Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump u zotua të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës” dhe përsëriti premtimin e tij për të vendosur tarifa të konsiderueshme ndaj Meksikës dhe Kanadasë.
“Ajo mbulon shumë territor,” tha ai për Gjirin. “”Gjiri i Amerikës.” Sa emër i bukur.”
Premtimi i tij për të riemërtuar Gjirin i bëri jehonë zotimit të tij të mëparshëm për të kthyer emrin e Denalit, majës më të lartë malore në Amerikën e Veriut, në malin McKinley.
Në një konferencë me gazetarë vetëm dy javë para se të marrë mandatin e ri më 20 janar, Trump la të hapur mundësinë që të përdorë ushtrinë amerikane për të siguruar kontrollin ndaj këtyre dy territoreve.
“Nuk mund të zotohem”, tha ai, i pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. “Ndodh që do të duhet të bëjmë diçka. Kanali i Panamasë ka rëndësi jetike për vendin tonë”.
Më pas ai shtoi se “Groenlanda na duhet për qëllime të sigurisë kombëtare”. Groenlanda është territor autonom i Danimarkës, një aleat tradicional i Shteteve të Bashkuara dhe njëra prej shteteve themeluese të NATO-s.