Në Kosovë, puna i sjell bashkë disa serbë e shqiptarë

Nga Bubulina Peni

Çdo ditë, 58-vjeçari Mentor Gashi udhëton nga Prishtina drejt fshatit Llapllasella/Laplje Selo, rreth pesë kilometra larg nga qyteza e Graçanicës.

Mentori, i cili është pronari i Strehës për Qentë në Prishtinë, atje nis ditën e tij të punës, siç ka bërë për 12 vite radhazi.

Ndërsa Mentori drejton furgonin e tij drejt pronës prej 60 hektarësh, qentë e mbajtur në kafaze lehin dhe tundin bishtat. Qentë që lëvizin lirshëm jashtë i afrohen me shpejtësi, duke kërkuar dashuri dhe përkujdesje.

Në strehë, Mentori dhe dy bashkëpunëtorë të tij fillojnë ditën duke larë qentë, duke u rifreskuar ujin e pijshëm, duke i ushqyer dhe duke i nxjerrë për shëtitje.

“Selam Alejkum, Slavisa! Hajde, kemi një intervistë!” – thotë Mentori duke bërë shaka me kolegun e tij serb, Slavisa Stojanovic, i cili ka punuar me të gjatë gjithë këtyre 12 viteve.

Teksa Slavisa përshëndet Mentorin, biseda e tyre për rrjedhën e detyrave dhe planet e ditës zhvillohet kryesisht në serbisht.

Streha mban mes 45 deri në 50 qen. Një ditë e zakonshme përfshin kapjen e qenve endacakë, sterilizimin dhe vaksinimin e tyre, hartimin e dokumentacionit të adoptimit për qentë që gjejnë pronarë të rinj dhe shpëtimin e qenve nga situata emergjente, si ato të goditura nga makina ose që vuajnë nga sëmundje, si rënia e qimeve.

Dashuria e Mentor Gashit për qentë filloi në fëmijëri, por në vitin 2012 ai nisi të kujdesej për qentë endacakë, pa e ditur se shpejt do të niste një bashkëpunim me Slavisa, një anëtar i komunitetit serb të Kosovës.

Marrëdhënia e tyre është e pazakontë në Kosovë, ku dy komunitetet kanë krijuar një hendek nga njëri-tjetri me kalimin e viteve, veçanërisht pas luftës së fundit të viteve 1990, që shkaktoi mbi 13,500 viktima, përfshirë 10,800 shqiptarë, 2,200 serbë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.

Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës me tërheqjen e trupave jugosllave dhe forcave policore serbe, tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës vazhdojnë dhe herë pas here shpërthejnë në dhunë. Por këto ndasi nuk e kanë tronditur lidhjen mes Mentorit dhe Slavisas.

Marrëdhënia e tyre nisi kur Slavisa, tashmë 60 vjeç, mbeti pa punë dhe në borxhe pasi u largua nga puna si roje burgu në Lipjan/Lipljan në vitin 2009.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, autoritetet në Beograd u kërkuan Slavisës dhe punonjësve të tjerë serbë të largoheshin nga institucionet publike të Kosovës, duke premtuar se do të merrnin të njëjtat paga si më parë. Por pagesa doli të ishte më e ulët se sa pritej.

“Isha pa punë dhe kisha dy ose tre kredi… kështu që qëndrova në shtëpi. Si i papunë, bleva dy ose tre lepuj dhe i vura në një kafaz. Pak më vonë, Mentori hapi strehën dhe mori rreth dhjetë deri në 15 qen,” kujton ai.

Por një natë qentë u arratisën nga streha dhe njëri prej tyre vrau lepujt e Slavisa-s, të cilët ishin në një kafaz pas shtëpisë së tij.

Ai kujton se shkoi në strehë dhe i tha Mentorit: “Hej, drejtor, shiko lepujt! Ku do t’i gjej tani paratë? Nuk kam asnjë lek.”

“Mentori më pyeti: ‘A do të punosh?’ Unë thashë: ‘Po.’ Dhe të nesërmen fillova punën,” vazhdon Slavisa në një shqipe paksa të thyer.

“Kam njohur shqipen që nga fëmijëria dhe më vonë e përmirësova duke punuar në transportin publik dhe në burgun e Lipjanit – dhe tani këtu [në strehë],” shpjegon ai.

Gjatë dy dekadave të punës në transportin publik, Slavisa kujton se ishte i rrethuar nga shqiptarë me të cilët kishte marrëdhënie të mira. “Unë shoh vetëm njerëz të mirë dhe njerëz të këqij, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo serbë. Të gjithë janë njësoj,” thotë ai.

Politika krijon probleme

Komuna qendrore e Kosovës, Graçanica, strehon një popullsie etnikisht të përzier. Shumica janë serbë, por përfshihen gjithashtu shqiptarë dhe komunitete të tjera.

Slavisa beson se koha ka sjellë përmirësime dhe se tensionet që trazojnë pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe nuk ndikojnë në jetën në Graçanicë. Ai thotë se politika është ajo që shkakton shumicën e problemeve dhe ndarjeve.

“Do t’i kisha kërkuar Albin Kurtit të mos ushtrojë shumë presion mbi ne, sepse edhe ne [serbët] jetojmë këtu,” thotë Slavisa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u ankuar për ndalimin e përdorimit të mëtejshëm të dinarit serb. Përpara një vendimi të qeverisë këtë vit, shumë serbë në Kosovë e përdornin këtë monedhë për pagesa, megjithëse monedha zyrtare e vendit është euroja.

Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga serbët e Kosovës dhe qeveria serbe, ndërsa SHBA dhe BE shprehën shqetësim se ndalimi i dinarit mund të rrisë tensionet.

Përveç përdorimit të dinarit serb për pagesa, shumë serbë të Kosovës marrin pagat, pensionet, shtesat për fëmijët dhe përfitime të tjera nga shteti serb në këtë monedhë.

Megjithatë, pavarësisht tensioneve aktuale dhe historike, miqësia mes Mentorit dhe Slavisës mbijeton, e shënuar nga humori, sarkazma dhe ngacmimet e miqësore.

Mentori thotë se ata respektojnë festat e njëri-tjetrit dhe mbështesin njëri-tjetrin në kohë të vështira. “Kur kemi ndonjë problem shëndetësor, ndihmojmë njëri-tjetrin,” thotë ai, duke përmendur incidente si kafshimet nga qentë ose lëndime gjatë punës.

“Do ta çoj menjëherë Slavisën në spital, dhe ai gjithashtu do të më çojë mua. Qëndroj me të. Kur njëri prej nesh është i sëmurë, tjetri punon më shumë,” shton ai.

Mentori pranon se kishte dyshime për zgjedhjen e Graçanicës si vend për strehën, por shton: “Doli të ishte një zgjedhje e mirë, veçanërisht pasi takova Slavisën.”

Ai thotë se ndonjëherë marrin komente armiqësore në rrjetet sociale pasi dëgjohen duke folur serbisht gjatë punës, me disa që kërkojnë: “Pse nuk po flisni shqip?” Por ai i konsideron këto komente të parëndësishme.

“Një person duhet të jetë mendjehapur, të eksplorojë, të vëzhgojë dhe të mos gjykojë sepse kurrë nuk e di çfarë ka dikush brenda vetes. Paragjykime ekzistojnë, pa dyshim – por në rastin tim me Slavisën, ka funksionuar mirë,” përfundon ai.

Gjuhët japin dhe marrin në treg

Më pak se 10 minuta me makinë nga fshati, në qytetin e Graçanicës, rreth 15 tregtarë serbë ndajnë të njëjtin treg me shqiptarët, duke bashkëpunuar për të përmbushur detyrat, për të rritur shitjet dhe për të fituar besnikërinë e klientëve.

Në treg fliten si shqip, ashtu edhe serbisht. Një përzierje gjuhësh dëgjohet gjatë pagesave, ose nga njerëz që kërkojnë udhëzime apo ndihmë.

“Dritan” – emri i tij është ndryshuar për privatësi – është një shqiptar që prej dhjetë vitesh kujdeset për sigurinë në treg. Nga Dukagjini në jugperëndim të Kosovës, ai tani jeton në fshatin Uglar, afër Graçanicës, për arsye pune.

Dhjetë vite më parë, ai dyshonte nëse mund të përshtatej, ose nëse ia vlente të punonte në një komunë etnikisht të përzier, duke pasur njohuri të kufizuara për komunitetin serb.

“Pas rreth një muaji ndryshova mendje sepse po punoja me kolegët e mi serbë pa asnjë problem,” shpjegon ai, duke shtuar se komentet armiqësore vijnë vetëm nga klientët.

“Ata kanë provuar të më provokojnë dhe të më nxisin të hapem, t’i urrej ose të sillem keq ndaj tyre. Por unë sigurohem që ta menaxhoj situatën dhe të shmang telashet,” thotë ai.

Dritani pranon se ndonjëherë shpërthejnë fjalë të ashpra mes kolegëve shqiptarë dhe serbë.

“Diskutojmë shumë, por kurrë nuk kemi telashe. Ka një mirëkuptim të ndërsjellë… kolegët e mi serbë thonë se politikanët na ndajnë për përfitime personale, megjithëse ne duam të jetojmë bashkë pa probleme,” shton ai.

Kolegu serb i Dritanit, “Zoran” – edhe emri i tij është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tij – ka punuar me të për tetë vite. Ai thotë se nuk ka probleme me shqiptarët, por pranon se disa klientë nuk ndajnë të njëjtin mendim.

“Nuk kam pasur probleme me kolegët, por me klientët, po. Më kanë pyetur: ‘Pse po flet serbisht dhe jo shqip?’” kujton ai. Dritani e përkthen përgjigjen e tij në shqip.

Por Zoran ndihet rehat në mjedisin e tij të punës. “Shumë serbë po punojnë në këtë treg dhe besoj se më shumë do të vijnë. Kam thënë shpesh herë të tjerëve (serbë) se nuk kemi asnjë problem dhe shkojmë shumë mirë,” përfundon ai.

Bjeshka Guri nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, një OJQ, beson se bashkëpunimi i tillë mes shqiptarëve dhe serbëve është çelësi për një të ardhme më të mirë dhe një paqe të qëndrueshme.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, në vend funksionojnë dy sisteme arsimore etnike të ndara. Sistemi serb përdor kurrikulën shtetërore të Serbisë, gjë që Guri e sheh si një faktor kyç në thellimin e ndarjeve në Kosovë.

“Komuniteti serb në Kosovë edukohen sipas kurrikulës së Serbisë, e cila e anashkalon luftën, krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe dhunën e përdorur kundër shqiptarëve gjatë regjimit të [Presidentit Jugosllav Slobodan] Millosheviçit,” thotë ajo.

Guri gjithashtu vëren probleme me tekstet shqiptare. Ajo thekson se ato fokusohen në statistika, duke injoruar aspekte të rëndësishme, si roli dhe kontributi i grave. Ajo beson se arsimi joformal mund të luajë një rol jetik në promovimin e bashkëpunimit më të madh.

Kosova dhe Serbia nisën bisedimet e ndërmjetësuara nga BE për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011 – një proces i gjatë dhe i ndërlikuar që ka ngecur shpesh për shkak të tensioneve dhe është larg përfundimit.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Guri, thotë se gjuha ndarëse që vazhdon të përdoret nga politikanët e të dyja vendeve është shqetësuese, ashtu si dhe mohimi i krimeve të luftës të kryera nga trupat jugosllave dhe policia serbe.

“E shohim këtë në përvjetorin e masakrës në Reçak [një fshat ku u vranë 45 shqiptarë të Kosovës nga forcat e sigurisë serbe në janar 1999]. Politikanët në Serbi mohojnë masakrën dhe të gjitha krimet e tjera. Ekziston një kulturë e heshtjes për krimet dhe dhunën e kryer nga regjimi serb në Kosovë,” pohon ajo.

“Armiqësia e promovuar nga politikanët, tensionet e vazhdueshme dhe presionet në konfliktin tonë ndikojnë shumë në atmosferën e polarizuar që ekziston këtu,” shton ajo.

Ajo dëshiron që personat që punojnë në institucionet shtetërore në Kosovë të veprojnë me më shumë ndjeshmëri.

“Roli i institucioneve është i rëndësishëm sepse ata në pushtet ndikojnë shumë në diskursin dhe narrativën dominuese në Kosovë, si dhe në [thellimin e] margjinalizimit të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera, si romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe boshnjakët,” argumenton ajo.

‘Secili ka mënyrën e vet’

Në qytetin me shumicë serbe të Mitrovicës së Veriut, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme, grupe të ndryshme etnike jetojnë dhe ndërveprojnë çdo ditë, si konsumatorë dhe si bashkëpunëtorë.

“Lazar” – jo emri i tij i vërtetë – një serb i lindur dhe rritur në këtë qytet, ka punuar për një punëdhënës shqiptar që para luftës.

Tani punon në një dyqan perimesh në të ashtuquajturën mëhalla boshnjake dhe përdor disa gjuhë në punë, herë duke përdorur serbishten dhe herë shqipen, në varësi të nevojave të klientëve.

“E mësova shqipen sepse kam jetuar këtu dhe kemi qenë të përzier me shqiptarët,” kujton ai, shpesh duke ndërprerë intervistën për shkak të rrjedhës së ngarkuar të klientëve.

Kjo rutinë e shpejtë është bërë pjesë e jetës së tij të përditshme dhe ai nuk sheh asnjë problem në ndërveprimin me shqiptarët. “Është njësoj, të punosh me serbë apo shqiptarë,” këmbëngul ai. “Për mua nuk është problem,” insiston.

Por, kur pyetet nëse do t’i inkurajonte serbët e tjerë të punonin në një mjedis me përzierje etnike, ai përgjigjet me kujdes.

“Do t’u thosha [se është në rregull], por nëse do të më dëgjonin apo jo, nuk e di. Secili ka mënyrën e vet,” përgjigjet ai, duke nxituar për të përfunduar detyrat e tij.

 

Ky artikull u financua nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal SMART Ballkanet – Shoqëri Civile për Shoqëri të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor, i zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).**

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendrës për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (CRPM) ose Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Artikulli paraprakViti i SKY ECC: Shqipëria zbuloi përmasat e krimit të organizuar në 2024
Artikulli tjetërMinistra, deputetë, ish-presidentë e ish-kryeministra, kush janë 60 emrat VIP që kanë ngjitur shkallët e SPAK?!