Merr çantën e largohesh me kokën mbrapa se do të kthehesh!

Nga Alban Daci 

Emigracioni si fenomen është i vjetër sa vetë historia njerëzore!

Emigracioni ka qenë një ndër faktorët kryesor të shpërndarjes së njerëzve në Botë, të shkëmbimit të kulturave, krijimin e “botëve” të reja dhe shpesh ky fenomen është vetë evolucioni i qenies njerëzore. Edhe pse duket sikur jemi modernizuar në mjetet e punës, mjetet e udhëtimit apo edhe në ato të informacionit, shkaqet e emigracionit mbetet po të njëjtat dhe të pandryshueshme:
– Kurioziteti për të eksploruar
– Konfliktet dhe luftërat
– Burimet e limituara
– Varfëria
– Pasiguria
– Regjimet dhe modelet politike
– Ëndrra për një jetë më të mirë
– Mundësia për një formim më të mirë profesional
– Konfliktet fetare
– Çështjet e lirisë
– Fatkeqësitë natyrore
– Çështjet klimatike
Emigracioni është një ndër temat më të rëndësishme sot në diskursin publik, po thuajse në të gjitha vendet e Botës. Kjo nuk ndodh vetëm për faktin, se flukset sot janë më masive që kjo është edhe vërtetë dhe lidhet me faktin se kemi përmisuar mjetet e udhëtimeve duke shkurtuar distancat në hapësirë dhe në kohë, por edhe për faktin, se tashmë kemi arritur një nivel të lartë të informimit dhe çështje të kësaj natyre që më parë do të donin shumë kohë të merreshin veshtë, tashmë me një smartphone mund t’i marrim veshtë në kohë reale, mund të jemi vetë dëshmitar dhe protagonist.
Shqiptarët ashtu edhe si pjesa tjetër e Botës janë bërë pjesë e rëndësishme e fenomenit të emigracionit e kjo lidhet me faktin historik të tyre që kaluan nga një regjim diktatorial që emigrimin e konsideronte vepër penale me burg në një demokraci hibride ku institucionet e shtetit ishin të brishta dhe jo në lartësinë e kërkesave apo të nevojave të qytetarëve.
Shqiptarët niset flukset e tyre të emigracionit me shpresën, ëndrrën dhe kuriozitetin për të prekur kryesisht Perëndimi që ishte një tabu e ndaluar, nga dëshira për liri që kishte munguar thellësisht falë represionit, nga varfëria që i kishte kapluar falë një modeli ekonomie kolektive dhe të shtetëzuar e shpesh herë edhe për shkak se politika edhe pse teorikisht në mjedis demokratik ishte opresive kundër mendimit ndryshe.
Flukset e emigracionit shqiptar në fillimet e tij është trajtuar vetëm një kronikë sipas ngjarjeve të zbarkimeve të viteve 90 pa i dhënë seriozitetin e merituar. Madje, lajmet për emigrantët shpesh më parë kalonin në mediat e vendeve që kishin emigruar e shpesh të mbushura me steriotipe e paragjykime e pastaj kalonin thjeshtë në kuadër të një kronike informimi edhe në mediat tona.
Shqiptarët që nuk emigronin i ka parë në fillimet e tyre ata që kishin emigruar me admirim duke aluduar për jetën e mirë që po bënin dhe për faktin se jetonin në vende me standard të lartë ekonomik. Me kalimin e kohës pasi shumica e shqiptarëve e provuan të qenit emigrant dhe disa prej tyre pas eksperiencave vetjake u rikthyen e kuptuan se jeta e emigrantëve nuk është në fakt për tu admiruar, por përkundrazi me plotë sfida e probleme sociale, ekonomike që lidhet me çështjet e integrimit, punësimit, pa llogaritur boshllëkun shpirtëror për vendin dhe njerëzit që nuk mbushet asnjëherë edhe pse vitet kalojnë e gjerat fillojnë të rrjedhin në monotoninë e re të përditshme.
Për historitë e shqiptarëve që kanë emigruar ka filluar të shkruhet dhe të thuhet vonë dhe jo mjaftueshëm. Heqja e vizave dhe përfitimi i lëvizjes së lirë me vendet e BE rriten kontaktet mes emigrantëve dhe familjarëve të tyre e këta të fundit përtej iluzioneve dhe admirimeve që mund të kishin imagjinuar për të afërmit e tyre, me ti vizituar nga afër realitet e tyre jetësore, kuptuan se gjerat nuk shin vetëm të bardha siç i kishin menduar, por shpesh edhe me pengesa e vështirësi të mëdha.
Çdo emigrant duke përfshirë edhe shqiptarët e kanë marrë çantë për të nisur këtë rrugë me ide, se do të punojë ca kohë, të bëj lekët për të bërë ose blerë një shpi, për të bërë lekët për të shkolluar ose martuar fëmijët e do të kthehem. Kështu e kanë nisur rrugtimin e tyre edhe ata që janë larguar në cilësinë e studentit duke shpresuar në konkludimin me sukses të studimeve dhe pastaj për tu rikthyer në Shqipëri, me dëshirën e madhe për të kontribuar për vendit dhe për të ndihmuar prindërit për sakrificën e bërë për shkollimin e tij. Pra, thuajse asnjë nuk e ka marrë rrugën e emigrimit me të vetëdijes që do të ishte udhëtimi i parë dhe i fundit dhe për tu mos kthyer më kurrë, duke përjashtuar udhëtimet periodike në kuadër të emigrantit, familjarit dhe turistit.
Kushdo nga ne mund të kujtojë sesi linda ideja dhe nevoja për tu larguar, mund të kujtojë darkën e fundit me familjarët dhe të afërmit që kishin ardhur për ta përcjellë, pasigurinë dhe mijëra mendime për atë që do priste, por me siguri asnjëherë prej nesh nuk e kishte menduar, se Shqipëria do të kthehej një çështje e madhe emocionale, nostalgjike e do të konvertohej si një ndjenjë e fortë patriotike dashurie për vendin, por gjithnjë e më largët si pjesë e jetesës tonë të përditshme.
Historitë e shumicës tonë janë që morën çantën dhe para se të ndaheshim nga familjarët kthyem kokën mbrapa duke bërë edhe një betim me vetën, që nuk e mbajtëm kurrë, që shpejt do të kthehem e aty do të jetojmë.
Me marrjen e statusit të emigrantit, koha kalon, ti transformohesh kulturalisht për shkak të nevojës e ndonjëherë edhe të diktatit të integrimit social, jeta merr një trajektore të re, punësimi, profesionale e pse jo, shpesh edhe sentimentale. Thonë se dikush arrin integrimin e plotë social në vendin që ka emigruar kur edhe ëndrrat nuk i shikon më shqip, por në gjuhën e vendit që jeton. Kjo është për ta hiperbolizuar, sepse kur jemi në gjumë e kur bëhemi nervoz flasim vetëm gjuhën tonë. Në gjumë shohim ëndrra shqip, sepse ndoshta është i vetmi momenti që fantazia na dërgon atje ku zemra rreh me fort dhe pikërisht në Atdheun tonë. Ndoshta edhe për faktin, se gjumi është i vetmi moment që nuk kemi nevojë të flasim në gjuhën e vendit ku kemi emigruar. Ndërsa, kur jemi nervoz, natyrshëm fjalët na dalin shpesh shqip, sepse kjo është gjuha jonë e natyrshme dhe nuk kemi kohë të mendojnë për të nxjerrë sa më korrekte frazat në gjuhën e vendit ku kemi emigruar.
Rruga e emigracioni dy gjëra ka të sigurta, nisjen dhe faktin se ndoshta nuk do të mund të rikhehesh më kurrë. Jeta e emigrantit, sidomos në vitet e para të emigrimit është e mbushur me përplasje ndjenjash, sfidash, problemesh mes nostalgjisë për të kaluar dhe pasigurisë për të ardhmen. Ndoshta ndodh shpesh që pyetje më torturuese për një emigrant mund të jetë pyetja që i bën vetës: Po sikur të mos isha larguar si do të ishte jeta ime? Kjo është një pyetje që na shoqëron për gjithë kohën e ndoshta për gjithë jetën.
Integrimi në një realitet të ri dhe shkëputja nga realiteti që për ty ishte krejt i natyrshëm nuk është aspak i thjeshtë e shpesh për faktin që nuk gjejmë zgjidhje për sfidat merremi me vendin pritësi a thua sikur të gjitha fajet i ka ai. Në fakt, për përjashtime të vogla, vendi mikpritës nuk ka na ka asnjë faj, por na ka mirëpritur duke na dhënë mundësi që bëhemi pjesë e tij. Ndoshta, fajet mund t’i ketë vendi i origjinës do të thoshte dikush nga ju, por edhe kjo është relative, sepse duhen parë gjëra në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht, përtej dëshirës për të gjetur fajtorin edhe si justifikim të zgjedhjeve tona personale, emigracioni është një fenomen sa vetë njerëzimi dhe nëse shikojmë historinë tonë njerëzore, ai nuk është kaq i zi dhe negativë siç na rrëfehet. Kjo nuk përjashton faktin, sesi çdo fenomen njerëzor edhe emigracioni është me plotë vështirësi e sfida.
Thonë se gjithçka mund të gjesh në emigracion, por nuk do të gjesh kurrë vendin tënd. Kjo është e vërtetë, por mos vallë ne që u larguam me betimin për tu kthyer e bëmë këtë nga fakti se vendi ynë nuk na mjaftonte e për pasojë ndoshta ne nuk e kërkojmë kaq shumë si diçka të pazëvendësueshme?! A ndodh që vendi i ri që ke emigruar të vend vendi “Atdheu dytë” që shpesh mund të zëvendësojë edhe atë të parin, të origjinës dhe natyralin? Sigurisht ky është një këndvështrim personal dhe varet nga niveli i integrimit që gjithë secili prej nesh ka arritur në jetën e re që ka ndërtuar me plotë munde. Megjithatë përgjigja është: Vendi mikpritës bëhet “Atdheu i dytë” që shpesh e zëvendëson të parin sidomos fizikisht, por emocionalisht mbetet një çështje e hapur ndoshta për gjithë jetën. Nëse vendi mikpritës të ka dhënë të gjitha mundësitë që e jetës që në optikën tende të kishin munguar, nëse kur ti del në lagje i njeh të gjithë banorët që të përshëndesin dhe i përshëndet, aty e kupton se ti ndjehesh si në shpi dhe se ajo është shtëpia jote. Kjo lloj situate nuk mund të ndodh me vitet e para të emigrimit, por me kalimin e kohës dhe duke dëshmuar me prezencën tënde respekt. Pra, çështja e integrimit të plotë social deri diku është edhe çështje kohe.
Deri para ca kohësh raporti me emigrantëve dhe atyre që nuk kishin emigruar ishte një marrëdhënie “paqësore” e deri diku admiruese nga këta të fundit me të parët. Thonë, se problemet nuk ekzistojnë për sa kohë emigrantët nuk marrin asgjë nga vend i origjinës, por vetëm japin thuajse gjithçka për të sikur të ishin një obligim.
Raportet mes njerëzve ndryshojnë kur fillojnë edhe pretendimet. Me nisjen e debatit të madh për ushtrimin e të drejtës të votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë ka nisur edhe disa ide apo paragjykime ndaj emigrantëve e shpesh nga ata që nuk kanë emigruar kurrë. Për sa kohë këto debate janë në mesin e shoqërisë, janë të papranueshme, por jo shqetësuese. Kur opinion të tilla paragjykuese ndaj emigrantëve kalojnë edhe në publik në studio televizive, atëherë situate bëhet shqetësuese. Ndoshta nga naiviteti dhe paranoja se emigrantët kanë marrë votën e do na kërkojnë tani edhe pushtetin që e kishin ekskluzive vetëm ne, kanë filluar të bëjnë komente, jo reale, krahasuese e dashakeqëse si:
– Shqiptarët që kanë dy shtetësi nuk duhet të kenë të drejtë vote. Pra, sipas kësaj teorie kush ka dy shtetësi nuk është patriot sa duhet e për pasojë nuk ka pse të votojë
– Emigrantët nuk kontribuojnë në Shqipëri, sepse nuk paguajnë taksa e për pasojë nuk kanë pse të kërkojnë të votojnë ose edhe të “kthehen”.
Lidhja e emigrantëve me Shqipërinë është përmes kombësisë, që është lidhja më e fortë, sepse është vetë gjeneza dhe ADN-ja e tyre. Ata, flasin shqip në familjet ku jetojnë, festojnë shqip, fejohen ndoshta shqip e martohen po shqip. Shtetësinë mund t’ia heqësh dikujt, por kombësinë e ke të pamundur ta bësh, vetës arrin shkenca ti axerojë mendimet e jetuara, identitetin e tij e po përmes një disku të ri, ti jap një identitetit të ri. Izralitët kishin të gjitha shtetësitë botërore, sepse ishin të shpërndarë në gjithë botën. Ata nuk kishin shtetësi izraliane, sepse nuk kishte ekzistuar si formë juridike kurrë shteti izralian. Megjithatë, ata u kthyen, krijuan shtetin e pasaportën e izraelit duke e bërë vendin e tyre një ndër vendet më të fuqishme në botë. Pra, nuk është shtetësi që krijon identitetin e dikujt, por është përkatësia kombëtare që shpesh justifikon ekzistencën dhe të krijon objektiva për atë që kërkon të jesh në të ardhmen. Mendoj, se tashmë jemi në brezin e tretë të Diasporës, sepse kemi fëmijë që lindin e rriten jashtë Shqipërisë. Këta për nevoja sociale dhe ekonomike apo për të mbrojtur të drejtat e tyre nuk kanë asnjë lloj nevoje për tu pajisur me pasaportën shqiptare, por thuajse të gjithë e bëjnë, sepse AND e tyre është “shqiptar”. Mendoj, se shteti shqiptar duhet ta promovojë pasaportën shqiptare dhe duhet të rris lidhjet e tij me të rinj që lindin e rriten jashtë shtetit. Sa më shumë të rinj shqiptarë, edhe pse të lindur jashtë, pajisen me pasaportë shqiptare, aq më e fortë bëhet Shqipëria dhe aq i rëndësishëm është impakti i saj në Botë. Për Armeninë ka një shprehje: Diaspora armene është më e rëndësishme sesa vetë Armenia! Nuk mund të pretendojë një gjë të tillë edhe për Shqipërinë, por roli dhe kontributi i shqiptarëve që jetojnë jashtë mbetet i rëndësishëm, por përsëri larg potencialeve reale që kanë ata. Është detyre e shtetit shqiptar që përmes politikave të saj ta maksimalizojë këtë potencial.
Emigrantët që jetojnë jashtë nuk duhet të votojnë, sepse nuk kanë kontribute. Në fakt nuk duhet të ketë ndonjë garë se kush kontribuuan më shumë. Mjafton të rikujtojmë thënien e John Kennedy duke ju drejtues shtetasve amerikanë se: Mos pyesni çfarë bën Amerika për Ju, por çfarë do të bëni ju për të! Gjithsesi prej nesh kontribuon ose duhet të kontribuoj për vendin! Dikush më shumë për shkak të rrethanave e dikush më pak, por të gjithë duhet të kontribuojmë. Megjithatë, emigrantët janë kontribuues më të rëndësishëm në këto vite e shpesh ja kalojnë edhe vetë Shtetit me remitancat që dërgojnë vazhdimisht, përmes të cilave kanë ndryshuar e zhvilluar ekonominë e vendit e kanë mbështetur seriozisht familjarët e tyre.
Ajo që i bashkon dhe mban bashkë shqiptarët, qoftë emigrantë ose jo është pikërisht fakti i të qenit shqiptarë. Kjo është lidhja më e fortë që na mban të bashkuar duke sfiduar distancat apo problematika të tjera që lidhen me realitete jetësore.

Artikulli paraprak“SPAK po godet politikanët e establishmentit”/ Mërtiri: Berisha nuk do përmbysjen e Ramës. Pse partitë e reja duhet të bashkohen në një front
Artikulli tjetër“Ilir Meta në listën e sigurt të PD-së”/ Lapardhaja: PD nuk mund të bëhet kosh që të mbledhë të gjithë të korruptuarit dhe hallexhinjtë e SPAK-ut