jugore, që do të zbatohej pa një prani të përhershme trupash.

Izraeli, i cili ka dërguar forca përtej kufirit në një zonë të çmilitarizuar brenda Sirisë, pranoi të martën se trupat kishin zënë gjithashtu disa pozicione përtej një zone të ndërmjetme të krijuar pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, megjithëse mohoi se ato po përparonin drejt Damaskut.

Operacionet e Izraelit, të dënuara nga Turqia, Egjipti, Katari dhe Arabia Saudite, krijojnë një problem shtesë sigurie për administratën e re, megjithëse Izraeli thotë se ndërhyrja është e përkohshme./VOA

Artikulli paraprakDy gjykatësit shqiptarë bojkotuan procesin/ Shtyhet seanca për Ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut
Artikulli tjetërSerbia pas shpërthimit në Ibër-Lepenc? Ambasadori i SHBA-së: Ne ende s’kemi prova, por do të gjenden!