Milani, pa Romagnolin ndaj Napolit

Përmbysja e bukur në fushën e Torinos me Milanin që pas diçka më shumë se 30 minutave lojë mund ta kishte parë veten në disavantazhin e 3 golave, gjithsesi u ka kushtuar rëndë kuqezinjve. Ajo penallti e pritur nga Donaruma ndaj Ljajiç, që i hapi rrugën një barazimi 2-2 të sigluar nga golat e Bertolaccit dhe Baccës, ka patur një kosto jo të vogël. Nga sfida me Torinon edhe pse mori një pikë, Milani doli goxha i dëmtuar për vetë faktin se kuqezinjtë në këtë ndeshje humbën shërbimet e dy lojtarëve shumë të rëndësishëm. Dy talentet e reja italiane të Milanit mbrojtësi Alessio Romagnoli dhe mesfushori Manuel Locatelli u ndëshkuan me kartonë në sfidën ndaj skuadrës Granata, duke humbur kështu superpërballjen me Napolin që do të luhet këtë të shtunë.
Për trajnerin Montella kanë filluar që tani dhembjet e kokës pasi ndeshja ndaj Napolit mund të përcaktojë shumë përsa i përket garës për vendin e 3-të në Serinë A, pozicion që të kualifikon në Champions League. Loccatelli në minutën 25-të të ndeshjes u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Tagliavento, duke plotësuar numrin e 5 të tillëve, që do të thotë një ndeshje skualifikim, ndërkohë që Romagnoli dy minuta përpara fundit u largua nga fusha pas protestave të shumta me karton të kuq. Ndaj Napolit, Montella duhet t’i bëjë llogaritë pa këta dy lojtarë dhe trajnerit të Milanit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të aktivizojë, paraguaianin Gustavo Gomez përkrah Palletës në qendër të mbrojtjes dhe Sosën në kabinën e regjisë. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme, numri 1 i stolit të kuqezinjve duhet të dijë të menaxhojë edhe situatën e Niang, i cili po kalon një moment shumë të dobët forme.
Milan realizoi një përmbysje spektakolare në Torino duke barazuar 2-2 një ndeshje që dukej praktikisht e humbur për kuqezinjtë. Skuadra e Montellës bëri një pjesë të dytë fantastike duke bërë të pavlefshme epërsinë e dyfishtë të Torinos në pjesën e parë. Vendasit, u duk sikur u hakmorën për eliminimin në Kupë duke krijuar një avantazh të shpejtë, me Belottin që gjeti golin pas vetëm 21 minutash lojë.
Nuk kaloi shumë dhe Benassi në të 26-tën dyfishoi shifrat duke e bërë Milanin të dukej shumë i vogël përballë Granatave. Episodi që vendosi ndeshjen ishte ai i minutës së 32-të kur Donaruma priti një 11-metërsh të Ljajiç, duke mos e lejuar këtë të fundit të shënonte golin e 3-0. Në pjesën e dytë Milani pati meritën se besoi te një përmbysje e mundshme dhe goli i Bertolaccit në të 55-tën ja rriti edhe më tepër këtë besim kuqezinjve. 5 minuta më pas, Milani fitoi dhe një 11-metërsh, të cilin Bacca nuk e shpërdoroi duke barazuar gjithçka.

Artikulli paraprak“Çmenduri” për Mesin
Artikulli tjetërKavani pranë rinovimit me PSG