Partia Demokratike përshëndeti dje nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, ndërsa ironizoi deklaratat e Ramës dhe praninë e tij në inaugurimin e tij, teksa e cilësoi atë si “zëdhënës të kontratave të PD me TAP”. “I fundmi i investimeve serioze në vendin tonë i firmosur në fillim të vitit 2013 është një kujtesë për seriozitetin dhe angazhimin e qeverisë së Partisë Demokratike në shërbim të ekonomisë dhe punësimit. Por sot edhe një herë, u pa se sa qesharak bëhet Kryeministri, i cili jo vetëm nuk përmend asgjë për punën e mëparshme, por i kapur rëndë nga sindroma e vitit zero flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet. Ekonomia shqiptare ende vazhdon të mbahet në patericat e investimeve të qeverisë së shkuar, sepse vetë Edi Rama ka të tjera prioritete: pasurimin e tij dhe oligarkëve të tij përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive me paratë e taksave të rritura të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e PD. PD citon se ekonomia sot reflekton plotësisht dështimin e zotimeve që ky Kryeministër bëri 3 vjet më parë, ndërsa Edi Rama ka mbi supe damkën e rënies së investimeve të huaja me 57 mln euro më pak (5.7%) në raport me vitin zgjedhor 2013. Sot, vijon deklarata, fatkeqësisht Shqipëria nuk është më një vend atraktiv për investimet e huaja ashtu siç e kanë konfirmuar edhe investitorët gjermanë apo amerikanë. Asnjë investitor strategjik nuk ka ardhur e nuk do të vijë në qeverisjen e Edi Ramës. Shumë prej tyre janë larguar dhe të tjerë janë bërë gati të ikin. “Sepse Shqipëria vuan nga korrupsioni i përhapur gërryes siç thotë Departamenti amerikan i Shtetit dhe është vendi me taksat më të larta në rajon siç thotë raporti i Freedom House. Sot në Shqipëri për herë të parë në 6 vitet e fundit, konsumi ka rënë në vlera negative. Shqipëria ka nivelin më të ulët të besimit ndër biznese e konsumatorë në 15 vitet e fundit, siç thotë Banka e Shqipërisë. Shqipëria e fundit në rajon sa i takon transformimit, siç edhe Indeksi gjerman i Transformimit (Bertelsmann Stiftung) raporton, është produkt i tre vjetëve keqqeverisje të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e PD. Thellimi i varfërisë, papunësia që shtohet çdo ditë, taksat e larta, faturat e kripura, gjobat me dorë të rëndë, rënia e fuqisë blerëse, rënia e investimeve, konsumit dhe mirëqenies, ky është realiteti që prodhuan tre vjet mashtrime, dështime, kërbaç dhe korrupsion. “Kjo nuk është Shqipëria që ne duam. Prandaj ne jemi zotuar, se do ta nxjerrim vendin nga kriza Rama. Përmes uljes së taksave, tarifave dhe faturave do t’i kthejmë shqiptarëve dhe 1 miliard euro çdo vit. Bashkë do të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për të gjithë e do ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv në rajon për investitorët. Duke i rikthyer besimin bizneseve të huaja dhe atyre vendase për të investuar, për të krijuar vende pune e siguruar mirëqenie”, thuhet në deklaratën e PD.
Kryesore
Continue to the categoryIndeksi global/ Mosha e mesme në Shqipëri është më e palumtur!
Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka...