Zonat e varfëra të Pukës në mjerim të plotë nga izolimi prej motit

Puka dhe fshatrat e saj janë nga zonat më të varfërat e të papuna të vendit, por njëkohësisht më të goditurat nga moti i acartë i këtyre ditëve. Shumë familje në zona të thella, dhe njësi të tëra kanë mbetur të izoluara, pa drita, pa ngrohje, në krizë edhe për ushqime. Në këto zona ka qenë sekretari i PD për aksionin qytetar, Salianji për t’u njohur me gjendjen. Nga vëzhgimi doli se ndërhyrjet e qeverisë kanë munguar totalisht, dhe prezenca e tyre ka qenë vetëm për propagandë. Njerëzit në Pukë e dinë se edhe ato pak ndihma që janë dhënë, janë dhënë për të afërmit e deputetëve e pushtetarëve.
Ervin Salianji dhe kreu i degës së PD, Pukë, ishin pranë banorëve. “Kanë ditë që ngrihen shqetësimet e banorëve të Pukës dhe të rrethinave, për motin e acartë dhe bllokimin që i është bërë pothuajse të gjithë zonës së rrethit të Pukës. Siç duket qartësisht nga pamjet, këtu jemi pothuajse 30 metra nga Bashkia e Pukës dhe trashësia e borës është më shumë se një metër.
Janë zona dhe lagje të qytetit të Pukës, të gjitha të bllokuara, të gjitha të pahapura, të gjitha të pastabilizuara apo të pandihmuara nga ana e qeverisë apo nga ana e Bashkisë së Pukës. Ministri i Brendshëm, i cili ishte dje në zonës e Pukës, ka bërë vetëm shfaqje dhe propagandë, ka vazhduar me intensitet propagandën po njësoj sa ç’është intensiteti i reshjeve, por asnjë ndihmë nuk ka shkuar për banorët e qytetit të Pukës as në infrastrukturë, as në ushqime, as në ushqime për bagëtitë.
Ndihmat e shpërndara kanë qenë vetëm 200 pako të dhëna kushërinjve të Mark Frrokut, dhe kushërinjve të Gjonit të Bashkisë, i cili po ashtu është një i emëruar i Mark Frrokut. Ndihma të dhëna nga ministri i Brendshëm dje, ishin në fshatin e Pjerin Ndreut dhe miqve e të afërmve të tij në fshatin Jakaj”, u shpreh Salianji.
“Me këtë rast ngrice, realisht është emergjencë. Fshatrat e të gjithë rrethit të Pukës, pothuajse janë totalisht të gjitha të izoluara, duke filluar nga qafa e Mugut, Njësia Administrative e Çelës dhe ka telefonata prej banorëve që nuk u shkon askush në ndihmë. Edhe pse telefonojnë nuk u përgjigjet asnjë njeri”, thotë kreu i PD, Pukë, Prel Gjoni.
Në Luf të Pukës, gjendja është edhe më e rëndë. “Këtu 70% e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike. Marrin më pak se 10 mijë lekë të vjetra për njeri. Ujë të rrjedhshëm nuk kemi. Nuk na ka ardhur asnjë lloj ushqimi, asnjë lloj ndihme. Nuk është marrë askush me këtë punë”, ankohet një banor.
“Pushteti qendror dhe ai vendor këtu nuk kanë ardhur. Ministrin nuk e kemi parë”, denoncon një familjar.
Në Gjegjan kriza thellohet. “Kemi vetëm një elektriçist, është faturues dhe elektriçist. Për të marrë një asistencë 20-30 mijë lekë duhen 40 km për të shkuar në Pukë në bankë për të marrë asistencën”, pohon një banor i zonës.
“Të gjitha shkollat e njësive administrative të rrethit Pukë, janë pa ngrohje zjarri, janë të gjitha me ngrohje me rezistencë”, thotë një banor.

Ndihma të papërfillshme për banorët e izoluar në Veri

Rruga e gjatë dhe me borë e bën të pamundur ecjen me makinë në Malin e Lezit në Bashkinë e Klosit. Acari ka vështirësuar sidomos jetën e familjeve të varfëra. Shpëtim Kurti është babai i shtatë fëmijëve. Ai tregon se shtëpia e tij është e rrënuar dhe nuk ka lekë për ta riparuar. I vetmi vend ku mund të ngrohen fëmijët është përreth sobës, ndërsa çdo hapësirë tjetër e shtëpisë, është e ftohtë akull. Shefqet Elezi, një tjetër nga banorët e këtij fshati, thotë se ndihma që i kanë dhënë, ka qenë e pamjaftueshme për ta përmirësuar gjendjen e kësaj familje. Por dimri i ashpër ka vënë në vështirësi edhe familjet e tjera të fshatit. Rezervat ushqimore, sipas tyre, po shkojnë drejt fundit. Për të mbërritur nga fshati Mal i Lezit deri në rrugën kombëtare Klos-Burrel, banorëve iu duhet të udhëtojnë katër orë në këmbë, por shpesh e kanë patur të pamundur për shkak të bllokimit nga bora e ngrica.
Prej orëve të para të mëngjesit kanë rifilluar reshjet e borës në Dibër. Reshjet janë me intensitet të lartë në lartësinë mbi 650 metra mbi nivelin e detit. Trashësia e borës ka shkuar deri në 20 cm në Lurë, Kalanë e Dodës, Selishtë dhe në një pjesë të zonave të thella. Akset rrugore Peshkopi -Tiranë, Peshkopi-Kukës kalohen pa zinxhirë.
Në Qarkun e Dibrës situata vijon të mbetet problematike për rrugët rurale, ku si pasojë e reshjeve të borës, shumë prej zonave nuk komunikojnë me qendrat. Në Bulqizë, termometri ka shënuar -15 gradë Celsius, ndërkohë që si pasojë e të ftohtit janë krijuar ngrica në rrugë që po trajtohen me kripë. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, është e kalueshme me zinxhirë.
Ura e Çerenecit-Librazhd kalohet me zinxhirë në Steblevë. Rrugët rurale janë të hapura përveç rrugës Peshkopi-Lurë, e cila është e bllokuar. Temperaturat kanë qenë më të larta. Por ende vazhdon të jetë problematike situata e furnizimit me ujë të pijshëm, pasi ka ngrirë rrjeti i tubacionit të shpërndarjes së ujit në qytetin e Peshkopisë.

Banorët e Kukësit pa ngrohje: U rrit çmimi për drutë e zjarrit

Ndonëse të mësuar me dimër të ashpër banorët e qytetit të Kukësit, thonë se ditët e ftohta me borë dhe ngrica i përjetuan me vështirësi të shumta. Sipas tyre, problem ka qenë sigurimi i druve të zjarrit për ngrohje, për shkak të rritjes së çmimit të tyre. Kukësi është njëri nga qytetet më të prekura nga moti i keq me reshje të dendura dëbore, dhe ngrica që vazhdojnë të jenë prezent në disa zona të thella rurale.
Në Kukës raportohet se situata po shkon drejt normalizimit. Temperaturat kanë pësuar një rritje të ndjeshme, ndërsa janë hapur segmentet rurale problematike nga ngricat, si pasojë e të cilave janë dëmtuar rreth 80% e matësave të ujit.
Banorët në zonat e thella malore në Mirditë po përballen me mungesë të rezervave ushqimore, mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm. Pavarësisht se prej dy ditësh në Mirditë nuk ka pasur reshje dëbore, raportohet se disa fshatra vijojnë të mbeten të bllokuara. Mësohet se janë bllokuar rrugët për në fshatrat Reps, Gur, Spaç, Orosh, Neneshenjtë. Të bllokuara janë edhe Gjugj, Shëngjin dhe Hebe.
Një nga zonat më të prekura nga dëbora dhe ngricat është Njësia Administrative e Fanit në Mirditë. Vetëm deri në qendër të njësisë mund të shkohet me automjet, pasi rrugët e fshatrave janë të gjitha të bllokuara. Niveli i dëborës në këtë zonë arrin deri në 1 metër, ndërsa të paktë janë banorët që i takon. Sipas tyre, e vetmja mënyrë lëvizje është në këmbë, ndërkohe që situata e krijuar i ka vënë në vështirësi, pasi mungon energjia elektrike dhe shërbimi shëndetësor.
Ndonëse janë të vendosur në mes të malit, jo të gjithë ngrohen me dru zjarri. Sipas banorëve çmimi i tyre është shumë i shtrenjtë, ndërsa për t’i prerë vetë i druhen frikës së burgut apo gjobës. Banorët presin që moti të ngrohet për të dalë nga izolimi. Krahas mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve, banorët janë shprehur se po mbaron baza ushqimore edhe për bagëtitë.
Më shumë se 400 familje në Dukagjin ndodhen të izoluara dhe në mëshirë të fatit prej më shumë se një jave. Ngricat dhe bora kanë pushtet absolut, ndërsa ndihma nga qeveria është zero kurse banorët mundohen vetë të sigurojnë ushqimin dhe ngrohjen për t’u përballë me acarin.
Ka mbi një javë që mungon energjia elektrike në Pult dhe në Shalë, ndërsa fshatrat Plan, Gjuraj, Mgull, Xhan, Bruçaj janë të bllokuara së bashku me Thethin, Shalën, Shoshin, Shllak e Temal. Mjafton një reshje normale dëbore të tregojë seriozitetin dhe sa mendohet gjatë vitit për t’i bërë ballë situatave normale në Alpe. Një borë mesatare dhe dhjetëra ditë pa drita e dhjetëra javë të izoluar.
Informacioni i dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ishte që punimet janë ndalur për arsye të rrezikut nga dëbora, por aty ku gjendej një buldozer i braktisur, ndërsa trashësia e borës ishte 30 cm. Rreth 5 km më tutje, në Qafë të Thorës trashësia e borës është rreth 60 cm, megjithatë, banorëve nuk u dërgohen ndihma ndonëse mundësitë janë.

Artikulli paraprakDrejtori i Doganës aksidenton 3 familjarë në Berat dhe lihet i lirë
Artikulli tjetërPolicët grabisin drejtuesit e makinave me bekimin e Tahirit