Mungesa e Medon Berishës për shkak dëmtimi, nuk ka ndihmuar Ylber Ramadanin që të rifitojë vendin e tij në radhët e formacionit titullar të Leçes. Mesfushori i Kombëtares, ka qenë edhe dje spektator në duelin që ekipi i tij luajti përballë Komos.
Një duel i cili u mbyll me disfatë përballë një rivali direkt në renditje, me Komon që triumfoi në këtë ndeshje të cilën e dominoi duke kërkuar më me ngulm fitoren. Niko Paz humbi penallti në pjesën e parë, por shleu gabimin duke tundur rrjetën në të dytën (VIDEO).
Më pas ishte Patrik Kutrone ai i cili dyfishoi shifrat për skuadrën e drejtuar nga Cesk Fabregas (VIDEO), duke i siguruar tre pikë që e largojnë nga zona e ftohtë e klasifikimit, teksa lë Leçen vetëm 2 pikë larg saj.