NGA AGIM BAÇI
(Shënime për romanin “E shkuar e pakryer” e Ermal Hasimes)
“Musa?! A e din ti se unë kam një vëlla me emrin Musa n’Gjakovë?”. Kjo është mbyllja e romanit “E shkuar e pakryer”, i Ermal Hasimes- një fjali që motra Anë ja përsërit pas çdo pesë minutash vëllait të saj, ndarë prej 40 vitesh nga diktatura.
Në fund janë bashkë, motër e vëlla në shtëpinë e babës, por 40 vite ndarjeje nuk janë aty, nuk janë me ta, edhe pse mendja ka kaluar pafundësisht kufijtë për vite me rradhë. E përsëritur si fjali nga Ana, më shumë se epilog i romanit, fjalia ngjan edhe si prolog për çdo lexues- me një prolog që duhet të gjejë përgjigjet me pyetjet “ç’u bë me kohën e pamundur?”, “a mundet të jetë e kryer një kohë që nuk jetohet si njeri?” apo edhe me pyetjen “a është e kryer një kohë e palexuar me gjithë peshën e vet?”.
Ana, personazhi kryesor i rrëfimit, gjyshja reale e autorit, është gruaja që bart aq shumë të thëna e të pathëna, sa të jep atë përshtypjen se Anën mund ta njohësh, mjafton të mendosh pak për të. Në fund të jetës së saj ajo vuan nga Alzheimeri,- një sëmundje që i paraprin harresës për atë që nuk mundi ta kishte për 40 vite. A është ky një shpëtim? Hasimja nuk duket se e sjell thjesht si një shpëtim për atë që nuk arriti dot ta kishte në kohë, pasi Ana të shkuarën e rikrijon kohën çdo minutë, duke e përsëritur të njëjtën fjali përballë vëllait, si për të rrokur 40 vitet që nuk mbërritën dot normalisht në jetën e saj. Por fjalia e saj e përsëritur duket edhe amaneti për të na kujtuar ne se duhet medoemos ta ripërsëritim atë “të shkuar të pakryer”, për të mos e lënë në harresë.
Ana, një grua që refuzoi të braktiste të shoqin, Selimin, kur iu kërkua nga partia divorci pasi ai ish një i burgosur politik, që ajo më pas “të kishte mundësinë të jetonte më mirë’, është historia e atyre grave që ditën të vijojnë jetën dhe mbrojtjen e dinjitetit edhe në atë errësirë me të gjitha kostot e refuzimit, pa nxjerrë zërin, por gjithnjë me zemrën në dorë. Ajo bart njëkohësisht edhe zemrën e ndarë përgjysmë të një kombi, që e di shumë mirë, se pa menduar “për pjesën e shkëputur brinjësh” nuk mundesh kurrë te jesh njeriu i duhur për të vijuar të besosh te jeta, te njeriu, te njerëzorja.
Normalja në rrëfim mes gjithë asaj anormaleje të diktaturës vjen e përshkruar në këmbimet e bisedave mes gjyshes dhe nipçes, mes Anës dhe Erenikut. Duket sikur gjithçka jeton në tragjikomedi. Por dashuria nis të diktojë gjithë hapat, ku gjyshërve iu duhej edhe të ruanin fëmijët të mos kishin fatin absurd të gjyshërve dhe prindërve, por edhe të mos i lejonin ata të ishin pre e propagandës që mund t’i kthente në armiqësi me gjakun e vet.
Hasimja, që sjell përpara nesh edhe historinë se si ky mbiemër që mban është trashëguar nga një grua që u hakmor për vdekjen e të shoqit, ka mundur të gërshetojë atë të përditshmen që rrëzohej e ngrihej çdo ditë, e njëkohësisht ka mundur të fiksojë më të rëndësishmen- rrugëtimin e njeriut që ka ditur të ruajë mes kraharorit vetveten dhe dashurinë për familjen, pa harruar kurrë vendlindjen dhe të përhershmen.
“Musa?! A e din ti se unë kam një vëlla me emrin Musa n’Gjakovë?”- është e shkuara që mbetet e pakryer,- e pakryer të paktën për sa kohë mbetet e parrëfyer, për sa kohë pendimi i atyre që bënë krime apo që i duartrokitën ato, nuk ka gjetur dot rrugën për t’u bërë pjesë e duhur e jetës sonë.
Ermal Hasimja, në një sprovë rrëfimi, ndoshta pa e menduar aspak romanin, por nevojën për të sjellë përpara nesh hartën e vuajtjeve të paraardhësve, ka mundur të sjellë përpara lexuesve një prozë me të gjitha ngjyrat e dhimbjes, e, për më tepër, edhe me peshën e rëndësishme të fuqisë për të jetuar.
Në prozën e Hasimjes nuk ka urrejtje- por ka ftesë për njohje. Nuk ka keqardhje- por ka dashuri. Fundja, gjithçka e së shkuarës mbetet e panjohur pa fjalën- por fjala mbetet e paplotë pa dashurinë për të ruajtur njeriun. Ky udhëtim i çuditshëm i rrëfimit të Hasimes është leksioni i fortë i nevojës për ta nxjerrë të shkuarën nga rrënojat që krijoi çnjerëzorja e diktaturës. Asnjëherë nuk është vonë! Asnjëherë nuk mundet pa patur dashuri!