“Çuditë e ligjit të investimeve strategjike”

Autor: Xhevahir Zhabina | Citizens.al

Miliona metra katrorë prona shtetërore kanë kaluar tek privatët me anë të ligjit kontravers për Investimet Strategjike. Fituesit e lehtësive që jep ky ligj shpesh kanë ngritur pikëpyetje për konflikt interesi dhe dyshime se kompanitë dhe bizneset pranë shumicës në pushtet janë favorizuar.

Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, ligji për Investimet Strategjike u hartua në një formë të tillë që “t’iu jepte mundësinë vendimarrësve politikë të zgjedhur se kush përfiton nga resurset natyrore dhe sociale të vendit”.

Shqetësim për këtë ligj kanë ngritur dhe dy aleatët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Raporti i fundit për klimën e biznesit në Shqipëri i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) është në të njëjtën linjë me shqetësimet e ngritura ndër vite në vendin tonë mbi këtë ligj.

“Pjesa dërrmuese e projekteve u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjik ka nxitur perceptimin tek investitorët e huaj se nga ligji kanë përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me maxhorancën qeverisëse,” thuhet në Raportin e DASH.

Edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvion Gonzato, e kritikoi këtë ligj gjatë një takimi me gazetarët në shtator të këtij viti.

“I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.”

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, qeveria tani ka vendosur të ndajë jo vetëm bregdetin, por edhe Alpet në veri të vendit.

Vendimi i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike është miratimi i projektit “Boga Valley Resort”. Fitues u shpall kompania “Boga Valley Resort shpk” me zotërues Anton Prengën, kompani, e cila është krijuar në 23 mars të vitit 2023, me një kapital 100 mijë lekë të reja.

“Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel dhe disa vila, së bashku me ambientet e shërbimit në Bashkinë Malësi e Madhe. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 5,100,000 Euro.”

Ligji i Investimeve Strategjik vazhdon të prodhojë mënyra nga më të çuditshmet se si shteti sillet me tokën shtetërore.

Kompania në fjalë dhe përfaqësuesit e saj nuk kanë në pronësi asnjë metër katrorë tokë në Bogë, (Shkrel, Malësi e Madhe), aty ku do zhvillohet projekti. Por kanë një kontratë qiraje për një sipërfaqe prej 3 dynym (3,000 m2), e cila nuk mjafton për të zhvilluar këtë ide biznesi. Kërkohet që në funksion të zhvillimit të këtij resorti të vendosen rreth 127 dynymë tokë shtetërore (127,000 m2) ose ndryshe 12.7 hektarë.

“Projekti do të realizohet në një sipërfaqe totale prej 12,68 ha, në ZK 1237, Bogë, Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe, pronë ‘shtet’, përkatësisht në pasuritë me nr. 3/1 me sipërfaqe 2,69 ha dhe nr. 35 me sipërfaqe 9,99 ha. Subjekti ka marrëveshje qiraje për pasurinë me nr. 1 me sipërfaqe 0.3 ha, pronë private për të cilën dëshmon me dokumentacion marrëdhënien me pronën”, thuhet në Vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

“Ky është rasti konkret ku mëshirohet plaga më e madhe që ka sot shoqëria shqiptare: shanse të pabarabarta. Pra disa indidivdë janë më pak të barabartë se të tjerët në shanse dhe disa të tjerë marrin më shumë nga burimet që ofron vendi për të zhvilluar konceptet e tyre të biznesit,” shprehet eksperti Pano Soko.

Në rastin e projektit “Boga Valley Resort”, është ngarkuar Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura të asistojnë kompaninë në përputhje me kriteret mjedisore të zonës për të parë nëse kemi të bëjmë më një zonë të mbrojtur. Por, ndryshimet e fundit në ligjin për Zonat e Mbrojtura, qeveria shqitpare vendosi që t’i japë “investitorëve strategjikë” një lehtësi më shumë, duke i hapur rrugë ndërtimit edhe në këto territore.

“Këtu janë dy ligjet më problematike dhe më ‘sui-generis’ nuk bëhet”, – shpjegon Olsi Nika nga EcoAlbania, – “është ligji për investimet strategjike që faktikisht është shumë pak strategjik, të paktën për komunitetet apo zonat ku ngrihen, dhe ligji për zonat e mbrojtura i ndryshuar, që i rrëzon të gjitha principet e ruajtjes së natyres duke i vënë në funksion të investitorëve strategjik”.

Ndryshimet e fundit në ligj, parashikojnë që Këshilli Kombëtar i Territorit, që drejtohet nga Kryeministri, bëhet “Zot i Natyrës” duke përcaktuar rregullat dhe kriteret për të ndërtuar në çdo territor të mbrojtur të Shqipërisë.

Qeveria shqitpare, është zotuar se në këto zona do të ngrihen vetëm “ndërtime ekologjike në harmoni me natyrën dhe direktivat e BE-së”. Kështu parashikohet edhe në projektin “Boga Valley Resort”.

“Ndërtimi është parashikuar të jetë i kombinuar me punime guri dhe druri në harmoni me natyrën,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Por sa e mundur është që në një zonë të mbrojtur të ndërtohet në këtë mënyrë pa prekur ekosistemet natyrore? Eksperti Olsi Nika na shpjegon mbi dëmet që mund t’i vijnë habitateve nga ky “zhvillim turistik”.

“Parimi është t’i ruajmë zonat e mbrojtura, jo të zhvillojmë turizmin në to. Ministrja ka të drejtë kur thotë kështu është ligji, por ligjin e kanë bërë këta [shumica në pushtet] kështu, dhe ligji bie ndesh me parimet e ruajtjes së natyrës”.

Nika shton se togfjalëshi ndërtim ekologjik “nuk ka kuptim”, pasi ekologjia është një shkencë që studion marrëdhënien e botës së gjallë më natyrën dhe ndërtimi nuk ka lidhje me natyrën.

“Shteti në dispozicion të Investitorit Strategjik”

Fituesit e këtij projekti, përveç 12.7 hektarëve tokë publike dhe asistencës së Ministrisë së Turizmit dhe AKZM-së, për të garantuar suksesin e planit, kërkojnë mbështetje nga ana e institucioneve shqiptare.

Ata kërkojnë asistencë në lidhje me dhënien e lejeve dhe licencave mbi afatet e parashikuara, tek të cilat ligji i jep prioritet. Gjithashtu kërkohet mbështetje në infrastrukturë dhe konkretisht zgjerimi e përmirësimi i rrugës “Burgu i Reçit-Okol”, ndërtimi i një ujësjellësi në atë zonë si dhe përmirësimin e rrjetit elektrik.

Këto investime do të kryhen nga para publike për t’i ardhur në ndihmë resortit, ndërsa ndërtuesit në këmbim do të ndërtojnë një hotel, disa vila private, si edhe ambiente të tjera shërbimi si bare apo restorante, me qellim biznesi.

Në të njëjtën ditë me “Boga Valley Resort”, Komiteti i Investimeve Strategjike shpalli fitues edhe projektin “Atara Resort & Vilas”.

Në bregdetin e Lukovës kompanitë “Lukova Bayside Hotel & Spa” dhe “TO27 Construction” do të ndërtojnë një resort luksoz me hotel me 5 yje, një fshat turistik me vila dhe apartamente dhe katër hotele të tjera.

Kompania e parë zotërohet në ortakëri mes Hekuran Brahimajt (65%) dhe Turjan Hyskos (35%). Ndërsa e dyta tërësisht nga Hysko.

Brahimaj, njohur kryesisht si tregtar materialesh ndërtimi, në vitin 2020 drejtoi përkohësisht Bashkinë Vorë – si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Ndryshe, Hysko, njihet si artist dhe producent emisionesh televizive pa histori në sektorin e ndërtimit. Vëllai i tij, Eljo Hysko, drejtoi Forumin Rinor të Partisë Socialiste (2016-2021) dhe ishte deputet (2019-2021) n ë legjislaturën e shkuar.

Garantues për këtë projekt duket të jetë kompania “Emante” e Brahimajt, e cila ka një kapital prej 363 milionë lekësh.

Ortakëria e Hyskos dhe Brahimajt zotohet të investojë €50 milionë në një projekt që shtrihet në 15.8 hektarë tokë ku 7.7 janë tokë shtetërore e cila kërkohet t’u vihet në dispozicion për zhvillim.

Edhe në këtë rast, lidhja politike duket të jetë shumë e rëndësishme për rezultatin final, përfitimin e statusit të investitorit strategjik dhe gjithë të mirave që sjell ky status mbi-ligjor: pronat publike, angazhimin e institucioneve, lehtësira në procedura dhe infrastrukturë mbështetëse.

Kjo mënyrë e të bërit politika ekonomike, për ekspertin e ekonomisë Pano Soko ka prodhuar atë që njihet si pabarazi shoqërore.

“Në Shqipëri, shanset nuk janë të barabarta. Kjo pabarazi ka shumë forma, por kryesisht ka ardhur prej ligjeve që kanë diskrimiminuar pjesën më të madhe të shoqërisë dhe favorizuar disa të tjerë, të cilët janë shumë pak, por janë afër pushtetin”.

Artikulli paraprakBIRN: Mungesa e fondeve rrezikon kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit
Artikulli tjetërE Ngarkuara me Punë e SHBA: SPAK po lufton për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike! Por vettingu nuk ka mbaruar