Rasti i Parashqevi Simakut, lotët e krokodilit dhe hipokrizia publike

Nga Rigels Seliman

Prej dy ditësh, rrjetet sociale dhe portalet shqiptare janë mbushur me deklarata “solidariteti” dhe dhimbje të theksuar për gjendjen e rënduar ekonomike të këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, e cila jeton në SHBA. Një zë brilant i së shkuarës, Simaku ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën muzikore shqiptare, por përdorimi i fatkeqësisë së saj personale për protagonizëm ka ngritur shumë pikëpyetje mbi qëllimet e këtyre “lotëve”.

Disa nga emrat e njohur të ekranit dhe VIP-at shqiptarë kanë nxituar të shfaqen publikisht me mesazhe mbështetjeje, duke na kujtuar sa “zemërmirë” dhe të “solidarizuar” janë me njerëzit në nevojë. Por a është kjo vërtet ndjeshmëri e sinqertë, apo thjesht një tjetër mundësi për të përfituar vëmendje në sytë e publikut?

Jashtë, por kryesisht në Shqipëri, ekzistojnë mijëra njerëz që jetojnë në kushte të papërshkrueshme të varfërisë. Janë pensionistë që mezi e çojnë muajin me një pension qesharak, fëmijë që shkojnë në shkollë të uritur, apo familje të tëra që nuk kanë mundësi të ngrohin shtëpitë gjatë dimrit. Për ta, nuk derdhen lot në rrjetet sociale. Nuk bëhen thirrje për ndihmë. Nuk hapen fondacione për të mbledhur para. Për këta njerëz, ata që sot janë të tronditur për Parashqevinë nuk e gjejnë dot një minutë për të ngritur zërin.

Në këtë situatë, lind pyetja: Pse pikërisht rasti i një figure publike të njohur ngjall kaq shumë bujë? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur: Hipokrizia dhe Oportunizmi. Të derdhësh lot për një emër të njohur si Simaku të bën të dukesh më human dhe të siguron një lloj kapitali social. Kur ndihmon një njeri të zakonshëm, as mediat dhe as publiku nuk të kushtojnë vëmendje, ndaj nuk ka “përfitim”.

Kjo valë “solidariteti” në rrjetet sociale tregon më shumë për ata që e nxisin sesa për vetë Parashqevinë. Ata shfaqen si shpëtimtarë të njerëzve në nevojë, por shpesh bëhet fjalë për një akt ekspresiv-fals, që synon të forcojë imazhin e tyre publik. Lotët për Parashqevinë janë lot krokodili, që maskojnë indiferencën e tyre të thellë ndaj realitetit të vështirë të shumicës së shqiptarëve.

Solidariteti i vërtetë nuk është i përzgjedhur. Ai nuk kufizohet vetëm te ata që janë të njohur apo të rëndësishëm në sytë e shoqërisë. Nëse duam të jemi një shoqëri e drejtë dhe humane, duhet të shikojmë përtej emrave të famshëm dhe të tregojmë kujdes për çdo individ që jeton në skamje, pavarësisht statusit apo famës së tij. Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku hipokrizia mbizotëron mbi ndjeshmërinë e sinqertë.

Pra, boll na hapët barkun me këtë farsë kolektive! Në vend që të bëni gara solidariteti për Parashqevinë, bëhuni të ndershëm dhe shikoni përreth: kush ka vërtet nevojë për ndihmë? Ka ardhur koha të heqim maskat e falsitetit dhe të veprojmë për hir të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

Artikulli paraprakShënim/ Rreziku përballë të cilit e ekspozoi Berisha bashkëshorten e Dumanit
Artikulli tjetër2024 me një rresht