Mediat gjermane shkruanin dje për tendosjet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të trenit. Vuçiçi po tregon disa fytyra… Gazetari i të përditshmes “Frankfurter allgeimeine Zeitung”, Michael Martens shkruan për “Dramën hekurudhore në Kosovë”, me fjalët se, “disa trena e arrijnë qëllimin e vet edhe pa arritur në destinacionin e parashikuar”. Pas incidentit me trenin, në Beograd po dëgjohen klithje lufte. “Presidenti i shtetit, Tomislav Nikoliç ka kërcënur me dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Dërgimi i trupave speciale në kufi nga ana e qeverisë së Kosovës është një shenjë se shqiptarët duan luftë, tha ai. Por në Serbi ekziston vetëm një politikan, i cili e respekton Nikoliçin – vetë Nikoliçi! Serbët janë mësuar ndërkohë që deklaratat e presidentit të tyre t’i shohin si një kohë e keqe kur ke dhembje barku. Por në këtë çështje është i përzier edhe Vuçiçi, i cili vendos për të gjitha gjërat në Beograd. Ai e ka ndalur trenin e nacionalizmit serb dhe e ka kthyer në Beograd, por i ka kërcënuar shqiptarët me paralajmërimet e fundit”.
“Vuçiçi ka marrë vesh se shqiptarët gjoja kanë vendosur lëndë shpërthyese në hekurudhë. Eksplozivi nuk është gjetur, por paralajmërimi ka dhënë efektet e veta. Vuçiçi u tregua si një lider që kujdeset për deeskalimin e gjendjes. Por pushteti i Vuçiçit funksionon ndryshe. Vuçiçi ka dy fytyra: ekziston një version i tregimit për trenin për bashkësinë ndërkombëtare, ku ai paraqitet si politikan pragmatik, që vërtet edhe di të jetë. Por ekziston edhe Vuçiçi tjetër, për përdorimin e brendshëm, ku politikën e interpreton në një formë permanente nacionaliste”.
Autori i tekstit në “FAZ” rikujton se, linja hekurudhore mes Serbisë dhe Kosovës është hapur kaherë. Në këtë linjë qarkullojnë normalisht trenat dhe nuk janë ndalur kurrë nga Policia e Kosovës. Një tren normal nuk do të binte në sy fare, por ky i tanishmi po. Gazeta “Danas” e ka quajtur këtë incident si një farsë që ta kujton kohën e pushtetit të Millosheviçit. Kaq larg ndoshta nuk duhet shkuar, por ky veprim i Vuçiçit nuk ishte i mirë”.
Ende nuk ka paqe të qëndrueshme
Kryeredaktori i portalit “Telepolis”, Florian Rechler shkruan: “Jo vetëm Afganistani, Iraku, Libia dhe Siria janë vende në të cilat ende ka luftë edhe pas ndërhyrjeve ushtarake. Për suksesin e ndërhyjreve ushtarake pas Luftës së Ftohtë, të cilat shpesh quhen ndërhyrje humanitare, mund të flitet edhe me rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në vitin 1999. Në këtë luftë për herë të parë kanë marrë pjesë edhe trupat gjermane, pas Luftës së Dytë Botërore”.
“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Rudolf Scharping, ministri i Jashtëm, Joscha Fisher asokohe thoshte se Jugosllavia me presidentin Sllobodan Millosheviç ka përgatitur spastrime etnike në Kosovë. Ata flisnin për planin ‘Patkoi’, ekzistenca e të cilit mund të dëshmohet vështirë, si dhe për masakrën e Reçakut… […] NATO e ka mbështetur njësinë paramilitare UÇK. UÇK ishte si një trupë tokësore që ka mbështetur bombardimet nga ajri. Bombardimeve të NATO-s u kanë paraprirë luftimet mes UÇK dhe ushtrisë jugosllave. UÇK ka larguar me dhunë nga Kosova shumë serbë…”, shkruan “Telepolis”.
“Edhe 17 vjet pas stacionimit të NATO-s në Kosovë, ndarjes së Kosovës nga Serbia, shpalljes së pavarësisë (2008)… në këtë rajon ende nuk ka paqe të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe serbëve”.