Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha, ripohoi procesin e hapur dhe përfshirës të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, vetingun e imtësishëm të figurës së tyre, dhe përkushtimin e PD-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Vlerat më të larta morale dhe shoqërore që kemi në komunitet, do të mishërohen tek ata të cilët do t’i konsiderojmë për të qenë përfaqësuesit më të denjë të Partisë Demokratike në Parlamentin e ardhshëm. Ne do t’i japim shqiptarëve një listë deputetësh, me përfaqësuesen dhe më cilësoren që ka patur ndonjëherë ky vend”, tha kreu i opozitës.
Udhëheqësi demokrat Lulzim Basha u takua dje me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike dhe sfidat e opozitës. Basha tha se detyra e parë e Partisë Demokratike është t’u propozojë shqiptarëve njerëz të denjë të pastër moralisht. Siç e theksoi edhe një ditë më parë pranë PD ekziston Komisioni i Etikës që kryesohet nga zoti Kosova dhe çdo kandidat për deputet i partisë më të madhe të opozitës do të kalojë nën këtë filtër. Gjithashtu zoti Basha është shprehur se procesi i hartimit të listave do të jetë i hapur në një bashkëbisedim të gjerë me komunitetin, grupet e biznesit, Shoqërinë Civile dhe grupe të tjera interesi. Në këtë proces, patjetër që strukturat lokale do të kenë rolin e tyre. Basha theksoi në takimin e djeshëm se kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi kontrolli të integritetit të figurës: “Çdo kandidat për deputet i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi kontrolli të imtësishëm të integritetit të figurës. Ne kemi ngritur strukturat e posaçme për këtë si parti. Jemi e para parti që kemi ngritur komisionin tonë të integritetit dhe të etikës, i cili tashmë është i pajisur me ekspertizën më të mirë, me njerëzit më të ndershëm, me mbështetjen ndërkombëtare, dhe ka hartuar praktikat më të avancuara bashkëkohore, për të mundësuar që lista e ardhshme e deputetëve të Partisë Demokratike, nuk ka asnjë surprizë në kuptimin e pastërtisë morale të figurave me të cilat shqiptarët do të përfaqësohet përmes Partisë Demokratike në Parlament”. Gjithashtu, kreu i PD ka deklaruar se një proces i tillë do të ketë edhe afate kohore që do të thotë se duhet një angazhim maksimal që gjithçka të kryhet drejt dhe në kohë. Brenda datës 15 shkurt, anëtarët e Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces të hapur e qytetar me grupet e interesit për të propozuar kandidatët më të mirë për t’i përfaqësuar në Parlament. Pra, ka edhe një afat kohor që është data 15 shkurt.
Gjithashtu kreu u opozitës siguroi drejtuesit lokalë të partisë, se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet e ardhshme me një proces të lirë e të ndershëm. Në këtë takim ai bëri edhe një herë të qartë se PD do të marrë pjesë në zgjedhje e bindur në fitore. Sipas Bashës çdo dilemë për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor është thjesht një shpifje e zyrave të propagandës qeveritare. Demokratët janë të vendosur të mbrojnë procesin zgjedhor dhe t’i japin shqiptarëve rezultatin real që do të sjellë lirinë tek qytetarët përmes fitores së PD dhe aleatëve të saj. Zoti Basha tha në këtë takim se: “Qeveria dhe mjetet e saj të propagandës janë lëshuar me klishetë: merr pjesë nuk merr pjesë Partia Demokratike në zgjedhje. Partia Demokratike merr pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër. Ne do të luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të përballemi për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të fitojmë me zgjedhje të lira e të ndershme”.
Në lidhje me kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore, Basha u shpreh se: “Votimi dhe numërimi elektronik është fundi i kontestimit të zgjedhjeve mbi bazën e shitblerjes së votës, apo manipulimit të votës, apo futjes së duarve në kutitë e votimit. Votim elektronik do të thotë po kështu numërim elektronik, merr fund armata e partiakëve dhe e kriminelëve që fut duart në kuti, që blen apo kërcënon numëruesit, që tjetërson vullnetin e qytetarëve, merr fund manipulimi i vullnetit të qytetarëve, siç votojnë qytetarët ashtu del rezultati. Me votimin elektronik, me numërimin elektronik shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vota e tyre nuk do të tjetërsohet. Zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është fushata në të cilën Partia Demokratike dhe opozita do të angazhohen fuqimisht”.
R. Hafizi