Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular. Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrën e agjentëve të BKH.
Xoxa nuk ishte prezente në SPAK, ku u përfaqësua nga avokati Ermir Beta. Përmes mbrojtësit, ajo kundërshtoi vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrolleve, pretendime që nuk u pranuan nga Apeli.Pak ditë më parë Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesat e bëra nga dy familjarët e afërt të Veliajt, bashkëshortja dhe vëllai, për t’i kthyer sendet e sekuestruara gjatë kontrolleve të bëra në ambiente të tyre, apo të personave që kanë lidhje me ta.
Ndërsa pasditen e së hënës Xoxe ishte personalisht në SPAK. Sipas burimeve pranë institucionit, për gati 3 orë me radhë ajo dha shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni, për llogari të një hetimi të SPAK të regjistruar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të funksionarëve të lartë shtetërorë, ose i të zgjedhurve vendorë”.
Referuar vendimit për kontrollet e kundërshtuara, SPAK ka ngritur dyshime se anëtarë të ngushtë të familjes dhe familjarë të tjerë të kryebashkiakut Veliaj kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kane interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë./A2CNN