Fluks në spitalin e Durrësit, më shumë se 400 persona në ditë paraqiten në urgjencë prej virozave

Mbi 400 persona, mes të cilëve të rritur dhe fëmijë, paraqiten çdo ditë në urgjencën e spitalit dhe atë të pediatrisë së Durrësit për ndihmë mjekësore. Shumë prej tyre, me simptoma të infeksioneve virale.

Mjekja infeksioniste, Nensi Sulstarova thotë: “Jemi në pikun e sezonit gripal. Nga të dhënat e shërbimit të urgjencës nga 300 raste që paraqiten çdo ditë aty, 100 janë me sindromën gripal, që manifestohen me dhembje koke, temperaturë të lartë, ethe dhe mialgji. Në tamponët e marrë PCR për influencën 70 % rezultojnë pozitiv me grip”.

Në këtë periudhë, ngarkesa e stafit mjekësor është e plotë, por ndryshe nga sezonet e kaluara nuk ka pasur raste me komplikacione të rënda të gripit, ndërsa mungojnë rastet me COVID. Sipas mjekëve, vaksinimi kundër gripit në periudhën e vjeshtës ka ndikuar pozitivisht që dhe kategoritë më të rrezikuara ta kalojnë më lehtë gripin sezonal.

“Pak, 3-4 raste në ditë janë shtruar në spital, pjesa tjetër është ndjekur me terapi ambulatore. Këshilla ime mbetet padiskutim shmangia e vendeve të mbipopulluara, kryesisht për kategoritë e riskut: fëmijët e vegjël, moshat e treta dhe të sëmurët kronikë”, shton ajo

Mjekët u bëjnë thirrje pacientëve me simptoma jo të rënda të drejtohen tek mjekët e familjes, duke shmangur mbingarkesën e urgjencës, por dhe duke ulur rrezikun për përhapjen e infeksioneve tek pacientët e tjerë, dhe kryesisht te të sëmurët kronikë.

Artikulli paraprakJo vetëm Rashford, Milani tenton edhe anglezin që ka marrë famë se tradhton vazhdimisht gruan
Artikulli tjetërPas vetëdorëzimit në polici, arrestohet me urdhër të SPAK Kreshnik Farruku