Çfarë pret BE-ja dhe Gjermania nga Trumpi

Për disa ditë Donald Trumpi do të jetë presidenti i 45-të i SHBA. Si mendon Trumpi për BE, Gjermaninë dhe marrëdhëniet transatlantike? Bashkimi Evropian është për Gjermaninë një mjet për qëllimet e saj; NATO-ja “e vjetëruar”: intervista e Donald Trumpit dhënë gazetës gjermane “Bild”, ka shkaktuar habi dhe indinjatë.
Edhe pse Donald Trumpi nuk është ende president shumë nga deklaratat e tij rreth Evropës, Gjermanisë dhe NATO-s janë kontradiktore. Megjithatë që në fjalimet e tij të para të fushatës elektorale u bë e qartë se lajtmotivi që do të përcaktojë politikën e jashtme dhe ekonomike të Trumpit është: “America First” – “Interesat e Amerikës kanë përparësi”. Në dallim me politikën shumëvjeçare amerikane Trumpi e sheh BE-në si një krijim artificial pa shpirt, që madje dëmton ekonominë amerikane. Trumpi ndan mendimin e mikut të tij britanik dhe kritikut ndaj BE-së Nigel Farage: BE-ja u shërben kryesisht interesave të ekonomisë gjermane, kështu tha Trumpi në një intervistë me gazetata “Bild” dhe “Times”: “BE-ja është në thelb një instrument për Gjermaninë. Kjo është arsyeja pse e konsideroj si shumë të zgjuar vendimin e Britanisë për të dalë nga BE-ja”, tha Trumpi.

Skeptik jo vetëm ndaj BE-së
Trumpi mendon në kategorinë e shteteve kombëtare dhe është skeptik jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj OKB-së apo organizatave të tjera multinacionale. Trumpi mendon se mes shteteve mund të ketë marrëveshje dypalëshe, por jo një situatë win-win për të gjithë. Ndërsa paraardhësi i tij Barack Obama e vlerësonte Bashkimin Evropian si një nga arritjet më të mëdha në historinë e Evropës, Trump është i bindur se pas Britanisë nga BE-ja do të largohen edhe vende të tjera.
Heather Conley, eksperte për Evropën pranë “Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare”, një think-tank i politikës së jashtme në Uashington, mendon se nën drejtimin e Trumpit do të ketë një “ringjallje të marrëdhënieve dypalëshe” midis SHBA dhe Britanisë së Madhe. “Tashmë është njoftuar se kryeministrja Theresa May së shpejti do të vijë në Uashington”, thotë Heather Conley.
Ndërsa Barack Obama i kishte paralajmëruar britanikët ndaj Brexit-it, Donald Trumpi synon një marrëveshje të shpejtë dypalëshe tregtare me Mbretërinë e Bashkuar. Pjesë e strategjisë negociuese të Trumpit është që t’i vërë disa partnerë kundër njëri-tjetrit në mënyrë që të nxjerrë në fund për veten dhe vendin e tij më të mirën. Kjo shpjegon gjithashtu deklaratat kontradiktore të Trumpit për NATO-n.

Artikulli paraprakKupa e Italisë, Interi kualifikohet për më tej
Artikulli tjetërMay: Britania do të jetë mikeshë e BE-së