Papa Françesku përsëri i ka dënuar bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë të shtunën se kjo nuk është luftë, por “mizori”.
Një ditë më herët, një ministër i Qeverisë izraelite e dënoi papën pse kishte sugjeruar që bashkësia ndërkombëtar duhet të hulumtojë nëse lufta e ushtrisë izraelite përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.
Françesku e hapi fjalimin e tij të parvjetshëm për Krishtlindje para kardinalëve të krishterë, duke iu referuar sulmeve ajrore të Izraelit të premten në Gazë, ku mbetën të vdekur të paktën 25 palestinezë.
“Dje, fëmijët u bombarduan. Kjo është mizori. Kjo nuk është luftë. Desha ta them këtë sepse të prekë në zemër”, tha Françesku.
Pape, si lider i Kishës Katolike Romake me 1.4 miliardë anëtarë, zakonisht është i kujdesshëm për të mos mbajtur anë në konflikte, por kohëve të fundit, ai ka qenë më i zëshëm në lidhje me fushatën ushtarake të Izraelit kundër grupit militant palestinez Hamas.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në pjesë të librit të botuara muajin e kaluar, papa tha se disa ekspertë ndërkombëtarë kanë thënë se “ato që po ndodhin në Gazë kanë karakteristikat e një gjenocidi”.
Ministri i Çështjeve të Diasporës i Izraelit, Amichai Chikli, e kritikoi ashpër këto deklarata në një letër të hapur të botuar nga gazeta italiane Il Foglio të premten. Chikli tha se komentet e papës përbënin një “trivializim” të termit gjenocid.
Papa gjithashtu tha të shtunën se ipeshkvi katolik i Jerusalemit, i njohur si patriark, kishte provuar të hynte në Rripin e Gazës të premten për t’i vizituar katolikët atje, por i ishte mohuar hyrja.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Izraeli thotë se të paktën një e treta e të vrarëve kanë qenë militantë dhe thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve. / REL