Nga Ervis Iljazaj
Opinioni publik shqiptar, media apo ata që qeverisin këtë vend, e kanë në natyrën e tyre të merren me problematikat që shfaq një fenomen shoqëror vetëm kur ndodhin raste ekstreme. Do të duhej që një 14-vjeçar të humbiste jetën që shoqëria jonë të ndërgjegjësohej dhe të debatonte mbi mënyrën se si rriten adoleshentët, si është siguria në shkolla, apo se si shkollat kryejnë funksionet e tyre.
E megjithatë, të gjithë e dinin se gjithmonë e më shumë këta adoleshentë por rriten në një kulturë dhune dhe agresive që herët apo vonë do të shpërthente. Prandaj, nëse duam vërtet që raste të tilla të mos përsëriten, duhet që kësaj here diskutimet të jenë serioze dhe të ofrojnë zgjidhjet më të mira të mundshme, përfshirë të gjitha institucionet në këtë debat si shkollat, familjet dhe qeverinë.
Kjo e fundit dha si zgjidhje të këtij fenomeni mbylljen e Tik-Tok. Në fakt, Kryeministri shqiptar me këtë zgjidhje etiketoi me gisht fajtorin që për të ishin rrjetet sociale, dhe si zgjidhjen më të thjeshtë dhe për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë ofroi mbylljen e tyre. Është e vërtetë që në këto rrjete sociale paraqitet dhunë, gjuhë e ashpër dhe agresivitet të cilat ndikojnë edhe në sjelljen e adoleshentëve shqiptarë. Por, mbyllja e tyre nuk është zgjidhje.
Avancimi i teknologjisë tashmë është një proces i pashmangshëm. Është e kotë të përpiqesh të ndalosh rrjetet sociale apo teknologji të ndryshme, ose është thjesht e pamundur. Atë që po bëjnë shoqëritë e zhvillura dhe demokratike nuk është ndalimi, por kontrolli i tyre. Sa do të mundohesh të ndalosh një rrjet social, në të ardhmen do dalin të tjerë. Ky është një proces tashmë që është pjesë e jetës sonë, dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë e më shumë në të ardhmen. Prandaj qeveria shqiptare në vend që të propozojë mbylljen e tyre duhet të merret seriozisht se si t’i monitorojë, se si të kontrollohen dhe se si ato të bëhen më të sigurtë, sidomos për adoleshentët.
Ideja se një vend mund të ndalojë lirinë për hir të sigurisë, është ide e vendeve diktatoriale. Në vendet diktatoriale nuk ka liri, por ka siguri. Ndërsa në vendet demokratike liria monitorohet, nuk ndalohet. Nëse hapim orekse të tilla për qeverinë, në të ardhmen kjo mund të jetë me rrezik për demokracinë. Në emër të sigurisë qeveria do të vashdojë të ndalojë lirinë e njerëzve.
Aq më tepër ku debatet për teknologjinë dhe rrjetet sociale dhe ndikimet që kanë ato në jetët tona, janë debate që zhvillohen kudo, por askund nuk propozohet ndalimi apo mbyllja e tyre. Fakti që një qeveri është e paaftë për ta monitoruar teknologjinë apo rrjetet sociale, fakti që nuk arrin dot të ketë ligje të mira në këtë drejtim dhe ti bëjë të zbatohen ato, çon në zgjidhje më të thjeshta, në ndalimin e tyre. Çështja është se si të jemi dhe shoqëri e lirë, por edhe lirinë ta monitorojmë. Patjetër që liria ka dhe efekte kolaterale, si krime apo dhunë. Vetëm në vendet diktarotiale nuk ka krime, pasi liria ndalohet.
Por kjo nuk do të thotë që edhe ne të ndalojmë liritë tona. Teknologjia, apo dhe rrjetet sociale qofshin ato, kanë si të gjitha instrumentat e tjera anën negavite dhe pozitive të tyre, varet për çfarë i përdor. Njësoj si energjia nukleare. Ti mund ta përdorësh atë për bombë bërthamore, por edhe për të furnizuar me energji vende të tëra.
Edhe teknologjia ka anën e saj pozitive në komunikim, biznes apo edhe politikë. Kështu ndalimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhja. Disiplinimi i këtyre instrumenteve po. Mirëpo, kjo kërkon një përpjekje serioze nga institucionet dhe jo thjesht një zgjidhje sa për të kaluar radhën. Vdekja e një të riu 14-vjeçar duhet të shërbejë pikërisht për të adresuar të gjitha këto probleme, dhe jo të ndodhë siç ndodh shpesh, që pas tri ditëve kjo histori të harrohet dhe askush të mos merret me këto fenomeme shoqërore. Mbylja e rrjeteve sociale është zgjidhja më e lehtë dhe më komode. Tregon dështimin e shoqërisë dhe institucioneve tona. Aq më tepër që kultura e dhunës midis adoleshentëve nuk vjen vetëm nga rrjetet sociale, por nga një kulturë që promovohet në media, në politikë dhe në pjesë të tjera që skanë lidhje me Tik Tok-un. Modeli i lumturisë që promovohet në shoqërinë tonë, përtej rrjeteve sociale, është modeli i të fortit. Rrjetet sociale nuk janë shkaktari i vetëm i dhunës, dhe mbyllja e tyre nuk të çon asgjëkundi. Është thjesht një iluzion i zgjidhjes së problemit.