Teksa optimizmi në ekonomi përgjithësisht edhe në biznese është shtuar këtë vit, nuk po ndodh kështu me segmentin më të rëndësishëm të tregut financiar në vend, bankat.
Ato lajmëruan shtrëngim të mëtejshëm të kushteve të kreditimit në tremujorin e parë 2017, sidomos për bizneset e mëdha si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredisë me probleme dhe pasiguritë në rritje që kanë bankat për ecurinë makroekonomike të vendit. Në të njëjtën mënyrë, ata po veprojnë edhe me investimet në letrat e borxhit qeveritar duke hezituar të investojnë në monedhën vendase.
Banka e Shqipërisë publikoi dje rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues, të cilat treguan për shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset dhe lehtësim të standardeve të kreditimit të individëve në tremujorin e katërt të vitit 2016.
Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset është shënuar në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme standardet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatore, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë.
Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit, kreditë me probleme dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike.
Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe mjaftueshmëria e kapitalit, janë faktorë që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve. Politika shtrënguese e bankave ndaj kredive për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, zvogëlimit të komisioneve dhe rritjes së raportit të kërkuar të këstit ndaj të ardhurave.
Kërkesa për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2016 u raportua me rritje nga ekspertët e bankave, më e dukshme kjo për individët. Rritja e kërkesës së individëve është regjistruar kryesisht për kredi konsumatore dhe në një masë më të ulët për blerje banese. Për sa i takon kërkesës së bizneseve, ajo raportohet thuajse e pandryshuar, me një prirje të lehtë në rritje, kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat presin shtrëngim të standardeve të kreditimit për bizneset e mëdha në tremujorin e parë të vitit 2017. Ndërkohë, standardet për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për individë pritet të lehtësohen gjatë të njëjtës periudhë. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje, si për bizneset ashtu edhe për individët.
Kredia, bankat refuzojnë bizneset e mëdha
Standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar në tremujorin e katërt të vitit. Ky shtrëngim është vënë re kryesisht në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, në linjë me pritjet e një tremujori më parë. Standardet e kredisë kanë mbetur thuajse të pandryshuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Prirja shtrënguese pritet të vijojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2017 për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar si për investime, ashtu edhe për kapital qarkullues. Ato pritet të mbeten në të njëjtin kah edhe në tremujorin e ardhshëm. Nga ana tjetër, konkurrenca në tregun bankar, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e mirë e likuiditetit në sistem, janë faktorë që vijojnë të ndikojnë në lehtësimin e kushteve të kreditimit.
Bankat zbatuan shtrëngimin e standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2016, kryesisht nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral dhe në një masë më të ulët, nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë. Ndërkohë, ulja e marzhit mesatar dhe ulja e komisioneve të aplikuara në kreditë e dhëna mbeten ndër faktorët kryesorë që kanë vepruar në kahun e kundërt.
Kërkesa për kredi raportohet thuajse e pandryshuar në tremujorin e katërt të vitit 2016, me një prirje të lehtë në rritje. Kjo rritje e ulët është ndikuar nga kërkesa për kredi të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ndërsa ajo për ndërmarrjet e mëdha ka mbetur e pandryshuar. Sipas perceptimit të ekspertëve bankarë, rritja e kërkesës së bizneseve në tremujorin e katërt ka rezultuar për kapital qarkullues.
Bankat presin rritje të kërkesës në tremujorin e parë të vitit 2017, të gjeneruar si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.
Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa e paktë e bizneseve për kredi është nxitur si nga nevoja për financimin e investimeve, ashtu edhe për financimin e kapitalit qarkullues. Kushtet e përmirësuara të kreditimit, situata makroekonomike, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe burimet alternative të financimit janë gjithashtu faktorë me ndikim pozitiv në rritjen e kërkesës së bizneseve për kredi.
Kredia për individët, frenohet lehtësimi më 2017
Bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet e kredive të akorduar individëve në tremujorin e katërt të vitit 2016. Sipas përgjigjeve të agreguara të bankave, standardet u lehtësuan për kreditë konsumatore, ndërsa kanë mbetur thuajse të pandryshuara për kreditë për blerje banese. Bankat u shprehën se standardet e kredisë të individëve do të lehtësohen edhe në tremujorin e parë të vitit 2017, por në një masë më të ulët.
Faktorët që kanë ndikuar standardet e kredisë. Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët pasqyroi kryesisht rritjen e konkurrencës në sektorin bankar. Faktorë të tjerë, si gjendja e mirë e likuiditetit dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankave, kanë ndikuar gjithashtu në kahun lehtësues të standardeve. Nga ana tjetër, balancat neto negative të kredive me probleme, gjendjes financiare të individëve dhe situatës në tregun e pasurive të paluajtshme tregojnë për ndikim në kahun shtrëngues të këtyre faktorëve.
Kushtet për miratimin e kredisë. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredive për individët gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016 u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë. Gjithashtu në kahun lehtësues, por në një masë më të vogël, kanë vepruar edhe kushtet e tjera si zvogëlimi i komisioneve dhe kërkesave për kolateral, rritja e raportit të këstit ndaj të ardhurave, si dhe rritja e madhësisë dhe maturitetit maksimal të kredisë.
Kërkesa për kredi. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2016, në linjë me pritjet e tyre në tremujorin e kaluar. Rritje e kërkesës ka rezultuar më e dukshme për kredinë konsumatore dhe në një masë më të ulët për kredinë për blerje banese. Ekspertët e bankave presin që kërkesa e individëve të jetë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.
Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2016 është nxitur nga disa faktorë, ndër të cilët rritja e nevojës për financimin e konsumit dhe financimin e blerjes së banesës, përmirësimi i kushteve të kreditimit, si edhe zhvillimet pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve.