Qeveria e TikTok-ut të mbyllur!

Nga Namir Lapardhaja

Vendimi për të mbyllur TikTok-un për një vit është një masë që në fund nuk do të japë kurrfarë rezultati. Përpjekja për të ndërmarrë aksione me kohë dhe hapësirë të kufizuar ka rezultuar e dështuar edhe në të kaluarën. Ndaj kjo qeveri do bënte mirë t’i shihte problemet te strategjitë dhe vizioni i saj për arsimin dhe jo të kërkojë, ashtu siç bën gjithmonë, problemin jashtë saj.

Dhuna në shkollë dhe në shoqëri nuk është një fenomen i izoluar që buron vetëm nga përdorimi i rrjeteve sociale. Ajo është produkt i një ambienti të kontaminuar që i rrethon fëmijët dhe të rinjtë, duke filluar nga shtëpia, rruga, televizori, dhe deri tek sjelljet e politikanëve dhe figurave publike. Shembujt negativë janë të shumtë dhe të kudogjendur, jo vetëm në platformat sociale.

Problemi qëndron më thellë. Shkolla, që dikur konsiderohej si vendi ku përçoheshin vlerat dhe edukata, ka humbur në masë të madhe rolin e saj edukues, duke u përqendruar kryesisht në forma burokratike dhe duke lënë pas përmbajtjen edukuese. Mësuesit shpesh ndihen të pafuqishëm për të ndikuar tek nxënësit, ndërsa prindërit shpesh mendojnë se përgjegjësia e edukimit përfundon me dërgimin e fëmijës në shkollë.

Mbyllja e TikTok-ut është vetëm një masë sipërfaqësore. Çështja kërkon një analizë të thellë dhe një angazhim të përbashkët nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Një pakt kombëtar për arsimin është i domosdoshëm, duke përfshirë prindërit, mësuesit, institucionet dhe komunitetin, për të luftuar dhunën duke adresuar shkaqet e saj bazë.

Të pretendosh zgjidhje me masa represive, është sikurse të lash duart si Ponc Pilati dhe të mos marrësh asnjë përgjrgjësi. Shkolla ka humbur vlerën transformuese, edukuese dhe forcën për të gjeneruar shembuj pozitivë. Pa këtë qasje ndaj arsimit dhe edukimit, mbylljet e përkohshme do të jenë thjesht arna mbi një problem shumë më të thellë, që do të vijojë në forma të tjera.

Artikulli paraprak“Rama dhe rrethi i tij janë njerëz pa atdhe”
Artikulli tjetërParalajmërimi i Bashës për deputetët opozitarë: Koha na dha të drejtë, pazari Rama-Berisha për të mbrojtur pandëshkueshmërinë