Nga Nevila Gjata/ Faktoje.al
Gazment Bardhi nuk ishte në protestën e parë për këtë vit që Sali Berisha thirri para SPAK-ut kur ky i fundit me vendim të GJKKO është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në Prokurorinë e Posaçme.
Megjithatë, deputeti i PD-së, Bardhi, në dhjetor të 2023, bashkë me disa deputetë të tjerë, firmosën një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenin 73 të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetit. Kjo kërkesë synonte në thelb pezullimin e masave shtrënguese ndaj Sali Berishës deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në një reagim publik, Bardhi deklaroi se nuk kishte firmosur për të mos arrestuar Berishën, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin që lidhej me imunitetin e deputetit. Në korrik 2024, në një protestë të udhëhequr po nga Gazment Bardhi (dhe Flamur Noka), mbështetësit e PD-së marshuan drejt kryeministrisë duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj masës arrest me burg për Berishën. Për rastin “Berisha”, deputeti i PD, Gazment Bardhi, e ka vënë ‘lapsin’ tek rëndësia e respektimit të procedurave ligjore dhe të drejtave kushtetuese. Paralelisht me zhvillimet, Bardhi ngriti akuza ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.
Vetëm dy muaj më vonë, Ervin Salianji, një tjetër deputet i Partisë Demokratike, u dënua me 1 vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen e njohur si “Babale”. Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024. Çështja “Babale” lidhet me publikimin e një audio-përgjimi në vitin 2018, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në aktivitet kriminal. Salianji u akuzua, me pak fjalë, se kishte marrë pjesë në inskenimin e një bisede të sajuar.
Deklarata
Në vorbullën e këtyre ngjarjeve, dikujt për t’i kthyer mbështetjen në betejën e tij ligjore, e dikë për ta bërë kauzë, kryetari i PD-së Sali Berisha, në tetor të vitit 2024, deklaroi se brenda tre muajve, Gazment Bardhi do të arrestohej dhe se do të kishte të njëjtin fat si Ervin Salianji, i arrestuar më herët.
”Qytetarë dhe qytetare, Ervin Salianji është sot në burg sepse guxoi të mbrojë interesin tuaj, sepse sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës, vëllazërinë “Xhafaj” dhe vëllazërinë “Rama”. Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria “Rama” dhe vëllazëria “Xhafaj” e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit. Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi. Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista”, tha Berisha më 5 tetor
Konteksti
Në muajt e fundit, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar dyshime për përfshirjen e tij në trafik droge lidhur me laboratorin e kokainës në Xibrakë. Në maj 2024, Bardhi deklaroi se kishte dorëzuar një kërkesë në SPAK për rihapjen e hetimeve mbi këtë çështje, duke përmendur udhëtime të shpeshta të Olsi Ramës me automjetin me targa AA…, të përdorur edhe nga persona të akuzuar për trafik droge. Në përgjigje, Olsi Rama e mohoi kategorikisht përfshirjen në aktivitete të paligjshme, duke i quajtur akuzat si shpifje dhe sulme politike ndaj familjes së tij. Ai paraqiti dy herë kallëzime penale në SPAK kundër Bardhit për “kallëzim të rremë”. Kallëzimi i parë u refuzua nga SPAK, pasi u konstatua se Bardhi nuk kishte dorëzuar një padi formale, por vetëm një kërkesë për rihapje hetimesh.
Në kallëzimin e dytë, Olsi Rama iu referua një statusi të Bardhit në rrjetet sociale, ku ky i fundit pretendonte se SPAK kishte njoftuar zyrtarisht rihapjen e hetimeve. Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke i cilësuar akuzat e Bardhit si përpjekje për të dëmtuar figurën e tij dhe të familjes së tij. Ai ka theksuar se Bardhi nuk ka dorëzuar asnjë padi kundër Olsi Ramës dhe ka akuzuar opozitën për shpifje. Nga ana tjetër, Bardhi ka deklaruar se qëndrimet e kryeministrit përbëjnë një formë shantazhi ndaj SPAK, me qëllim mbylljen e hetimeve, që mund të implikojnë familjen “Rama”.
Sali Berisha, ndërkohë, ka hedhur akuza të forta ndaj drejtësisë. Akuzat publike prej tij kanë synuar deri diku edhe përceptimin se institucionet e drejtësisë janë të njëanshme dhe të ndikuara nga qeveria dhe se ata që ndjekin cështjet po përfshijnë vetëm Berishën, deputetë të PD-së apo aleatë të saj. E tillë duhet parë (të paktën deri më tani) edhe deklarata e tij për Gazment Bardhin se ai do të arrestohej brenda dhjetorit pas akuzave që kish bërë ndaj Olsi Ramës.
Fakt
Javën e parë të këtij viti, Sali Berisha e filloi me një deklaratë reagim ndaj vendimit të GJKKO për detyrim paraqitje dy herë në muaj pranë SPAK. Ai drejtoi protestën para prokurorisë së posaçme, më tej zhvilloi një konferencë për shtyp me mediat dhe mori pjesë në 34 vjetorin e themelimit të gazetës së parë pluraliste në vend “RD”. Me pak fjalë, Berisha vijoi normalisht aktivitetin politik. Të enjten pas mesdite, kryetari i PD-se, Sali Berisha, (i shoqëruar nga Flamur Noka) ishte në burgun e Fierit për të takuar deputetin e PD, Ervin Salianji. Gazment Bardhi, ndërkohë, daljen e parë publike për këtë vit do e ketë të premten në mbledhjen e paralajmëruar të grupit parlamentar.
Dalja e fundit e tij për vitin 2024 ishte vallja që ai hodhi me këngën për Sali Berishën më 28 Dhjetor bashkë me deputetë të tjerë të PD-së në një nga lokalet e Tiranës. Më herët, ai bashkë me Berishën ishin në protestën e paralajmëruar prej PD-së për mosbindje civile në rrugët e Tiranës.
Përfundim
Nisur nga zhvillimet politike (qysh prej tetorit të vitit 2024 e deri në publikimin e këtij lajmi), deklaratën e Sali Berishës se Gazment Bardhi do të arrestohet brenda tre muajve do ta kategorizojmë si të pavërtetë.