Basha në promovimin e librit të ambasadorit Walker: I dha Kosovës një zë të fuqishëm dhe sensibilizoi botën për spastrimin etnik që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në promovimin e librit të Ambasadorit William G. Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte”. Basha shkruan se në këtë libër ndërthuret mjeshtërisht përvoja e një dëshmitari kyç të masakrës së Reçakut, një ngjarje tragjike që shpalosi krime kundër njerëzimit dhe spastrimin etnik nën regjimin e Millosheviçit.

Ai shkruan se ambasadori Walker me punën e tij si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, u shndërrua në një mbrojtës të drejtat e shqiptarëve dhe një figurë historike, duke sensibilizuar botën për nevojën e veprimit ndërkombëtar. Basha shpreh mirënjohje për kontributin e tij dhe rëndësinë e librit si një homazh për viktimat e Reçakut dhe një mjet për të reflektuar mbi rëndësinë e drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Postimi i plotë i Bashës:

I lumtur, të isha pjesë i promovimit të librit të Ambasadorit William G. Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte”, në të cilin ndërthuret mjeshtërisht përvoja e një dëshmitari kyç, me një tragjedi të madhe njerëzore në Kosovë, kur njerëzimi u vu përballë një krimi të rëndë, kundër popullsisë civile.

Duke e cilësuar masakrën e Reçakut, si krim kundër njerëzimit Ambasadori Walker i dha Kosovës një zë të fuqishëm, në kohët më të vështira, si edhe sensibilizoi botën, për spastrimin etnik që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit.

Me punën e tij, si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, Ambasadori Walker u shndërrua në një figurë të jashtëzakonshme, duke mbrojtur të drejtën e një populli të shtypur dhe duke sinjalizuar komunitetin ndërkombëtar, për nevojën e veprimit urgjent. Është pikërisht ky rol historik, i mbështetur në parimet e drejtësisë dhe të vërtetës, që e bën figurën e tij aq të vlerësuar tek shqiptarët, kudo janë.

Ky rrëfim, i masakrës së Reçakut dhe i skenës politike ndërkombëtare ku ajo u zhvillua, përforcon mesazhin, se nuk ka paqe pa njohjen e së vërtetës. Me fuqinë e një dëshmitari okular, Ambasadori Walker jep një perspektivë të rrallë mbi dinamikën diplomatike dhe njerëzore të asaj periudhe, ndërsa vazhdon të mbetet një mik i çmuar i shqiptarëve, të cilëve iu qëndroi pranë në rrethana tepër të vështira.

Si shqiptar, jam mirënjohës për kontributin e madh të Ambasadorit Ëalker dhe për këtë libër të çmuar, që kapërcen kufijtë e një kujtese historike, duke u kthyer në një homazh për viktimat e Reçakut dhe një hapësirë reflektimi për ata që besojnë se drejtësia dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbrohen në çdo kohë

WhatsApp Image 2025 01 14 at 20.52.38 WhatsApp Image 2025 01 14 at 20.52.37

Artikulli paraprakIRI, Anketa: SPAK-u institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime dhe ndëshkime ndaj politikanëve
Artikulli tjetër“Punoj te Ministria e Bujqësisë, jam me tumor”, mashtruesi merr 5 milionë lekë për një stallë e zhduket