Nga Ergys Mërtiri
Qeveria thotë se do kufizojë të drejtën e qytetarëve të Tiranës për të përdorur makinat në një ditë po, një ditë jo. Ajo pretendon se e bën këtë për të kufizuar ndotjen e mjedisit, ndërkohë që Tirana është qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes në Europë. Por ajo që nuk na thotë është se kush e ka fajin për këtë.
Tirana është sot qyteti me dendësinë më të lartë në Europë. Ajo ka sot 20 mijë banorë për km katror nga rreth 5 mijë që është përgjithësisht në Europë. Pra Tirana ka një dendësi katërfish më të lartë se qytetet e BE-së. Kjo është njësoj sikur, në një apartament për një familje me 4 vetë, dy dhoma e një kuzhinë, të jetojnë 16 vetë. Kjo është vetëm si vlerë mesatare, pasi në zona të caktuara, si psh. në qendër, dendësia bëhet shumë herë më e lartë.
E gjithë kjo është ekskluzivisht për shkak të Edi Ramës dhe Erion Velisë, që e kanë mbushur këtë qytet me kulla, duke mos lënë park pa prishur e pëllëmbë truall pa hedhur beton për të ndërtuar kulla e pallate. Për rrjedhojë ky qytet është i degraduar nga aspekti urban: trafiku, mungesa e hapësirave për parkim, mungesa e hapësirave për parqe, çlodhje, lojëra për fëmijë, mungesa e hapësirave për shkolla, çerdhe, kopshte, etj. Për rrjedhojë Tirana është edhe qyteti më i ndotur në Europë, përveç se qyteti më i pajetueshëm e më shkatërrues psikologjikisht për qytetarët.
Ndotja që shkakton vetëm trafiku është e pallogaritshme. Nëse një rrugë normale mund të përshkohet me makinë për 10 minuta, në trafik shkon më shumë se një orë, çfarë natyrisht bën që të shpenzohet shumë më tepër karburant dhe sigurisht të prodhohet shumë më tepër ndotje. Pra, me të njëjtin numër makinash në qarkullim, nëse vala e ndërtimeve do kish qenë e rregulluar sipas një plani urbanistik, dhe qyteti do ishte zgjeruar në periferi, pa u ngjeshur në qendër, sot ndotja do kishte qenë disa fish më e ulët.
Zgjidhja pra nuk mund të jetë duke na penguar të drejtën për të përdorur makinën, por duke kufizuar ndërtimet kriminale, sidomos kullat e përbindshme në qendër, që kanë zënë çdo hapësirë duke shkatërruar qytetin.
Makina është mbi të gjitha një mjet pune. Për shumë njerëz ajo është e domosdoshme çdo ditë, pasi me të shkojnë në punë, çojnë fëmijët në shkolla, transportojnë sende që u duhen etj. Nuk mundet që njerëzit të shkatërrojnë gjithë organizimin e jetës së tyre të përditshme, thjesht për shkak se Kryeministrit i duhet të mbulojë zullumet e veta përballë detyrimeve të BE-së kundrejt mjedisit. Nuk janë përherë qytetarët ata që duhet të paguajnë për zullumet e qeverisë.
Nëse doni të ndaloni ndotjen, fillojeni nga ndalimi i ndërtimit të kullave ku pastrohen paratë e krimit dhe korrupsionit! Nuk ka kuptim që abuzimet e qeverisë dhe oligarkisë ti paguajnë gjithmonë qytetarët.