Denoncimi/ Vlonjati regjistron pronën e gjyshes, në tokën e tij “mbijnë” kioska pa leje

Edmond Mustafa është drejtuar në “Stop” pasi ka një truall në emër të gjyshes në qytetin e Vlorës, të cilin po e certifikon dhe aty janë ndërtuar disa kioska nga qytetari Albert Dalipaj.

Edmondi është drejtuar në Bashki dhe IMT, por askush nuk ka marrë masa.

“Në pronën time apo të gjyshes janë ndërtuar tre kioska pa leje nga Albert Dalipaj, i ka vënë me forcë kur nuk kemi qenë ne, ka qenë vetëm nëna. Këto kioska janë ndërtuar pas ’95 sepse në ’95 kemi qenë vetë atje, nuk ka patur kioskë. Janë dyqane mallrash. Kam akt-blerje, gjyshi që e ka blerë, kemi një vendim gjykate me vendim të formës së prerë. I jam drejtuar bashkisë disa herë nuk më kanë kthyer përgjigje deri më sot. Te IMT-ja jam drejtuar dhe përgjigja e tij thotë ne nuk i njohim vendimet e gjykatës duhet një certifikatë. Kam biseduar me personin në fjalë më ka thënë që e di që është toka juaj, por unë dua të ushqehem. Po si do ushqehesh, në tokën time do ushqehesh?”, tha denoncuesi.

“Stop” u drejtua në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, ku na thanë, se zoti Mustafa nuk ka sjellë certifikatën për pronën, por do të bëhen verifikimet.

Sa për kioskën pa leje thonë se presin përgjigje nga ASHK, pasi bëhet fjalë për një objekt 30-vjeçar.

Specialisti: Siç ua shpjegova radhën e parë, kishim denoncim nga qytetari, por duke qenë se qytetari nuk na paraqiti certifikatën e pronësisë, nuk mund të vazhdonim me mbajtjen e procedurës.

Gazetarja: Po mirë, nëse unë them, që ka një ndërtim pa leje në filan pronë, pra qoftë e imja, qoftë e dikujt tjetër, ju nuk bëni verifikimet? Se dakord ky nuk e ka me certifikatë, po ai tjetri ka leje ndërtimi për atë kioskën?

Inspektori: Objekti është 30-vjeçar, ua shpjegova dhe radhën e parë.

Gazetarja: Dakord, është 30-vjeçar, ka leje ndërtimi?

Inspektori: Po nuk më takon mua ta them këtë pjesë pra, sepse duhet, që qytetari të sjellë certifikatën e pronësisë dhe unë të bëj verifikimet e duhura! Edhe një herë të thashë, do të kthej përgjigje me shkrim. Të lutem shumë!

Gazetarja: Dakord, por më thatë do bëjmë verifikimet dhe nuk i keni bërë akoma.

Inspektori: E kam nisur shkresën për ASHK-në, pra. Unë e kam në dorë ta kthej përgjigjen për një ditë?

Gazetarja: Po atij personit nuk shkove t’i kërkoje leje ndërtimi?

Inspektori: Tani, të lutem shumë edhe një herë, do të kthej përgjigje!

Në Bashkinë e Vlorës shpjegojnë se i zoti i kioskës, Albert Dalipaj, nuk ka aplikuar, për t’u pajisur me leje.

Në përgjigjen e ASHK-së argumentohet, se toka nuk është tokë shtet, por tokë private, që rezulton në emër të gjyshes së Edmondit. Por ky i fundit duhet të depozitojë dokumentet, për ta certifikuar.

Artikulli paraprakE ngarkuara e SHBA-së takon kreun e GJKKO: Gjykata, rol thelbësor në dhënien fund të pandëshkueshmërisë
Artikulli tjetërMpiksja e gjakut në këmbë, pse ndodh dhe faktorët e rrezikut