Si u rrëmbye me makinë nga Shullazi, Profesor Koni?

Të enjten e 14 prillit, akademiku Mynyr Koni, kandidat për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës ishte duke u kthyer për në shtëpi kur një makinë e blinduar ndaloi para këmbëve të tij. Një person i kërkoi nën kërcënim të futej brenda në makinë, brenda së cilës ishin edhe dy persona të tjerë.
Pasi e fusin nën gjuhën e kërcënimit, brenda automjetit të tyre, akademikut të nderuar i kërkohet në mënyrë ultimative që të tërhiqet urgjent nga gara. Ultimatimi i dhënë nga banda ndaj Profesor Konit ishte që nga gara të jepte dorëheqjen urgjent që ditën e nesërme. Tonet e kërcënuesve janë ashpërsuar më tej kur, akademiku Koni u ka thënë se do të mendohej mbi këtë ultimatum. Në këtë moment, reagimi i bandës për dorëheqjen e tij ka qenë i prerë.
Profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha ‘Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!’. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici.
Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.
Profesor Mynyr Koni është dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe në zgjedhjet universitare që zhvillohen të mërkurën (20 prill), ai garon për rektor. Teksa garës po i afrohej fundi, Sali Berisha del në një konferencë dhe denoncoi se Mynyr Koni është kërcënuar dhe përmend direkt emrin e Emiljano Shullazit. Sakaq po atë ditë (të shtunën 16 prill) ndalohet Shullazi dhe merret në pyetje. Nuk vonoi shumë dhe Prokuroria rreth mesnatës së të shtunës lëshoi urdhër arrest për Shullazin dhe dy të tjerë. Hetimet për ta kishin nisur më parë, që në shkurt. Shullazi po hetohet edhe për gjobëvënie dhe kërcënime të së paku dy biznesmenëve.

72 orë nga arrestimi i Shullazit, policia asnjë foto të ndalimit të tij

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje ndaj mungesës së publikimit nga ana e policisë të momenteve të ndalimit të Emiljano Shullazit, në një kohë kur policia edhe për aksione elementare nxiton menjëherë t’i publikojë ato.
“Shullazin s’ka kush ta fotografojë! Kohët e fundit është bërë praktikë pune që çdo aksion policor, person i ndaluar apo i arrestuar publikohet me figurë dhe video në lentet mediatike të Saje qorrit që nuk i përmend dot emrin Milit dhe Edvin Shullazit, që ishte bërë sot vrer e sterë i zi nga tronditja. Zellit mediatik për të treguar punën e palodhur të Tahirit nuk i kanë shpëtuar as shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ata, përveç gjobës u është dashur të shohin veten në media si ornament të fasadës të luftës ndaj krimit. Por sot kanë kaluar 72 orë dhe nga zyrat mediatike të Saje dhe Edvin Shullazit nuk ka dalë qoftë dhe një foto apo video e vetme e ndalimit të vrasësit dhe gjobëvënësit, simbolit të fuqisë kriminale të Partisë Siçiliste. Për Edvin Shullazin, arrestimi i diktuar i nënkryetarit të tij për problemet e sigurisë, nuk është as arritje dhe as sukses, por humbja tejet e rëndë e një qendre të çmuar të pushtetit, që paktet nuk i bën me qytetarët, por me kriminelët”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Në një tjetër reagim, Berisha ka dënuar ashpër edhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në lidhje me ndalimin dhe arrestimin e Shullazit. “Ja deklarata që dëshmon tmerrin e Saje qorrit nga arrestimi i bosit të tij, Milit të Partisë. Saje qorrit i kanë cofur morrat. Saja nuk guxon në deklaratën e tij prej 132 fjalësh, të shqiptojë qoftë dhe një herë të vetme emrin apo mbiemrin e bosit të tij të arrestuar. Këtu më poshtë keni deklaratën e plotë të sotme të Saje qorrit”, shkruan Berisha. Deklarata e Tahirit: “Policia kryen arrestime, Saliu me Lulin thonë që ndërkombëtarët paskan urdhëruar Edi Ramën që ta bëjë këtë, pasi po sipas Saliut dhe Lulit ai e përdori të arrestuarin kryesor për të kërcënuar kandidatin për rektor!
Çfarë degradimi moral, politik, logjik! Edi Rama dhe PS nuk kanë ndërhyrë asnjë çast dhe në favor të askujt në garën e zgjedhjeve universitare. Këto që po zhvillohen janë të parat zgjedhje të lira nga ndikimi i qeverisë që janë zhvilluar ndonjëherë në universitete. Ndërsa Policia e Shtetit provoi edhe një herë se nën këtë qeveri s’ka asnjë të mbrojtur nga ligji, asnjë mbi ligjin. Sot na akuzojnë për të njëjtat gjëra që i bënin vetë kur ishin në qeveri. Në këtë vend, për dy dekada, ka vetëm një njeri e një parti që ka nxitur, përkrahur e mbrojtur botën e krimit, e po këta kanë gojë sot të na akuzojnë ne. Prandaj Saliu dhe Luli sot meritojnë vetëm fjalën e urtë popullore: qentë le të lehin karvani ecën përpara”, përfundon Berisha postimin e tij, duke publikuar deklaratën skandaloze të Tahirit në lidhje me arrestimin e Shullazit.

Arben Shahini

Artikulli paraprakRama çoi krimin edhe në Universitet
Artikulli tjetërKërcënimi i Shullazit për Zakën: Ose biznesin ose jetën