Situata e Manajt për incidentin me Gallatasarajn, Federata Turke merr vendim për sulmuesin shqiptar

Federata Turke e Futbollit ka marrë vendimin e parë sa i përket çështjes së Rei Manajt dhe incidentit në ndeshjen ndaj Gallatasarajit. Pas reagimeve të furishme pas ndeshjes ku një ndërhyrje e sulmuesit shqiptar dëmtoi Jillmaz të Gallatasarajt, duket se të gjithë janë kthyer përsëri me këmbë në tokë.

Nga persona të ndryshëm është kërkuar që të ndëshkohet edhe sulmuesi shqiptar i Sivasporit, ndonëse vendimin për të mos i dhënë të kuq e ka marrë gjyqtari kryesor i ndeshjes.

Por në listën e dërguar për shqyrtim incidentesh në Komisionet Disiplinore të Federatës Turke, nuk përmendet në asnjë moment episodi në fjalë i Manajt.

Kësisoj, duket se ky është vlerësuar si një faull loje dhe se gabimi ka qenë i gjyqtarit që nuk ka akorduar kartonin e kuq ashtu siç duhej të ndodhte. Ndaj futbollisti nuk ka përgjegjësi për mosndëshkimin e tij.

Për më tepër, mosdërgimi i emrit të Manajt në komisionin disiplinor, lë të kuptohet se faulli i tij është interpretuar logjikisht si pjesë e lojës dhe nuk ka pasur keqdashje nga ana e sulmuesit shqiptar. Ndaj parashikohet që ndaj tij të mos ketë sanksione disiplinore, gjithmonë nëse situata nuk ndryshon në ditët në vijim.

Artikulli paraprakZbuloni pesë ushqime super të shëndetshme që duhet t’i shtoni në dietën tuaj
Artikulli tjetërAnaliza e REL: Si armiqësitë tregtare mes SHBA-së dhe Kinës kanë prekur edhe Ukrainën