Nga Kapitali.al
Qeveria ka dërguar më në fund në Parlament projektligjin e biokarburanteve, i cili prej vitesh mbahet peng në sirtarët e shtetit për shkak të kulisave, por edhe lobimeve të biznesit.
Drafti, i cili është hedhur për konsultim publik detyron shoqëritë e tregtimit të karburanteve që duke filluar nga ky vit të tregtojnë minimalisht një sasi biokarburanti sa 1 për qind e totalit. Ndërsa duke filluar nga viti 2026 sasia rritet gradualisht.
“Nga viti 2026 deri në vitin 2030, kjo sasi do të rritet gradualisht me 1% në vit, me synimin që në vitin 2030 të jetë jo më pak se 7%,” thuhet në nenin 4 të projektligjit.
Ndërkohë një tjetër risi e projektligjit është edhe fakti se biokarburantet nuk tregtohen si të mëvetshme, por tregtohen si përzierje (mishelë)e karburanteve qe tregtohen rregullisht.
Në vitin 2023, ministria e Energjisë e hodhi për konsultim projektligjin për biokraburantet, por me një variant tjetër.
Sipas draftit të dy viteve më parë, kompanitë e karburanteve ishin të detyruar që në vitin 2024 të tregtonin minimalisht 5 për qind të sasisë totale si biokarburant. Ndërsa nga viti 2025, sasia e detyrueshme e biokarburantit shkonte në 10 për qind e totalit.
Por drafti i vitit të kaluar nuk u miratua asnjëherë për shkak të kulisave dhe lobimeve të kompanive të naftës. Tashmë qeveria e ka propozuar projektligjin e biokarburanteve, por me sasi shumë më të ulëta nga ato që parashikoheshin në draftin e vjetshëm.
Biokarburantet
Biokarburantet janë një lloj karburanti që prodhohen nga bimët dhe konsiderohen si miqësor me ambientit për shkak se nuk emetojnë karbon apo gaz kur digjen në motorë. Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka miratuar një direktivë, e cila i detyron vendet anëtarë apo ato që aspirojnë të anëtarësohen, që një pjesë të karburantit që konsumojnë të jetë biokarburant.
Por çmimi i biokarburanteve në treg është mbi 50 për qind më i lartë se sa ai i karburantit tradicional. Për të zbutur rritjen e kostove për qytetarët, shumë vende zbatojnë një regjim fiskal lehtësues për biokarburantet. Edhe qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë të njëjtin model duke e përjashtuar totalisht nga taksat këtë produkt.
“Tregtimi i biokarburanteve per nje periudhe prej 10 vjetesh nga data e hyrjes ne fuqi te ketij ligji te jete i perjashtuar nga regjimi fiskal ne Republiken e Shqiperise vetem per sasine e biokarburanteve te pastra,” shkruhet në nenin 15 të projektligjit.
Sipas të dhënave zyrtare me konsumin e këtij viti, sasia prej 7 për qind nënkuopton se në vitin 2030, kompanitë shqiptare duhet të tregtojnë të paktën 45 mijë tonë biokarburante në tregun e brendshëm. Nëse merr si referencë barrën tatimore që Shqipëria aplikon mbi karburantet, përjashtimi total nga taksat i kësaj sasie do të kishte një efekt negativ prej mbi 50 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit nga heqja e taksave.
Megjithatë sipas qeverisë, lloji i taksave që do të hiqen nuk është vendosur akoma dhe do të përcaktohet në koordinim me ministrinë e Financave.