Më pak individë përdorën aplikacionet e bankave për të kryer transaksione në muajn nëntor. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se numri i veprimeve me home banking ka pësuar një tjetër rënie të thellë në nëntor 2024, ku u regjistruan 10% më pak transaksione se në muajin paraardhës. Për këtë vit, kjo rezulton të jetë rënia më e madhe e transaksioneve të realizuara përmes internetit.
Si pasojë e rënies së numrit, edhe vlera e veprimeve raportohet më e ulët. Konkretisht, shuma totale e veprimeve bankare me home banking ka rënë me 12%. Rënia më e madhe në vlerë, sesa në numër, tregon gjithashtu se shumat e paguara përmes aplikacioneve bankare kanë qenë më të vogla në nëntor.
Në 11 muaj janë realizuar gjithsej 8.4 milionë transaksione, të cilat kapin një vlerë totale prej 2.1 miliardë lekësh.
Pavarësisht se muaji nëntor ka pasur një bilanc negativ për sa i takon numrit dhe vlerës së transaksioneve të realizuara me home banking, viti 2024 mbyllet me shifra më të larta të përdorimit të aplikacioneve bankare nga qytetarët, se viti 2023. Statistikat zyrtare tregojnë se në 11 muaj ka një tejkalim me 9.7% të numrit të transaksioneve llogaritur me 2023.
Home banking i referohet kryerjes së transaksioneve nga shtëpia përmes aplikacioneve të bankave, për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.