Inceneratori i Fierit/ Vetting: Ana e errët e menaxhimit të fondeve publike! Akuzat e Petro Koçit që shënjestruan Armando Subashin

Në emisionin Vetting trajtohet sot historia e inceneratorit të Fierit, një prej aferave që është hetuar nga SPAK dhe ka çuar në pranga ish-ministra, ish-deputetë dhe zyrtarë të tjerë.

Gazetarët e Vetting kanë sjellë në vëmendje atë se çfarë ndodhte në deklaratat publike, akuzat dhe reagimet, ndërsa vijonte procesi për inceneratorin.

Vëmendjen e tërhoqi deputeti socialist Petro Koçi, i cili akuzoi se krimi ka shtrirë duart në tenderat publikë.

Me pak fjalë paratë publike po përfundonin në duart e individëve apo grupeve kriminale. Deklaratat e Koçit sollën reagimin e Armando Subashit, kryebashkiakut të Fierit.

Qarku Fier prodhon 141196 tonë mbetje të ngurta shtëpiake në vit, dhe me këtë sasi vjetore renditet i treti në vend pas Tiranës dhe Vlorës.

Në korrik 2021, Petro Koçi në një deklaratë për media ka hedhur akuza të rënda për bashkinë e Fierit, ndërsa shprehej se “bota e krimit ka shtrirë duart në tenderat publik në Fier”.

Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Fierit Armand Subashi është përpjekur të rëshkasë nga kjo deklaratë duke thënë për media se “Koçi nuk e kishte për mua. Në asnjë moment nuk është bërë insinuatë për bashkinë. Problemet që ai ka ngritur janë shqetësime në parim. Të gjithë jemi dakord që ku ka abuzime le të mbajë përgjegjësitë e veta. Ka qënë spekulim i mediave deklarata e Koçit.

Por edhe pas “sparkatës” mediatike të Subashit, Koçi ka vijuar i pa bërë mbrapa me deklaratat e tij.

Ajo që kam thënë që ndikojnë në financat publike është një gjë për të cilën jam shumë i bindur. Jam i bindur në gjithë perceptimin tim politik në qarkun e Fierit, por dhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time. Që do të thotë se ajo që unë them është e vërtetë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe janë përkulur presioneve të krimit”, tha Koçi.

Kjo përballje e kryetarit të bashkisë Fier me deputetin e partisë së tij, socialistin Petro Koçi, i përket verës së vitit 2021. Në dy deklaratat e Petro Koçit, deputet i PS për Fierin, duket qartë se akuza i drejtohet pikërisht kryebashkiakut socilaist.

Kjo akuzë e rëndë për dominim të krimit mbi tenderat publikë në Fier, ndodhi në një kohë kur SPAK kishte intensifikuar hetimet për aferën e inceneratorëve, prej së cilës do të përfundonin shpejt pas hekurave ish-ministra, ish deputetë e zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore.

Mediat dhe opozita kishin artikuluar akuza të shumta për zyrtarë të nivelit qëndror dhe lokal, në listën e të cilëve ishte edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Mediat raportuan në atë kohë se SPAK kishte zbarkuar në zyrat e bashkisë Fier atje ku kishte sekuestruar dokumente me rëndësi për hetimin e aferës së inceneratorit të Fierit. Subashi do ta mohonte këtë lajm duke e quajtuar abuzues.

Kur Subashi foli kaq i vendosur se lajmi ishte abuzim mediatik, nuk e kishte menduar se vetëm pak muaj më vonë do të detyrohej të paraqitej në SPAK për të dëshmuar për më shumë se tri orë para prokurorëve të prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit.

Do ta pranonte në një komunikim me mediat se çfarë kishte dëshmuar para prokurorit Premçi, ishte sekret hetimor, ndërsa nuk mohoi dot nëse ishte nën hetim për aferën e inceneratorit të Fierit.

Kam dëshmuar për dy ose tre orë në SPAK. Nuk mund të flas për detaje se janë sekretit hetimor”, tha Subashi.

Gazetarët: Jeni nën hetim?

Subashi: Mos bëni pyetje të tilla”

Por për të mbërritur deri tek dita kur kryebashkiaku i Fierit do të përfundonte në dyert e SPAK, ka një histori të gjatë abuzimi që na tregon anën e errët të menaxhimit të fondeve publike.

Vetting do të rikthejë historinë e procedurave për miratimin e ndërtimit të inceneratorit të Fierit, prej momentit të përcaktimit të tokës ku do të ngrihej godina e djegies së mbetjeve, kontratat koncesionare me kompaninë problematike të inceneratorëve, procedurat abuzive të bashkisë Fier si dhe institucioneve të tjera pjesë e këtij procesi.

Artikulli paraprak“Mbështetja jonë ndaj SPAK s’është me fjalë, por me vepra”, Basha: Qeveria Rama në konflikt interesi me drejtësinë, më 11 maj zgjedhim fundin e pandëshkueshmërisë
Artikulli tjetërSPAK përballë politikës, Mërtiri: Punë e jashtëzakonshme, shumë zyrtarë të frikësuar se do të përfundojnë pas hekurave