Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë për “Express” se ka dhënë urdhër që me çdo çmim të mos lejohet hyrja e trenit serb në Kosovë. Ka thënë se për këtë e ka ftuar ministrin e Brendshëm, Skënder Hysenin dhe drejtorin e Policisë, Shpend Maxhunin.
“Duke vërejtur neglizhencën e autoriteteve unë kam ftuar në zyrën time, duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në kuadër të kompetencave të mia për të ruajtur sovranitetin territorial dhe integritetin territorial, kam ftuar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë. Kam kërkuar prej tyre që të ndalohet hyrja e trenit në Kosovë menjëherë dhe me çdo çmim”, ka deklaruar Presidenti Thaçi për “Express”.
Ai ka thënë se beson në autoritetet e Kosovës se do të ndalin hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës.
“Kam besim të plotë se autoritetet do t’i kryejnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese. Institucionet duhet t’i kryejnë këto përgjegjësi. Mjaft është mjaft. Do të ketë zero tolerancë ndaj Beogradit në cenimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi, për “Express”.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha dje në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, se ka marrë vendim që ta ndalë trenin me qëllim të, siç tha, “shmangies së konfliktit”.
“Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha Vuçiç.
Kryeministri Vuçiç, tha pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit se, “Prishtina ka provuar të shkaktojë konflikt”.
Ai u bëri thirrje, siç tha, shqiptarëve të Kosovës që të “mos provojnë të sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”.
“Drejt Mitrovicës është nisur një tren udhëtarësh dhe jo një tank, por po ndodhin gjëra të pabesueshme. E kam njoftuar Mogherinin se jam i zhgënjyer me reagimin e BE-së ndaj këtyre zhvillimeve. Gjatë natës do ta njoftojmë Rusinë, nesër Kinën dhe nënpresidentin e SHBA-së dhe t’i njoftoj se, ‘Prishtina po luan lojëra lufte’”, tha Vuçiç.
Vuçiç, që foli në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë tha se Serbia do paqe: “U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka dhënë urdhër për ndalimin e trenit.
“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet, duke përfshirë edhe ato alternative që treni të ndalohet. Ka urdhër të prerë nga unë si ministër i Punëve të Brendshme që të veprojë në pajtim me ligjin. Dhe në pajtim me ligjin do të thotë të ndalohet hyrja e atij trenit të paligjshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Hyseni.
Mediat serbe njoftojnë se treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë, që dje u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës, ka ndaluar në qytetin e Rashkës në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Ministri i Brendshëm: Do ta ndalim me të gjitha mënyrat
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka thënë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës. Ka thënë se për këtë arsye gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme bashkë me drejtorin e Policisë për të koordinuar punët në drejtim të ndaljes së trenit serb.
“Gjatë gjithë ditës eprorët më të lartë të Policisë së Kosovës dhe me drejtorin e Përgjithshëm z. Shpend Maxhuni, jemi në ministri duke e vëzhguar situatën rreth trenit ilegal të paralajmëruar nga Serbia. Jemi tërësisht të mobilizuar dhe të vendosur ta parandalojmë hyrjen e këtij treni në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hyseni, për Gazetën Express.
“Policia e Kosovës është e mobilizuar që të ndërmarrë të gjithë veprimet e nevojshme që ta mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës. Ne kemi bërë veprimet e nevojshme operative me Policinë e Kosovës. Kemi dërguar përforcime duke përfshirë të gjitha njësitë relevante për të parandaluar hyrjen e këtij treni në Republikën e Kosovës. Për të përmbushur një obligim kushtetues që ka policia me të gjitha njësitë përkatëse”, ka shtuar ai.
Ministri i Brendshëm ka thënë se janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet ligjore për të mos lejuar hyrjen e trenit serb.
“Jemi të vendosur që të përdorim të gjitha mjetet ligjore në dispozicion që të parandalojmë hyrjen e këtij treni ilegal në Kosovë. Është një provokim, i rëndë nga Serbia dhe këto provokime duhet të marrin fund njëherë e mirë”, ka deklaruar Hyseni, për “Express”.
BE: Zgjidheni me dialog punën e trenit
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar intervenim të Bashkimit Europian për ta ndaluar trenin ilegal që është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, i cili është i veshur me afishe e mesazhe kundër shtetit të Kosovës, por nga BE-ja thonë se kjo s’është punë e tyre.
Zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Koçijançiç, në një prononcim për Klan Kosovën ka deklaruar se jo vetëm kjo çështje, por edhe të gjitha problemet që dy vendet – Kosova e Serbia – i kanë mes vete duhet t’i zgjidhin me dialog të përbashkët.
“Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre”, ka pohuar Koçijançiç, për Klan Kosovën.
Sipas saj, vendi ku dy shtetet duhet të zgjidhin problemet që kanë është Brukseli. “Platforma për të diskutuar këto çështje është dialogu”. “Qasja konstruktive në dialog është një kërkesë esenciale për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, deklaroi zyrtarja e BE-së.
Treni serb i blerë me kredi ruse ishte nisur për në Mitrovicë. Brenda trenit kishte afreska kishtare, ndërsa jashtë tij në gjuhë të ndryshme shkruan se “Kosova është Serbi”. Kjo frazë është e shkruar madje edhe në gjuhën shqipe.