5 milionë euro taksë për arsimin, shkollat e kryeqytetit pa ngrohje

Dje ka rinisur mësimi pas ndërprerjes dy javore për shkak të të ftohtit, por gjysmat e shkollave në të gjithë vendin nuk janë hapur për shkak të mungesës së ngrohjes. Në Tiranë orët e mësimit janë bërë të shkurtuara për shkak të mungesës së ngrohjes. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u mundua të mashtrojë sërish opinionin publik, duke deklaruar se në shkollat e Tiranës ka sistem ngrohje. Sipas tij, vetëm në dy shkolla mungon ngrohja, por realiteti është krejt ndryshe. Vetë nxënësit e disa shkollave në Tiranë u shprehën para kamerave se mungon ngrohja dhe ata detyrohen të marrin nga shtëpia rezistenca.
Bashkia Tiranë menaxhon gjithsej 191 shkolla publike. Edhe në ato shkolla që kanë sistem ngrohje, në mjaft prej tyre ky sistem nuk është funksional. Askush nuk përgjigjet zyrtarisht nga Bashkia bunker e Veliajt, se pse mungon sistemi i ngrohjes në shkolla, kur qytetarët kanë paguar rregullisht një supertaksë të vendosur nga Veliaj për “infrastrukturën mësimore”. Qytetarët e Tiranës vetëm vitin që lamë pas kanë paguar 5 milionë euro taksë të dedikuar për arsimin. Kjo do mjaftonte t’i bënim të gjitha institucionet arsimore me sistem modern ngrohjeje.  Në vend të ngrohjes Veliaj blen ashensor 180 milionë lekë për të hipur nga kati i parë në katin e dytë të bashkisë.
“Vetëm mashtrime publike dhe video të gatshme për të manipuluar opinionin publik. Mazniku deklaroi para pak ditësh në programin televiziv Wake Up, se nga 70 shkolla vetëm 20 janë pa ngrohje. Ndërkohë që Veliaj si patologjik që është në raport me mashtrimin publik thotë se nga mbi 200 shkolla vetëm dy nuk kanë ngrohje (nuk e di as sa ka si numër se si cilësi as bëhët fjalë, pasi realisht janë 191 shkolla). Si zakonisht nuk harroi të hidhte baltë për paraardhësin. Ndërkohë që mediat vetëm sot kanë konstatuar me dhjetëra shkolla vetëm në territorin e ish-Bashkisë Tiranë pa ngrohje dhe këtë e pohojnë vetë fëmijët para kamerave. A thua gënjejnë fëmijët apo Veliaj?”, shtron pyetjen Nardi Olli, kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës.
Situata e rënduar në shkolla e çerdhe për shkak të mungesës së ngrohjes ka qenë edhe përpara se të vinte i ftohti polar i këtyre ditëve të fundit. Mungesa e ngrohjes në shkolla e çerdhe i ka detyruar mësuesit që në muajin dhjetor që të shkurtojnë orët e mësimit për t’i dërguar nxënësit në shtëpi para kohe për shkak të të ftohtit. Ky shqetësim është ngritur nga mësuesit jo vetëm në Ministrinë e Arsimit, por edhe në Bashkinë e Tiranës, por nuk është marrë asnjë masë nga këto institucione për ngohjen në shkolla e çerdhe.

Probleme në Korçë, Durrës, Elbasan e Vlorë

Në të gjithë vendin rinisja e mësimit pas pushimit dyjavor si pasojë e të ftohtit të acartë, ka ringritur shqetësimin e mungesës së ngrohjes. Në shkollat e rretheve, mungon tërësisht ngrohja, ndërsa në një pjesë të tyre nxënësit i kanë siguruar vetë furnelat me korent, ndërsa në një pjesë nuk është zhvilluar mësim fare.
Në disa shkolla të Korçës mësimi u ndërpre sërish ditën e djeshme. Shkak është bërë i ftohti dhe mungesa e ngrohjes. Bëhet e ditur se në shkollat 9-vjeçare “Sotir Gurra” dhe “Naim Frashëri” mësimi u ndërpre. Në disa shkolla të tjera është zhvilluar me orë të shkurtuara.
Në Durrës, pjesa më e madhe e shkollave kanë mungesë ngrohje, ndërkohë që nxënësit pohojnë se i ftohti në klasë ndikon në cilësinë e mësimdhënies. Në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij, vetëm dy shkolla janë të pajisura me sistem ngrohës, shkolla “Bajram Curri” dhe Mjeshtëria Sportive.
Edhe në Vlorë, ndonëse në disa shkolla kanë kontribuar vetë prindërit dhe nxënësit për të blerë ngrohëse, kjo nuk ka mjaftuar për të zgjidhur problemin. Nxënësit thonë se, në klasa rrinë të veshur trashë dhe mbajnë doreza. Ndërsa në zonat e thella shkollat nuk janë çelur për shkak të të ftohtit të madh.
Në Elbasan përveç të ftohtit, në dy kopshte ka probleme dhe me tubacionet, të cilat janë çarë nga ngricat. Në gjimnazin “Dhaskal Todri”, ndonëse ka probleme me ngrohjen, mësimi vijoi me orë të shkurtuara. Probleme më të mëdha u hasën në shkollat e rrethit të Librazhdit, ku asnjë shkollë nuk ka sistem ngrohje. Në zonat e thella nuk është zhvilluar mësimi për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës.
Edhe pse dje ishte parashikuar që të fillonte mësimi, në fshtatin Picar të Gjirokastrës, nxënësit e shkollës nuk kanë mundur të zhvillojnë normalisht mësimin. Shkak është bërë moti i keq, me rrugë të bllokuara dhe ngrica, dhe furgoni i mësuesve nuk ka shkuar në fshat. Rruga në këtë fshat vijon të jetë ende e bllokuar për shkak të ngricave dhe reshjeve të dëborës.
Fillimi i proçesit mësimor i ka gjetur shkollat e qytetit të Lezhës të ftohta. Nga një vëzhgim i bërë, rezulton se në pjesën më të madhe të tyre mungon ngrohja, pasi kaldajat janë jashtë funksioni dhe atje ku funksionojnë mungon karburanti. Në këto kushte nxënësit janë detyruar që të sigurojnë vetë rezistenca për t’u ngrohur.
Në Shkollën Profesionale “Kolin Gjoka”, karburanti është siguruar nga vetë shkolla, por drejtori i këtij institucioni, Bardh Dedgjonaj, thotë se kjo është e pamundur për ditët në vijim, duke i bërë thirrje Bashkisë që të ndërhyjë.
Në Fier, Bashkia pohon se pothuajse në të gjitha kopshtet dhe shkollat e qytetit janë siguruar soba me dru ose ngrohës. Sipas Bashkisë, sobat janë të reja e furnizimi me lëndë drusore është bërë vetëm për muajin janar.
Në Kukës, Bashkia dhe Drejtoria Rajonale e Arsimit, ka bërë verifikimin dhe furnizimin me dru zjarri e lënde djegëse për shkollat, kopshtet e çerdhet në territorin që ajo mbulon, ndërkohë që në disa fshatra mësimi u zhvillua me orë të reduktuara.

R.POLISI

Artikulli paraprakRritet bilinaci, 12 viktima nga i ftohti, vdes i pastrehi në Korçë
Artikulli tjetërBugajski: Rusia dhe Serbia po projektojnë trazira në Ballkan