Korridori Nr.8, mundësia e artë e bllokuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut

Nga Mateo SPAHO

Korridori i Transportit Pan-Europian Nr.8 është një nga dhjetë korridoret evropiane dhe lidh detin Adriatik me Detin e Zi. Kjo arterie e qarkullimit në trupin e Europës është një mundësi e artë për ekonominë e Shqipërisë. Veç vendit tonë dhe Maqedonisë, Italia dhe Bullgaria janë drejtpërdrejt të interesuara për ta ndërtuar këtë vepër. Korridori është intermodal, do të thotë që përfshin porte, rrugë, rrjet hekurudhor, aeroporte, infrastrukturë të kombinuar të transportit dhe objektet e tjera ndihmëse për të menaxhuar trafikun përgjatë rrugës.

Është e paimagjinueshme masa e njerëzve, mallrave (dhe eurove) që do të kalonin në këtë korridor, i cili kryqëzohet me korridore të tjera në Bullgari, Maqedoni dhe në Shqipëri siç është Autostrada AdriatikoJoniane, që do të vijë nga Mali i Zi e do të shkojë drejt Greqisë. Gjendja e infrastrukturës rrugore përgjatë Korridorit Nr.8 është relativisht e mirë dhe vazhdimisht modernizohet në Bullgari, por edhe Shqipëria po bën përpjekjet e veta në ndërtimin e tij. Këto përpjekje duken në dyfishimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë, i cili është në ndërtim e pritet të përfundojë në fundin e vitit 2027. Gjithashtu, pritet që gjatë vitit 2025 të fillojë ndërtimi i autostradës që lidh Elbasanin me Rrogozhinën e me autostradën AdriatikoJoniane. Veçse lidhjet hekurudhore midis tri vendeve nuk janë ndërtuar ende, si midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Projekti ka mbështetjen politike dhe ekonomike të Këshillit të Evropës (KE), por nuk ka asnjë rezultat në praktikë. Ku qëndron problemi? Me sa duket, Maqedonia e Veriut nuk dëshiron zhvillimin e projekteve të transportit me Shqipërinë fqinje dhe Bullgarinë. Sjellja e sllavëve maqedonas në vitin e fundit, pavarësisht anëtarësimit në NATO, mund të përcaktohet si një “Jugonostalgji e yshtur”.

Sot në Maqedoni po kryhen investime në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, por asnjë nga këto nuk lidhet me Korridorin 8. Për këtë arsye, trafiku i mallrave midis Maqedonisë dhe Serbisë është dy herë më e madh se ai më Shqipërinë dhe Bullgarinë të marra së bashku. Takimi i fundit i nivelit të lartë, i cili synonte të përmirësonte koordinimin midis vendeve të Korridorit 8, u mbajt në fund të korrikut 2023 në Brindisi, Itali. Vendet u përfaqësuan nga ministrat e Jashtëm, Antonio Tajani për Italinë, Olta Xhaçka për Shqipërinë, Bujar Osmani për Maqedoninë dhe Maria Gabriel për Bullgarinë. Asnjë angazhim i qartë nuk u ndërmor për ndërtimin e shpejtë dhe më të plotë të korridorit e nuk u vendos asnjë datë apo skadencë.

Maqedonia ka marrë fonde për projektimin e hekurudhave të Korridorit 8 dhe kredia për ndërtim ka qenë e garantuar nga bankat ndërkombëtare BEI dhe BERZH. Qeveria e re VMRO-DMPNE, e Kryeministrit Hristo Mickoski ka bllokuar gjithçka e për të zgjatur zullumin, ka kërkuar të përgatisë një projekt hekurudhor plotësisht të ri dhe madje kërcënon të ridrejtojë fondet e synuara për korridorin 10 që lidh Maqedoninë me Serbinë dhe Greqinë. Kjo është e rëndë, sepse vetë mendimi i BE-së dhe i Bankës Europiane për Investime (BEI) është se, “nuk ka asnjë kuptim për të bërë një projekt të ri, pasi që ai aktual është me zgjidhjen teknike më fitimprurëse dhe plotëson plotësisht kërkesat e BE-së për pajtueshmërinë operacionale. BE beson se propozimi i Shkupit do të çojë vetëm në një shtyrje të re afatgjatë për realizimin e korridorit”. Veprimet e qeverisë Maqedonase janë kundër interesave të BE-së, NATO-s, Italisë, Bullgarisë dhe mbi të gjitha, të vendit tonë. Kjo jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga ajo e sigurisë së Europës Juglindore. Orientimi drejt Serbisë e Hristo Mickoskit tregon se influenca serbe dhe ruse, antieuropiane dhe anti-NATO po zënë vend në Maqedoni e ky bllokim i Korridorit të 8 në favor të lidhjeve me vendet antiperëndimorë nuk është rastësor.

Në teori, investimet që Maqedonia po bën për t’u lidhur më mirë jo vetëm me Serbinë, por edhe me Greqinë nuk do të ishin negative, pasi Greqia është vend perëndimor, por portet kryesore të saj sot zotërohen nga kompani të ndryshme kineze! Kontrolli politik serioz i Moskës ndaj Beogradit vazhdon të jetë një burim kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale dhe në këtë drejtim presioni ndaj Maqedonisë për refuzimin e projektit të Korridorit 8 është një rezultat i drejtpërdrejtë i dëshirës së Rusisë për të ndaluar lidhjen midis 4 shteteve anëtare të NATO-s dhe interesi për ngritjen e Korridorit 10, Serbi-Greqi ka edhe Kinën si promotore, e cila ka të paktën për momentin arsye ekonomike. Thënë ndryshe, korridoret e transportit sot nuk përcaktojnë thjesht penetrimin ekonomik dhe kapjen e tregjeve, por edhe influencat politike e nesër ushtarake mbi Europën Juglindore. Korridori 8 është leva që lejon zhvillimin ekonomik të Ballkanit, pavarësisht nga Beogradi! Për këtë arsye, qeveria shqiptare duhet të përpiqet në forma të ndryshme bashkë me Italinë dhe Bullgarinë që Korridori 8 të ketë data dhe afate, duke lejuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut e të Shqipërisë t’i bashkohen familjes europiane dhe perëndimore, së paku nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.

Artikulli paraprakUnaza e Madhe e Tiranës u hap, por trafiku mbeti
Artikulli tjetër“Mashtrim i radhës për të rrëmbyer votën në 11 maj“, Basha: Rama uli çmimin e energjisë me 1 lek, por rriti atë të ujit me më shumë se 30%