Kryeministri Edi Rama, zaptues i krejt pushteteve dhe me fuqi vendimesh e ligjesh klienteliste si “Sulltani” i Shqipërisë, ka nisur të ri-formatojë kupolën oligarkike me emra të rinj, të lidhur prej vitesh në interesa biznesesh dhe pazare me të, me familjarë e klane të tij.
Dajlan Avdia, personazhi i botës së krimit ndërkombëtar me rezidencë në Gjermani dhe biznese lojrash fati e kullash në Shqipëri, thuhet se do të jetë bosi i plotfuqishëm pranë Edi Ramës, që do menaxhojë pazaret pas zgjedhjeve të 2025-ës, që ka deklaruar se do fitojë mbi 90 mandate.
Gjatë 11 viteve në pushtetin e Edi Ramës, mafiozi Dajlan Avdia, ka qëndruar në hije, duke menaxhuar afro 60% të aktivitetit të kazinove e basteve me grupin “APEX”, por ka qenë dhe përfitues i shumë lejeve për pallate e kulla në qendër të Tiranës.
Dy muaj më parë, Dajlan Avdia, i njohur si mik ndikues i kryeministrit Edi Rama e të vëllait Olsi Rama, i është futur investimit të resorteve në bregdetin jugor, si terren pa rrezik për të pastruar miliardat e siguruara me punë të pista të qeveritarëve e trafikantëve.
Këtë skemë pastrimi parash, Dajlan Avdia e ka nisur në muajin nëntor 2024, me lejen që i dha miku i tij Edi Rama, për investimin e një resorti në 68 hektarë tokë shteti buzë detit pranë Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, me pallate, hotele me 5 yje, pishina, qendër tregtare dhe vila.
Brenda sipërfaqes është 3.3 hektarë tokë, që krye- bashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo ia grabiti shtetit me dokumente false, ndërsa tre muaj para se të zgjidhej kryetar, ia shiti Dajlan Avdisë me 3.7 milionë Euro, për të cilën, thuhet se është shitje fiktive e pa deklaruar në ILDPKPI.
Këtë projekt turistik gjigand, me vlerë totale afro 500 milionë Euro, Dajlan Avdia do ta investojë 100% vetë dhe do ta ndërtojë me kompaninë e tij “TDT&Partners”, por pa deklaruar burimin e të ardhurave, kur sipas të dhënave zyrtare, deri në 2018 kur shiti aksionet e tij te “APEX”, kishte vetëm 1.3 milionë Euro fitime, ose sa 35% e vlerës që deklaroi në blerjen e tokës së Vangjel Tavos.
Ndërsa në dosjen e lejes së resortit poshtë Kalasë së Lëkursit në Sarandë, KKT nuk ka asnjë raport nga bankat dhe as nga Drejtoria e Parandalim-Pastrimit të Parave, që të faktojë se me çfarë aktiviteti është marrë Dajlan Avdia në Gjermani e Shqipëri dhe sa të ardhura ka.
Por SHISH e Antikrimi, referuar dhe raporteve të agjencive partnere anti-mafie, i kanë raportuar kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të drejtësisë shqiptare, se Dajlan Abdi, i cili vepron me mbiemrin “Avdia” qysh prej vitit 2010, po pastron paratë e tij të zeza të grupeve mafioze e qeveritarëve me ndërtime në Shqipëri.
Me skemë “lavatriçe”, është investimi për kullën ngjitur me sahatin e Tiranës; 3 kullat pas Presidencës; kompleksi me 10 e 11 kate dhe 3 kate parkim nëntokë te rruga “Vellazën Huta”; kulla “Rainbow Center” në ish-Bllok, ku Dajlan Avdia ka bashkëpunuar me Tomë Doshin.
Por sipas raporteve të SHISH, Dajlan Avdia ka nga 30-50% investime dhe në 11 kulla, resorte e pallatesh të tjera në Tiranë, Durrës, Vlorë e Lalz, fshehur si investitor ilegal me kompanitë e tij “Invest Society”, “Techno Alb”, “National Construction” e “Coast Investment Albania”.
Informacionet thonë, se pas zgjedhjeve të 2025-ës, në të cilat, Edi Rama ka deklaruar një fitore cilësuese; diktues te Babloku për pazare, nuk do të jenë më Bashkim Ulaj, Rrok Gjoka e Pëllumb Salillari etj, por vetëm Dajlan Avdia, si bosi i ri drejues i grupit oligarkik.
Pas kullave e resortit në Sarandë, Dajlan Avdia pritet të marrë licenca për bastet dhe licenca me 65 ha për kultivim kanabisi; por fuqia e tij pranë Edi Ramës do ketë aq ndikim, sa ai do vendose se kush do marrë leje kullash, resortesh, tituj ‘Investitor strategjik’, pasuri shtetërore dhe ata që do bëhen klientë të rinj te oborri i Bablokut e ata që do nxirren jashtë “tepsisë”./Pamfleti