Bonaventura rinovon deri në vitin 2020 me Milanin

Tashmë është zyrtare. Jack Bonaventura ka rinovuar kontratën e tij me Milanin deri më 30 qershor të vitit 2020. Mesfushori italian e ka zgjatur edhe me një tjetër vit marrëveshjen e mëparshme. Nga kontrata e re Bonaventura do të përfitojë një rritje të konsiderueshme të pagës. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, në llogarinë e 27-vjeçarit do të shkojnë 2 milionë euro në sezon plus bonuset. Akordi mes administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galliani dhe menaxherit të lojtarit Mino Raiola për zgjatjen e bashkëpunimit me Bonaventurën ishte arritur prej kohësh, por për të hedhur firmën mbi kontratë mungonte ok-i i pronarëve të rinj kinezë, i cili ka ardhur në orët e fundit.
Milani blindon në këtë mënyrë një nga lojtarët më të rëndësishëm që ka në dispozicion trajneri Montella. Futbollisti 27-vjeçar është i domosdoshëm për kuqezinjtë, pasi me Bonaventurën në rolin e mesfushorit ose atë të sulmuesit të krahut, Milani shndërrohet në një skuadër shumë më të rrezikshme. Bonaventura është transferuar në “San Siro” në janar të vitit 2015. Në këto 2 vite ai ka zhvilluar 91 ndeshje me Milanin duke realizuar dhe 18 gola.

Artikulli paraprakXabi Alonso do të varë këpucët në gozhdë
Artikulli tjetërMallkimi i transfertave