Vetëm një “JO” plebishitare për kastën e vjetër politike, është shpëtimi ynë

Nga Prel Dedaj

Edhe nëqoftëse gjëndesh mirë ekonomikisht, kurrësesi një dhe i huaj, atdhe nuk të bëhet. Është pikërisht ky fakt, që njëlloj si unë edhe shumica absolute e shqiptarëve emigrantë kudo janë në vëndet perendimore, ani pse të integruar e disi komodë nga pikëpamja ekonomike, gjysmën e mëndjes vazhdimisht e kemi tek vëndlindja.

Do ishte zgjatje pa vënd, pasqyrimi i kronikës së ngjarjeve në këto 34 vite postdiktaturë në vëndin tonë , pasi ato që do të thuheshin, tashmë janë gjëra që dihen nga të gjithë.

Por ajo që duhet shtruar për diskutim e analizë, që është kërcënim serioz për të tashmen dhe të ardhmen tonë, mendoj se është zhbërja dhe tjetërsimi i shoqërisë shqiptare, në një trajtë krejt ndryshe nga modeli i vëndeve me demokraci institucionale, ku qytetarët gëzojnë të drejta e liri të mbrojtura me ligj, si dhe mundësi reale për të siguruar të ardhura për një jetë normale e dinjitoze.

Në vitin 1990 u ngritëm kundër diktaturës për një shoqëri pa klasa, ndarë në të deklasuar e të besuar të partisë, për të drejta e liri njerëzore një lloj për të gjithë siç i gëzonin të gjith popujt e vendeve perëndimore.

Realisht, në vënd të deklasuarëve të kohës diktaturës, që për hirë të së vërtetës nuk ishim shumicë, sot kemi masën qytetare shumicë e tejvarfëruar, me pa mundësi për të jetuar, skllevër të kastës politike që pushtetin e konsideron të drejtë të përjetëshme të saj.

I vetmi ndryshim me periudhën e rregjimit komunist, është mungesa burgjeve politike. Është tejet e rëndë kur përballemi me gjëndjen e vështirë ekonomike të njerëzve tanë në atdhe, plot 34 vite mbas rënies së rregjimit komunist, gjë që bën që të vetmit në Europë që emigrojnë e jetojnë pothuajse vetëm me të ardhurat që iu vijnë nga emigracioni, janë shqipëtarët.

Për polakët, sllovakët, çekët, moldavët, kroatët, letonezët, estonezët, hungarezët, bullgarët, madje edhe boshnjakët, serbët e rumunët, emigracioni është vetëm një kujtim i së shkuarës. Vetëm politikanët e tarafi i tyre, gjënden komodë dhe as iu bie ndërmend se ekziston emigracioni, përpos tani që iu duhen votat e tyre, për të vazhduar sundimin mbi shqipëtarët.

Kjo ikje, e stimuluar nga babzia e dy klaneve të interesit me emra të ndryshëm, që nuk kanë asnjë ndryshim mes tyre, që qeverisën me turne 8 e 12 vjeçarë në këto 34 vite, solli boshatisjen e vëndin nga shqipëtarët, kryesisht të energjive njerëzore siç janë të rinjtë, duke pamundësuar në maksimum zhvillimin e prodhimit vëndas, pasi dihet se aty ku nuk ka kush konsumon, nuk ka interes as të prodhohet edhe sikur krahu i punës të jetë prezent.

Për pasojë në tregun e brendëshëm sundojnë mallrat e importit, shumë syresh me çmim dy e tre fish më të lartë se në vëndet nga vijnë, të cilat nuk i nënshtrohen asnjë lloj kontrolli dhe në të shumtën e rasteve përtej afatit për tu konsumuar.

Pensionistët mëshirohen me “lëmoshë” nga lideri “global” Edi Rama, me bonuse në prag zgjedhjesh, për të blerë votën e tyre, që të sigurohet me çdo kusht mbajtja e pushtetit, kur pensionet i kanë qesharake ose më saktë pensioni minimal është i barabartë e me vlerën sa kushton parfumi që harxhon në një ditë kryetarja e parlamentit apo minstresha e arsimit etj, etj.

Qeveria, siç tashmë ka dalur hapur, komandohet nga krimi, vjedhja detyrë mbi detyrat, ndërsa kryeministri tregon përralla me BE. E ashtuquajtura opozitë tregon muskujt në parlament, për të bindur popullin që të vazhdojë të qëndrojë ndën gërshërët e zabitëve profesionistë në vjedhje, vrasje e tradhti ndaj interesave publike të shqipëtarëve.

Pa diskutim janë meritat e kësaj kaste politike që sillet si pronare e detit dhe tokës, që vëndi ynë nga 3.5 miljonë në vitin 1990, në vitin 2024 nuk i ka as dy miljonë qytetarë që jetojnë brënda teritorit tij, kur së pakti sot numri i popullsisë duhej të ishte mbi 5 miljonë.

Ajo që nuk gjenë fjalë për tu shpjeguar, është e vërteta e hidhur se shkaktarët e këtij mjerimi qytetar, po përdorin të gjitha marifetet që të vazhdojnë pengmarrjen e zhvillimit, pa u proekupuar se Shqiperia çdo ditë e më tepër po shndërrohet në log i përkohëshëm për filipinasit, bangladeshësit, etj nga Azia. Do isha i verbër në se nuk do shikoja edhe arritjet e shënuara gjatë këtyre 34 viteve të fundit, kryesisht në infrastrukturë, turizëm dhe ndërtim, ku pa hyrë në brendi të këtyre tre sektorëve, duhet pohuar se meritojnë komplimente.

Por, pavarësisht nga propaganda që i paraqet këto arritje si suksese madhështore, pa as më të voglin dyshim se po gabohem, them se këta sektorë prodhojnë pasuri per një grusht personash, por jo edhe mirqënie.

Mungesa e shtetit ligjor, ortakëria e qeveritarëve me të fortët e lagjes, lënia jasht vëmendjes e sektorit prodhues, kundërvënia dhe nënshtrimi me çdo mjet i organeve të drejtësisë para politikanëve, dihet se është një praktikë e mirëmenduar nga liderët që perfaqsojnë dy grupet e interesit, me objekt pasurimin pa cak të kastës politike dhe kriminelëve të lidhur me të, por mirqënie qytetare, liri e të drejta dhe integrim në bashkësinë e demokracive perendimore, nuk do sjellin as në 2030-ën , sipas barcoletave të Edi Ramës, as në vitet e më pastajme. Aktualisht, kasta politike me dy emra, është shëndruar në bllokmenë, kësaj here jo e rrethuar me mure 5 metra të lartë e truproja me ushtarë, por me resorte të pa numërta, supervila, ku një banjo e kanë edhe macet e tyre, llogari bankare të fshehura në bankat jasht vëndit, pasuri e prona marramëndëse në emër të tretëve si shoferë, vjehrra, kunetër, baxhanakë e individë të besuar.

Kjo gjëndje anormaliteti, e pa njohur në ndonjë vënd tjetër në 50 vitet e fundit, nuk është rastësi as shpikje e Edi Ramës gjatë qeverisjes tij 12 -vjeçare. Por është produkt i një programi të pasaqëm, përgatitur në odat sekrete të PPSH-së, për të mos lejuar ndërtimin e një shoqërie të lirë demokratike në vëndin tonë.

Nuk është aspak rastësi, që në vitin 2008 dy “gjeneralët” e politikës shqipëtare Rama e Berisha, për të “mirën” tonë, ulën armët, hoqën gjoksoret dhe iu drejtuan tavolinës së bisedimeve, ku ndryshuan kushtetutën, duke ia hequr qytetarëve të drejtën për ti zgjedhur vetë përfaqsuesit e tij, por vetëm duhej të votonin ata që do ua caktonin kryetarët e partive.

Gjithashtu, në mes flakëve të “luftës” opzitë-pozitë me 27 korrik 2024, sërish e gjetën gjuhën e përbashkët për ta përkeqsuar me tej kodin zgjedhor, ku bashkërisht votuan mbylljen e listave, duke krijuar premisa të mjaftueshme që parlamenti i ardhëshëm të vazhdojë të kontrollohet po nga këto dy grupe interesi, pasi për ti quajtur politike nuk ka ma kuptim.

Është e kuptueshme edhe nga nxënësit e klasave fillore se kjo manovër ka si objektiv që Edi Rama të mbetet në krye të një shumice qeveriformuese, ndërsa Berisha të vijojë në opozitë me melodinë e tij të kaherëshme të vjedhjes së votave.

Nuk perbën ndonjë të pa pritur as qëndrimi gjykatës kushtetuse, kur dihet se në çdo istitucion të shtetit në këto 34 vite janë emruar individë që përmbushnin kriterin e besnikrisë ndaj shefave të partive ose ish bashkëpuntorë të fshehtë të sigurimit të diktaturës komuniste, jo intelektualë të devotëshëm për ti sherbyer popullit e atdheut.

Edhe më miopët e dallojnë mjaftë qartë bashkërendimin dhe bashkëpunimin e koduar midis dy grupeve “kundërshtare”. Legjenda e “demokratëve” nuk ndalet në sulmet e tij kundër SPAK. Ndërsa Ndoc Rroku i reformës në drejtësi, kryeministri Rama, ban krahmarrje me komision parlamentar anti SPAK, i quajtur komisioni Xhafa.

Edhe kur vërehet ndonjë rritje e mbështetjes qytetare ndaj subjekteve të reja politike, në sinkron me njëri tjetrin, të dy klanet iu lëshojnë shigjeta asgjesuese, për ti deskretituar, ironizuar e ngushtuar çdo hapasirë, që të shmangin rrezikun e humbjes së dominacës këta dy baballarëve të politikbërjes në Shqipëri, Rama e Berisha.

Është normal ky bashkpunim mes tyre, për të mos toleruar asnjë inisiativë politike të re, që ka obsion ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve dhe që ofron kontratë me qytetarët për zhvillim e mirqënie, sundim të ligjit, dhe ndalim të boshatisjes së vëndit.

Të ndodhë që këta të rinjë të bëhen qeverisës të vëndit, do thotë fund i mafjes 34 vjeçare që kanë operuar pa ndalur në dëm të qytetarëve, por që kanë grumbulluar pasuri marramëndëse në kurriz të një populli të vogël si i yni, që është për ti patur zili edhe të pasur të vëndeve të mëdha qindra milionëshe. Do ishte njerëzore dhe patriotike, që patronazhistët të thellohen, e të mos nëhem skllevër të interesave të vockla personale në dëm të vëllezërve e motrave të tyre shqipëtarë, që po robtohen për një jetësë ndën minimumin jetik të vëndeve europiane e atyre të rajonit, e të mos i kryejnë mirë detyrat e shtëpisë të dhëna nga dy grupet mafioze, kësaj here.

Gjithësesi kjo është lutje dhe mbetet në nderin e tyre të tregohen ose jo humanë e patriotë ndaj popullit e atdheut tyre. Por zakonisht ndryshimi dhe sukseset nuk vijnë me lutje as dhuratë nga ata që të kanë nëpërkëmbur e poshtruar. Permbysja e një gjëndje të pa dëshiruar arrihet vetëm me aksion politik dhe guxim.

Mendoj se është moment kyq për të ardhmen tonë, të kuptojmë, ndonëse vonë, që të pabesëve mos t’iu japim besë kësaj radhe.

Bazuar në gjithë sa u tha deri këtu, për të qenë realist, suksesi është shumë i vështirë, por jo i pa mundur. Perfaqësuesit e subjekteve të reja politike, duhet të zbresin në terren, jo për të bllokuar qarkullimin e mjeteve a goditur policët, por për të bashkëbiseduar me qytetarët, duke trokitur në çdo derë, që njerëzit të braktisin tuten, binden e besojnë tek ndryshimi.

Ata që sollën këtë gjëndje, jo vetëm që nuk meritojnë të riciklohen si qeverisës të këtij vëndi, por me gojën plot duhen urryer e denoncuar. Nëqoftëse do gabojmë edhe kësaj radhe, e keqja mund të bëhet e pa riparueshme, dhe do arrijmë deri në aty sa të themi, ishim më mirë kur ishim keq. Një “JO” plebishitare e shqipëtarëve brënda e jashtë vëndit për mafjen politike me dy emra, është e vetmja zgjidhje e nyjes ku ka ngecur vëndi ynë, i cili pa asnjë arsye bindëse mbeti gjithnjë i fundit në Europë, siç ishte edhe në vitin 1990.

Artikulli paraprakPushteti absolut, politikanët shqiptarë dhe kaleidoskopi
Artikulli tjetër“Më telefonoi Plarenti e desht me më taku”- SMS-të që “tradhtuan” deputetin e PS-së, BIRN: Afera në paradhomën e Sandër Lleshaj! SPAK zbardh abuzimet me godinat e Policisë! Lidhjet me Gjon Radovanin