Lirohet Gjergji Thimo pas 3.2 vjet burg: “Si m’i grabiti ikonat Rama”

Koleksionisti i njohur, Gjergji Thimo u lirua dje nga burgu, duke përfituar nga amnistia. Thimo ishte dënuar nga Gjykata me 4 vjet e 8 muaj burg nën akuzën e “përvetësimit të veprave të artit të rëndësisë kombëtare”. “Kam vuajtur padrejtësisht 3 vjet dhe 2 muaj burg. Sot u lirova nga amnistia”, u shpreh Thimo pas lirimit nga burgu i Fierit.
Thimo tha se, kërkon nga shteti që t’i kthehen objektet, pasi i ka të ligjshme. “Kërkoj të më kthehen të gjitha objektet. Çështja është në Gjykatën e Lartë për shkelje të rënda proceduriale, për dhënien e një vendim gjyqi të padrejtë dhe të sekuestrimit të objekteve dhe të ikonave të Muzeut Thimo, të cilat kanë qenë të pajisura nga ekspertiza me çertifikata pronësie dhe të regjistruara në qendrën e inventarizimit të pasurive kulturore. Thimo thotë se, operacioni “Ikona” u organizua në mënyrë banditeske nga kryeministri Rama, ministri i Brendshëm, Tahiri dhe Koço Kokëdhima për show.
Koleksionisti që vuajti 3.2 vjet burg thotë se, sekuestrimi i objekteve gjatë operacionit “Ikona” ka qenë antiligjor, sepse objektet ishin të pajisura nga ekspertiza me çertifikata pronësie dhe të regjistruara në qendrën e Inventariazimit të Pasurive Kulturore.
“Për sekuestrimin e objekteve u hartuan 5 procesverbale sekuestrimi dhe asnjëri në përmbajtje të njëjtë të dhënash për objektet dhe ikonat e sekuestruara. Procesverbalet u hartuan pa prezencën time, pasi unë kam qenë i izoluar në një dhomë sëbashku me gruan dhe ruhesha nga policia, duke mos parë se çfarë objektesh dhe ikonash merreshin, ndërsa në lokalin tim galeria “Antika”, policia e bëri sekuestrimin e objekteve pa prezencën time. Nuk ishin 1170 objekte sa deklaroi policia zyrtarisht ditën e sekuestrimit, as edhe 476 objekte sa deklaroi ministrja e Kulturës me grupin e ekspertëve, as edhe 174 objekte sa lanë përfundimisht me procesverbalet e policisë. Por muzeu im ka patur mbi 3 mijë objekte”, deklaroi Thimo.
Thimo tha më tej se, një pjesë e ikonave të tij të sekuestruara nga policia gjatë operacionit “Ikona” janë në bunkerin e Ramës në Surrel, ndërsa një pjesë tjetër ndodhen në shtëpinë e Koço Kokëdhimës.
Më tej, Gjergji Thimo deklaron se Ministria e Kulturës ka prishur provat materiale të hetimit. “Gjatë operacionit “Ikona” janë prishur provat materiale të hetimit nga Ministria e Kulturës. Ministrja Mirela Kumbaro me shkresë urdhëri 4795 prot. dt. 9.10.2013 ka dorëzuar objektet dhe ikonat në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, i cili thotë në neni 151 pika 1 se provat materiale të sekuestruara për qëllim të një hetimi dorëzohen në Prokurorinë Gjyqësore. Ndërsa GKA me procesverabl datë 11 tetor 2013 i ka marrë në dorëzim këto prova materiale nga punonjësit e saj, Ylli Drishti, Suzana Varvarica Kuka, dhe 6 të tjerë. Provat materiale nuk janë dërguar në Prokurori për të kryer hetmin”, thotë ai.
Thimo deklaron më tej se është dënuar me pa të drejtë 4 vjet e 8 muaj burg. “Shkelja e dytë e rëndë proceduriale është që prokuroi i çështjes, Ervin Karanxha ka bërë tjetërsimin e veprës penale, duke më dënuar me pa të drejtë 4 vjet e 8 muaj burg. Në pyetjen e bërë nga prokurori para grupit të ekspertëve, nëse veprat në fjalë konsiderohen objekte të trashëgimisë kulturore apo vepra arti me rëndësi kombëtare, grupi i ekspertëve është shprehur qartë se asnjë nga objektet nuk është objekt me vlera të rëndësisë kombëtare, por janë objekte të zakonshme të trashëgimisë kulturore. Unë jam dënuar me nenin e veprave të artit të rëndësisë kombëtare që parashikon nga 5 deri 10 vjet heqje lirie. Ndërsa neni për objekte të zakonshme të trashëgimisë kulturore parashikon nga 5 muaj deri 3 vjet heqje lirie”, u shpreh Thimo.

R.POLISI

Artikulli paraprakGrabitet banka brenda pak minutash në Tiranë
Artikulli tjetërFaqja e pare