Ditët e fundit të Bashar al-Assadit, acarimi i Kremlinit dhe arratisja me djalin dhe paratë e tij

Në fund ai u largua si një hajdut, natën.

Ai premtoi se nuk do të braktiste kurrë Sirinë e tij dhe besnikët që kishin mbrojtur 54 vjet të regjimit të klanit të Assadit.

Në të vërtetë, në orët e tij të fundit si president në mbrëmjen e 7 dhjetorit, ai njoftoi se kishte ndërmend të mbante një fjalim para kombit që synonte të gjente një marrëveshje me njësitë ushtarake të rebelëve, të cilët po drejtoheshin për në kryeqytet.

Në pallatin presidencial tashmë ishin vendosur kamerat e televizionit shtetëror, me dritat gati dhe gazetarët në pritje.

Por e gjitha ishte një mashtrim, një mashtrim i dobishëm për të blerë kohë dhe për të shpëtuar më lehtë. Bashar al-Assad iku në momentin e fundit me një makinë të blinduar ruse për të arritur në bazën ajrore Hmeimin.

Prej këtu ai mori një avion të dërguar nga Putini që e çoi në mërgim në Moskë.

Ai nuk paralajmëroi askënd, ai tradhtoi familjen, ushtarët dhe miqtë e tij.

Ai sigurisht nuk kishte atë që duhej për rolin që i dhuruan.

Babai i tij Hafezi e kishte zgjedhur atë si mjetin e fundit, duke qenë se në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë pasardhësi i vërtetë i caktuar, vëllai i tij i madh Basel, kishte vdekur në një aksident automobilistik.

Bashar do të kishte preferuar të vazhdonte të punonte si mjek në Londër.

Ai ishte president obtorto collo.

Një lider i qeverisur nga të fortët e vjetër të regjimit dhe nga oficerët e shërbimeve të sigurimit.

Kështu, edhe në muajt e fundit, ai kishte kuptuar shumë pak për situatën në Siri.

Aleatët e vjetër të diktaturës ishin jashtë skenës.

Forcat rebele po përparonin; Irani dhe Hezbollahu ishin dobësuar nga Izraeli; Putini, i zënë me luftën në Ukrainë, nuk ishte më gati të ndërhynte për ta shpëtuar.

Erdogan ofroi dialog, por ai e refuzoi atë.

Por ai nuk mund ta përballonte më. Dhe në fund u dorëzua. Mori paratë dhe iku, thanë burime në qarqet diplomatike perëndimore në kryeqytet.

Ditët e fundit si shtypi vendas ashtu edhe gazetat ndërkombëtare si Financial Times dhe Neë York Times kanë hetuar fazat e rënies së regjimit, deri në momentin e arratisjes së presidentit gjatë natës së bashku me djalin e tij të madh Hafezin (ai ka të njëjtin emër si gjyshi i tij, i cili udhëhoqi grushtin e shtetit në 1970).

Bashar dhe Hafez mbërrijnë në gjurmët e Hmeimin rreth mesnatës.

Askush nuk qëllon mbi ta.

Zyrtarët e Hayat Tahrir al Sham, grupi islamik që tani dominon në vend, mohojnë se ka pasur ndonjë koordinim: Thjesht shkoi mirë për të arratisurit.

Por Putini është i mërzitur.

Kur Bashar vrapoi tek ai për ndihmë në fillim të nëntorit, ndërsa rebelët po sulmonin Aleppon, presidenti rus i sugjeroi të fliste me Erdoganin dhe të kërkonte një kompromis.

Moska nuk ishte më e gatshme ta shpëtonte, siç kishte bërë në vitin 2015.

Që atëherë, telefonatat e Basharit refuzoheshin gjithnjë e më shumë nga Kremlini.

Por Bashar dukej i vendosur të mbyllej në kullën e tij të fildishtë, i bindur se ishte i pathyeshëm.

Aq sa më 30 nëntor, ditën e rënies së Aleppos, ai ishte në Moskë me gruan e tij Asma (duke u trajtuar nga kanceri) për të ndjekur tezën e doktoraturës së Hafezit në fizikë dhe matematikë.

Telefonatat nga ndihmësit e tij e bindin atë të kthehet shpejt.

Më pas ai kërkon ndihmë nga aleatët e tij të vjetër në Teheran.

Në të vërtetë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërrin në Damask dhe përpiqet të dërgojë mesazhe qetësuese, por ndërkohë urdhëron tërheqjen e diplomatëve dhe këshilltarëve ushtarakë.

“Kam konstatuar se Assad ishte i hutuar, ai nuk e kuptoi peshën e humbjes”, tha ai më vonë për mediat iraniane.

Bashar flet për një “tërheqje strategjike” të ushtarëve të tij nga qyteti i dytë i vendit: në të vërtetë është një rrugë katastrofike.

Kështu, natën e arratisjes, Bashar dhe djali i tij pritën katër orë në pistë para se të mund të ngriheshin.

Putini nuk i do humbësit.

Ndërkohë, vëllai i tij Maher strehohet në Irak.

Kushëriri Ihab Makhlouf u vra nga të shtënat e rebelëve me tezen e Basharit ndërsa ata ikin në kufirin libanez.

Të afërm dhe personalitete të tjera të regjimit janë zhdukur, ndoshta të burgosur ose të plagosur, ose tashmë të vdekur.

Megjithatë, Bashar merr me vete në fluturim dy këshilltarë të ngarkuar me menaxhimin e milionave të vjedhura nga shteti dhe të depozituara në bankat jashtë vendit.

“Deri në fund frikacak”, akuzojnë Damaskun, “ai preferoi mirëqenien personale para të mirës së vendit”. (Brixhilda Xhuraj)

Artikulli paraprakSpahiu: PD e sotme disa herë më e dobët sesa në vitin 2013 kur humbi me 1 milion vota
Artikulli tjetërGjykata e Apelit të Posaçëm rrëzon ankimin e Ajola Xoxes për kontrollin nga SPAK