Puna e papaguar jashtë orarit shkelja më e rëndomtë në Shqipëri

Autore: Lorela Alia | Citizens.al

Ana*, një e diplomuar për Drejtësi nga Elbasani, e gjeti veten duke punuar në një fasoneri italiane, larg pritshmërive të saj profesionale. E shtyrë nga nevoja dhe njohuritë e saj mbi makinën qepëse, ajo vendosi të provojë, por realiteti ishte më i zymtë nga sa priste.

“Pasi dhashë intervistën, më pranuan direkt, por nuk më ofruan kontratë dhe nuk më informuan për asgjë veç rrogës dhe orarit”, tregon Ana.

Me një pagë prej 35,500 lekësh, e cila varej nga norma, ajo kuptoi se duhej të punonte përtej orarit zyrtar për të arritur së plotësuari nevojat që kishte. Ndërkaq, kushtet e punës ishin larg çdo standardi.

“Ambientet ishin të ftohta dhe shumë të pista”, thotë ajo. Si juriste, Ana ishte e njohur me të drejtat e saj sipas Kodit të Punës, por shumica e kolegëve nuk kishin njohuri të tilla.

“Shumica janë të komunitetit rom, i cili është më vulnerabël ndaj këtyre shkeljeve”, thotë ajo, duke treguar për raste aksidentesh të mbuluara me korrupsion.

“Administratori zgjidhte gjithçka duke dhënë para. Shumë kompani të huaja në Elbasan dinë se çdo problem mund të mbyllet me para”, tha më tej.

Por kjo situatë abuzive me oraret dhe kushtet e punës haset edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2023, mesatarja javore e orëve të punës në Shqipëri ishte 42 orë – zyrtarisht me dy orë mbi kufirin ligjor të përcaktuar që është me 40 orë në javë.

Puna në orare të zgjatura vihet re në sektorë si ndërtimi dhe hoteleria ku mesatarja arrin deri në 46.6 orë.

Një anketë e Citizens.al me 61 të pyetur tregoi se 28 prej tyre (45.9%) punojnë mbi 8 orë në ditë, me orare që shkojnë deri në 10 orë pa pagesë shtesë.

Një vajzë nga Tirana, e cila punoi për 3 muaj në një sallon bukurie, tregoi në kushtet e anonimatit se punonte 60 orë në javë për një pagë prej 30 mijë lekësh.

“Më kërkonin të punoja dhe të dielave, por kurrë nuk më paguan orët shtesë”, rrëfen ajo teksa tregon se iu premtua disa herë se do të shpërblehej me rritje page, por duke nisur nga përvoja e gjykoi aspak të realizueshme.

Vajza thotë se përvojë të ngjashme kishin hasur dhe punonjës të tjerë të cilët ishin larguar “për të njëjtat arsye”.

“Orët e gjata, paga e ulët dhe mungesa e pagesës për orët shtesë ishin probleme të vazhdueshm”, shton ajo.

Por edhe në sektorin publik hasen punë abuzive me orë të zgjatura. Një punonjës i burgut të Reçit në Shkodër, duke kërkuar të mbetej anonim, tregoi se punonte deri në 12 orë në ditë për shkak të mungesës së stafit dhe se nuk shpërblehej për orët shtesë sipas Kodit të Punës.

Ai tregoi se përveçse nuk shpërblehej për orët jashtë orarit, ditët e pushimit të fundjavave që ai i kalonte në punë, nuk i kompensoheshin me ditë të tjera më vonë.

“Kemi ngritur ankesa në institucionet përkatëse, por situata nuk ka ndryshuar,” shprehet ai.

Viki Çipi nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH) thotë se puna jashtë orarit është shkelja që cenon më shpesh të drejtat e punonjësve pasi nuk shoqërohet me shpërblim apo kompensim sipas Kodit të Punës.

QO29z sektor t me mbi 8 or pun 1

“Zbatimi i rregullave sipas Kodit të Punës mbetet shpesh i mangët,” thotë Çipi.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është institucioni përgjegjës për të monitoruar dhe ndëshkuar shkeljet në tregun e punës. Citizens iu drejtua për një komënt në lidhje më këtë çështje, por deri në publikimin e shkrimit nuk mori përgjigje.

Ndërsa Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, përafrimi i standardeve të punës me ato të vendeve të BE-së është një pike kyçe.

Por krahasuar me mesataren e BE-së, e cila qëndron në 36.1 orë në javë, Shqipëria ka dallim të thellë. Disa vende si Holanda (32.2 orë), Gjermania (34.0 orë) dhe Belgjika (34.9 orë) ofrojnë një balancë shumë më të mirë midis punës dhe jetës personale, duke siguruar mbrojtje të qëndrueshme për punonjësit e tyre.

Kodi i Punës përcakton qartë që për çdo orë mbi kufirin 40 orësh duhet të paguhet shtesë prej të paktën 25% mbi pagën bazë. Gjithashtu, për punën gjatë ditëve të pushimit apo festave zyrtare, pagesa shtesë duhet të jetë të paktën 50% mbi pagën bazë.

“Punonjësit duhet të shihen si aktorë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, të cilëve u duhet garantuar mbrojtja ligjore dhe kompensimi i drejtë për çdo orë pune të kryer”, thotë Çipi e cila apelon për forcim të inspektimeve të punës dhe nxitjen e njohurive mbi të drejtat e punonjësve.

*Pseudonim për të ruajtur anonimatin e personazhit real.

Artikulli paraprak“Korrupsioni dhe interesat e ngushta rrezikojnë sigurinë ushqimore në Shqipëri”
Artikulli tjetërDhjetëra të vdekur nga rrëzimi i avionit, pasagjerët që arritën të shpëtonin… Detajet nga aksidenti tragjik ajror, 2 fëmijë në mesin e të mbijetuarve