Kongresi i Durrësit, i mbajtur 106 vjet më parë nga data 25-27 dhjetor, pati si qëllim sigurimin e tërësisë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore.
Në këtë Kongres, ku morën pjesë mbi 50 delegatë u vendos për krijimin e një qeverie të përkohshme me 14 anëtarë.
Kongresi vendosi edhe që të formohej një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës dhe për paraqitjen e këtyre kërkesave në Konferencën e Paqes.
Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane.
Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 “Vatrës” të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët.
Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.
Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar./ATA