Biznesi nuk është barra, por zgjidhja

“Monitor”

Nuk ka pothuajse asnjë argument ekonomik të shprehur nga qeveria se pse disa biznese të mëdha duhet të shkëputen nga rrjeti tradicional publik i furnizimit me energji elektrike. Nisma është marrë apriori duke u justifikuar me nevojën për reformë, por qeveria ende nuk ka thënë se cili do të jetë efekti pozitiv që do të ketë kjo për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.
Duke qenë operatori i vetëm në treg për furnizimin me pakicë të energjisë, kompania publike, OSHEE, detyrohet të ketë financime të mëdha për të blerë energji, e cila po kërkohet gjithnjë e më shumë çdo vit, po ashtu edhe për t’iu përgjigjur investimeve në rrjet. Duke qenë se burimet i ka të kufizuara edhe për shkak të një historie të gjatë dështimesh dhe gropash financiare, dhe në presionin e angazhimit politik të qeverisë, shkëputja e bizneseve të mëdha, e zbut automatikisht këtë problem.
Mirëpo këtë, qeveria nuk mund ta thotë, sepse efekti i kësaj lëvizjeje që ka qejf ta thërrasë reformë, është i vogël dhe me rreze të shkurtër, pasi kufizohet vetëm te performanca financiare e kompanisë, e cila heq nga kurrizi barrën e bizneseve e fokusohet vetëm tek konsumatori familjar, i cili krijon shumë ndjeshmëri politike për çdo qeveri.
Ndërkohë, efekti negativ në ekonomi është më i madh dhe më i gjatë. Bizneset kanë llogaritur që nga ndërprerja e furnizimit nga kompania e vetme publike, çmimi i energjisë elektrike, si lënda e parë për prodhimin, do të rritet deri në 35%. Në këto biznese, energjia zë deri në 30% të kostos së prodhimit dhe rritja e saj, do të rriste kostot totale në raport shumëfish.
Rritja në këto përmasa do të provokonte një efekt zinxhir të pashmangshëm në të gjithë çmimet e tjera, që çfarë do të ndodhë më pas si masë lehtësuese, ato nuk ulen.
Bizneset më të prekura janë sipërmarrjet “Made in Albania”, industria e prodhimit të lëndëve të para për ndërtim, industria ushqimore, ajo përpunuese. Goditja e kësaj pjese është goditje për shpirtin e vërtetë të ekonomisë shqiptare, tek i cili është projektuar rritja e qëndrueshme dhe profili afatgjatë ekonomik i vendit. Efekti negativ pasardhës është i lehtë për t’u parashikuar, më pak punësim, eksporte e konsum.
Kur në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u prekën nga dyfishimi i rritjes së çmimeve të naftës dhe lëndëve të tjera të para të energjisë, ekspertët, të cilët e kuptojnë mirë se këtu varet siguria e vendit, i shkruan Kongresit amerikan se, megjithëse efekti negativ në ekonomi ishte i moderuar për shkak të politikës monetare e projektuar më parë për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe për të nxitur investimet dhe karakteristikës së shoqërisë amerikane për t’u mbështetur tek konsumi i lartë, koha e rikuperimit mund të zgjaste 10 vjet.
Meqenëse Shqipëria nuk është Amerikë, në asnjë detaj të saj, kostot e një vendimi që çon në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, jo vetëm janë më të mëdha, por edhe do të zgjasin më shumë.
Më herët, por edhe në brendësi të këtij numri, revista “Monitor”, ka trajtuar se nga ana tjetër, reforma e energjisë i ka të paqarta se si dhe kush i rregullon marrëdhëniet në këtë treg që po liberalizohet. Megjithëse energjia trajtohet si një produkt strategjik, tregu nuk i nënshtrohet këtij kriteri, por lihet i lirë. Kjo kontradiktë do të prodhojë edhe ngërçe, të cilat në rastin më të mirë japin produkte me kosto të lartë dhe në rastin më të keq, mund të krijojë blackout-ekonomik te bizneset e prekura drejtpërdrejt.
Por, megjithëse pesha e argumenteve ekonomike anon nga dëmi që mund t’i vijë ekonomisë, këmbëngulja e qeverisë tregon se guri i balancës në këtë vendim është politik. Por, meqenëse qeveria nuk ka as kohën më të gjatë se një mandat dhe as paratë e nevojshme, e gjen zgjidhjen magjike te braktisja e bizneseve, si një barrë që nuk duhet t’i takojë asaj, kur në fakt, nga ai duhet ishte zgjidhja.

Artikulli paraprakRajoni me 2-3 aeroporte, Shqipëria me një
Artikulli tjetërTrump: Donin të më godisnin për herë të fundit, a jetojmë në Gjermaninë naziste?