Gjykata Kushtetuese do të jetë nesër përballë sfidës së madhe. Në orën 10:00 do të mbahet seanca ndaj investitorit strategjik të Ramës, pra Pëllumb Gjokës, i cili kërkon që të shpallen të pavlefshme përgjimet e ‘Sky Ecc’.
Gjoka u arrestua falë informacioneve që Prokuroria e Posaçme mori nga agjenci europiane, të cilat kanë mundur të deshifrojnë komunikimet përmes telefonave të koduar mes të cilëve dhe emra jo të paktë shqiptarësh. Avokatët e Gjokës pretendojnë se dosjet e ardhura nga Franca dhe Belgjika nuk duhet të shërbejnë si prova.
Por Kushtetuesja do të jetë përballë dy zgjedhjeve të vështira: Do të mbajë anën e krimit, apo do të ndjekë rrugën e Strasburgut.
Më 17 tetor Gjykata e Strasburgut ka shpallur të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni ‘EncroChat’, të cilin e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit. Në shumë shtete të tjera po ashtu, janë cilësuar të ligjshme përgjimet dhe Kushtetuesja është para sfidës së madhe.
Investitori strategjik i Ramës, Pëllumb Gjoka kundërshton mënyrën se si janë tërhequr aktet nga SPAK të vëna në dispozicion nga autoritetet belge e franceze.
SPAK nga ana tjetër kërkon që Kushtetuesja të rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe Apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.
Grupi i personave të kapur në korrik gjatë operacionit “Metamorfoza”, mes të cilëve dhe Pëllumb Gjoka, dyshohet për një numër të madh veprash penale, që nga “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, etj.
Por vendimin po e presin me interes shumë të tjerë, pasi nëse pranohet kërkesa e tij, do të vendoset precedent dhe për të tjerët.
Ka shumë bosë krimi, por edhe zyrtarë nën hetim që lusin që përgjimet të shpallen të pavlefshme. Madje ka zëra që thonë se po bëhet shumë presion ndaj gjykatës. Madje është thënë se janë hedhur para e madhe. Por a do të bjerë Kushtetuesja pre e presioneve? Të shohim nesër se çfarë do të ndodhë në seancë.