Doli nga fusha e lojës duke qarë, Çezena me komunikatë zyrtare për gjendjen e Kristian Shpendit

Kristian Shpendi ka qenë i pafat mbrëmë, teksa ka lënë ndeshjen e Serisë B, Çezena-Kozenca, pa u mbushur 30 minuta lojë. Gjatë një dueli ajror, sulmuesi i cili aktualisht është golashënuesi më i mirë i kampionatit me 10 gola të shënuar, ra keq dhe dëmtoi kaviljen e majtë.

Kristiani u detyrua të largohej nga fusha i përlotur, mes duartrokitjeve të tifozëve. Ndërkohë pas ndeshjes klubi i Çezenës lëshoi komunikatën zyrtare për gjendjen e sulmuesit shqiptar.

“Çesena Fc njofton se testet instrumentale të kryera nga Kristian Shpendi në fund të ndeshjes kundër Kozencës përjashtuan praninë e thyerjeve të kockave në kyçin e këmbës së majtë. Në ditët në vijim sulmuesi do t’i nënshtrohet testeve të mëtejshme për të përcaktuar shkallën e saktë të dëmtimit dhe kohën e rikuperimit”.

Ligamentet e kyçit të këmbës së majtë do të duhet të vlerësohen me MRI: Shpresohet që Shpendi të mungojë për dy javë dhe kësisoj të humbasë duelin ndaj Atalantës në Kupën e Italisë si dhe Juve Stabia dhe Kremonese në kampionat.

Artikulli paraprakNiseni ditën me një çaj kamomili, këto janë përfitimet për shëndetin
Artikulli tjetërDiplomatët amerikanë dhe ata rajonalë takohen për ta diskutuar të ardhmen e Siris pas rrëzimit të Assad