Qeveria e Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, për tri vitet e fundit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica e Veriut, ka investuar miliona euro.
Nga viti 2014 deri në vitin 2016, investimet nga qeveria e Kosovës në këto katër komuna janë mbi 15 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 janë ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për këto katër komuna të banuara me shumicë serbe.
Investimet e qeverisë së Kosovës, kryesisht janë bërë në ndërtimin e rrugëve, ndriçimin publik, renovimin e objekteve publike, në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.
Të dhënat për investimet e qeverisë së Kosovës për katër komunat e banuara me shumicë serbe i ka bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj.
Ai thekson se është punuar dhe investuar në integrimin e serbëve të Kosovës, por që ende mbetet punë për t’u bërë, pasi në komunat veriore ende ka struktura paralele.
“Për herë të parë, në vitin 2013, janë organizuar zgjedhjet lokale në katër komunat veriore, të cilat deri atëherë nuk kanë qenë të integruara në sistemin tonë. Pra, ato komuna tani janë të integruara, por ende ka punë për t’u bërë. Ne besojmë se është bërë punë e madhe, ne kemi në kontroll doganat e Kosovës, Policia e Kosovës është prezente në veriun e Kosovës dhe ata janë në zinxhirin komandues të Republikës së Kosovës”, thotë Gecaj.
Ndërkohë, investime në këto katër komuna të banuara me shumicë serbe janë bërë edhe nga qeveria e Serbisë.
Sipas disa dokumenteve të publikuara, përfshirë edhe ato në media, thuhet se në dy vitet e fundit në këto katër komuna, Serbia ka investuar mbi 200 milionë euro, derisa për vitin 2017 ka planifikuar të investojë mbi 100 milionë euro.