Thuhet se Rusia i ka kërkuar Turqisë ndihmë për tërheqjen e trupave të saj nga Siria. Pak javë më parë, një titull i tillë në media do të ishte i vështirë të imagjinohej. Megjithatë, në vazhdën e rrëzimit të papritur të regjimit të Bashar Al-Assad, raporti i CNN Türk përmend disa të dhëna të besueshme.
Trupat ruse të stacionuara në pjesë të ndryshme të Sirisë, si shkretëtira në pjesën qendrore dhe verilindja e populluar nga kurdët, duket se janë rikthyer në bazat ushtarake ruse në provincën e Latakias, dhe sipas GUR, shërbimit sekret ushtarak të Ukrainës, Moska ka transportuar trupa dhe pajisje ushtarake në Rusi.
Fati i atyre bazave – aeroportit rus Khmeimim dhe baza e saj detare në Tartus – është ende objekt spekulimesh. Rusët mund të mos kenë zgjidhje tjetër veçse t’i braktisin, në rast se nuk do të jenë më në gjendje të sigurojnë një marrëveshje me Hayat Tahrir Aal-Sham (HTS) për të vazhduar të qëndrojnë atje.
Mediat ruse e kanë riemërtuar brenda natës milicinë islamike që rrëzoi Assadin, nga “terroriste” në “opozita e armatosur siriane”. Cilido qoftë skenari që do të realizohet, një gjë është e sigurt përtej çdo dyshimi: tani ka ndryshuar dinamika e fuqisë midis Rusisë dhe Turqisë. `
Tashmë Ankaraja është qartazi më e avantazhuar në rajon. Dhe kjo është një kthesë e fortë nga situata e mëparshme. Kur Rusia ndërhyri në Siri së bashku me Iranin dhe Hezbollahun, ajo i frenoi ambiciet e Turqisë për të nxitur ndryshimin e regjimit në Damask.
Dislokimi në Siri ishte vetëm një pjesë e enigmës, sepse presidenti rus Vladimir Putin grumbulloi presion gjeopolitik ndaj homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdoğan. Pasi forcat ajrore turke rrëzuan një avion ushtarak rus Su-24 në nëntorin e vitit 2015, Rusia vendosi sanksione ekonomike kundër Turqisë.
Njëkohësisht, ajo e forcoi praninë e saj në Armeni – një vend armiqësor ndaj Turqisë – teksa po vazhdonte me shpejtësi militarizimin e Krimesë së aneksuar, e cilësuar nga Putin si një “aeroplanmbajtëse e pambytshme”, pikërisht përballë brigjeve turke të Detit të Zi.
Erdogan dhe politikë-bërësit turq ishin shumë të shqetësuar. Ata ndiheshin të pambrojtur në lidhje me Rusinë, por nuk i zinin besë as Perëndimit. Partneriteti i SHBA-së me kurdët sirianë të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e jashtëligjshme si në Turqi ashtu edhe për BE (dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu), ishte dhe është akoma një faktor që e nervozon Ankaranë.
Për këtë arsye, Erdogan u pajtua me mbijetesën e Assadit në pushtet, së bashku me forcimin e Rusisë në jug të kufirit të Turqisë. Në këmbim, Turqia fitoi një zonë tampon në Siri dhe një vend – krahas rusëve dhe iranianëve – në procesin e negociatave në Astana të Kazakistanit që synonte zgjidhjen e konfliktit në Siri.
Herë pas here, marrëveshja u testua fort, si për shembull gjatë sulmit të regjimit sirian 2019-2020 ndaj provincës Idlib, xhepi më i rëndësishëm territorial që kontrollonin në atë kohë forcat anti-Assad. Një ndërhyrje turke nisi ofensivën, e mbështetur nga trupat ruse.
Por në përgjithësi, ekuilibri midis Moskës dhe Ankarasë u tregua i qëndrueshëm. Të dyja palët mësuan të bashkëjetojnë në terren, dhe madje t’i bëjnë favore njëra-tjetrës. Këtë verë, Putini po i bënte thirrje Assadit që të bashkëpunonte me Erdoganin, në një kohë kur presidenti turk ishte i prirur të arrinte një marrëveshje me Damaskun për riatdhesimin e të paktën një pjese të 3.9 milionë refugjatëve sirianë që gjenden aktualisht në Turqi.
Tani që Rusia e ka humbur Sirinë, është zhdukur edhe një pjesë e madhe e ndikimit të saj mbi Turqinë. Tashmë bashkëbiseduesi i Ankarasë nuk është më Assadi por HTS, me të cilën ajo ka një histori bashkëpunimi. Në vend të Putinit, Erdogani duhet të bisedojë me Donald Trump, për shkak të sponsorizimit nga Shtetet e Bashkuara të Forcave Demokratike Siriane (SDF) të dominuara nga kurdët, që kontrollojnë pjesën më të madhe të Sirisë verilindore.
Por edhe me vendet e Gjirit dhe ndoshta me BE-në, të cilat do të mbështetin rindërtimin e vendit.
Aksionet e Rusisë përballë Turqisë janë në rënie edhe në zona të tjera. Ushtria ukrainase e ka dëbuar flotën ruse të Detit të Zi nga Krimea në portin e Novorossiysk, gjë që do të thotë se tani Ankaraja ka më pak arsye të frikësohet se deti do të kthehet në një “ liqen rus”, një frazë që vetë Erdogan e përdori në vitin 2016 në një samit të NATO-s.
Ndërkohë marrëdhëniet e Moskës me Armeninë, janë në krizë si rezultat i suksesit të Azerbajxhanit në luftën e Karabakut. Jerevani e ka ngrirë pjesëmarrjen e tij në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska (CSTO), dhe po sheh nga Perëndimi për nënshkrimin e kontratave për blerje armësh, një akt që reflekton zhgënjimin nga dështimi i Rusisë për të mbrojtur aleaten e saj.
Qeveria armene ka nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, paralelisht me negociatat për një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin. Ndonëse nuk shihet ende ndonjë përparim, Ankaraja duket se po shënon suksese në Kaukazin e Jugut, dhe këto në kurriz të Rusisë.
Turqia konsiderohet shpesh si e ndërvarur nga furnizimet energjitike ruse, dhe për këtë arsye si e ndjeshme ndaj taktikave të forta të Moskës. Por tani mund të ndryshojë edhe ky raport.
Teksa kontrata e kalimit transit të gazit midis ruses Gazprom dhe ukrainases Naftogaz skadon më 1 janar 2025, TurkStream do të jetë e vetmja rrugë e eksportit të gazsjellësit nga Rusia për në pjesën tjetër të Evropës.
Turqia do të përdorë rolin e saj të tranzitit për të pasur kushte më të mira nga pala ruse, përfshirë aftësinë për të blerë vëllime shtesë të gazit rus për ta ri-eksportuar (dhe regjistruar) si të sajat: një pjesë thelbësore e diskutimit, rreth krijimit të një “qendre të gazit” në territorin turk.
Ndërsa Siria është tashmë jashtë vëmendjes kryesore, marrëdhëniet ruso-turke do të rikthehen në pikën e tyre natyrore gjeografike: rajoni i Detit të Zi. Zgjedhja e Erdogan, nuk do të jetë të rrezikojë duke e sfiduar Rusinë. Përkundrazi, ai do të vazhdojë të veprojë si një ndërmjetës midis Putinit dhe Perëndimit.
Negociatat e ardhshme për Ukrainën të udhëhequra nga Donald Trump, mund të jenë një mundësi e artë. Madje Erdogan mund t’i kujtojë Kremlinit leksionet e mendjemadhësisë së Assadit: që duke iu shmangur Turqisë, ish-udhëheqësi autoritar sirian e vulosi fatin e tij, dhe se një marrëveshje politike është më e mirë se një konflikt që s’ka fund në horizont.