Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Nga Kastriot Kotoni

Shterimi i fakteve historike që çuan drejt thirrjes së Kongresit të Lushnjes për nga kronologjia e ngjarjeve do të ishte i njëjtë si me historinë e flamurit kombëtar apo më thjesht akoma, kush e pruri në Shqipëri himnin kombëtar, i cili ishte kënduar në çdo rast me vargjet e plota: “Në dorë armët do t’i mbajmë / të mbrojmë atdheun në çdo kënd / të drejtat tona ne s’i ndajmë / këtu armiqtë s’kanë më vend.”

Lushnjen nuk duhet ta këmbejmë as me teoritë sempliste të daljes së vajgurit, me etjen e një populli për liri dhe mbrojtjen e trojeve të veta, siç rreken ta denigrojnë ca të ashtuquajtur historianë profanë; as nuk është shumë e rëndësishme dora e fshehtë e kulisave të diplomatëve të botës, thotë ndër të tjera Ali Bej Këlcyra në fjalën e hapjes së seancës së parë të Kuvendit Kushtetues në vitin 1924.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Më tej shton Ali Bej Këlcyra: “Në Lushnje u vendos luftë, kundra të gjithëve, luftë kundra kujtdo, sado i fortë të jetë, që guxon të shkelë kufijtë e Shqipërisë, të drejtat e saj vitale minimumin në kufijtë ‘Londinezë’. Në Kongresin e Lushnjes u dëshmua se, në çdo pëllëmbë toke shqiptare, i huaji të mos gjejë veç një kapicë kockash dhe një tokë gërmadhash, të cilat në mes të shkretëtirave të jenë si një shenjë protestimi të përjetshëm në historinë e lirisë kombëtare kundër padrejtësisë së diplomacisë evropiane.”

Pas fjalës së Ali Beut, e cila u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit në sallë, e mori fjalën Luigj Gurakuqi, i cili tha: “Parafolësi im, Z. Ali Këlcyra, bëri një pasqyrë sinoptike të historisë së Shqipërisë, të historisë së kombit shqiptar, qysh prej ditës së Skënderbeut e deri në ditët tona. Shkoi me shpejtësi me fjalë të bukura dhe rrëmbyese te të gjitha ngjarjet që shkëlqejnë më tepër në historinë tonë, që tregojnë mundimet e popullit shqiptar për lulëzimin e kombit, që tregojnë se Shqipëria ka jetë, ka gjallëri.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Deri në ditët e fundit ka qenë hapur një fjalë se shqiptarët nuk dinë të mblidhen, nuk dinë të bashkohen e nuk dinë t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit në ditët e rrezikut, e po kaloi rreziku, shqiptarët shpërndahen dhe nuk kanë qëndrim në besën e dhënë, e nuk dinë të vazhdojnë për të mirën e kombit. Këto tre vjetët e fundit, populli shqiptar ka treguar se jo vetëm është i gatshëm që të mblidhet në kohët e rrezikut, por është i gatshëm të mendojë për të ardhmen, është i zoti të bëjë ligje që i përkasin përmirësimit të gjendjes së tij. Mbledhja e Vlorës, Mbledhja e Durrësit dhe Mbledhja e Lushnjes u bënë me qëllim që të shpëtojnë atdheun nga kërcënimet e të huajve, me qëllim që t’u tregojmë atyre se shqiptarët nuk ndrydhen aq lehtë e se Shqipëria do të rrojë.”

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Patriotët shqiptarë më 31 janar të vitit 1919 vendosën mbledhjen e Kongresit të Lushnjes. Në vendimin përkatës thuhet: “Duke parë se në këtë kohë në Konferencën e Paqes do të caktohet fati i atdheut tonë, nga ana tjetër duke parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe në dobi të synimeve të fqinjëve, të gjitha krahinat e Shqipërisë shfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme. Për vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën, që ndodhet në kufijtë e Shqipërisë së Veriut dhe të Jugut. Lushnja, me gjithë krahinat e saj, është anëtare e plotë e kësaj mbledhjeje.”

Mbledhja caktoi një komision të posaçëm, i cili merrej me organizimin e kongresit. Komisioni formuloi thirrjen dhe programin, të cilin më 1 janar të vitit 1920 ua nisi gjithë katundarisë (bashkive) të Shqipërisë për të zgjedhur delegatët. Në pikën e parë të thirrjes së Kongresit thuhet: “Qëllimi i mbledhjes së përgjithshme është sigurimi i bashkimit shqiptar.”

Populli i Lushnjes i priti mysafirët krahëhapur dhe siguroi të gjitha kushtet për zhvillimin normal të Kongresit. Në deklaratën e parë që nënshkroi Kongresi ishte protesta kundër Italisë, ku thuhej: “Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës.”

Kongresi, pasi analizoi veprimtarinë e Qeverisë së Durrësit, e rrëzoi atë dhe në vend të saj zgjodhi qeverinë kombëtare të kryesuar nga Sulejman Delvina. Zëvendëskryetar i saj u zgjodh Eshref Frashëri, dhe anëtarë të qeverisë ishin: Mehmet Konica për punët e jashtme, Sotir Peci për arsimin, Hoxhë Kadriu për drejtësinë, Ndoc Çoba për financat, dhe ministër i brendshëm u zgjodh Ahmet Zogu.

U caktua një delegacion me emra të rinj për në Konferencën e Paqes, i përbërë nga Mihal Turtulli, Imzot Bumçi dhe Mehmet Konica. Çështja e vendosjes së regjimit u vendos që të mos dilej kundër vendimit të Fuqive të Mëdha të nënshkruar më 29 korrik 1913, dhe më vonë statusi organik i Shqipërisë më 10 prill të vitit 1914, kishte vendosur regjimin monarkik. Për këtë arsye u mendua për një regjencë prej katër vetësh, që do të emërtohej si Këshilli i Lartë dhe do të përfaqësohej nga Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Bej Toptani.

Kongresi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 37 vetësh. Të drejtat dhe detyrat e organeve të larta të shtetit u përcaktuan me një akt kushtetues prej 6 nenesh, të quajtur “Bazat e Kanunores.”

Në të gjitha këto veprimtari shquhej edhe mendja e Ferit Vokopolës si një politikan i mprehtë dhe largpamës, bashkë me patriotë të tjerë. Kjo figurë emblematike e Kongresit të Lushnjes nuk duhet harruar. Kur themi këngën e Kongresit, kemi thënë edhe emrin e autorit të vargjeve të saj, që e bëri Lushnjen të hyjë në historinë e kombit shqiptar.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Ferit Vokopola, i lindur më 18 gusht të vitit 1887 në fshatin Vokopolë të Beratit, ishte një nga figurat qendrore të pavarësisë dhe të shtetndërtimit të Shqipërisë. Ai kreu shkollën fillore në qytetin e Beratit dhe të mesmen dhe studimet e larta për jurisprudencë dhe ekonomi në Stamboll. Pas kthimit në atdhe, ushtroi për disa vite profesionin e avokatit në qytetin e Beratit.

Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Lushnjës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Mori pjesë në të gjitha mbledhjet e tij dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë. Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyrën e organizimit të furnizimit të ushtrisë kombëtare në zonën e Myzeqesë, duke bashkëpunuar ngushtë me ministrin e Luftës, Mehemet pashë Drallën, dhe Azis pashë Vrionin. Ishte korrespondent i gazetës “Përlindja e Shqipërisë” dhe botoi shumë artikuj me tema politike, për bujqësinë dhe tregtinë.

Në qeverinë e Princ Vidit, mori postin e kryesekretarit në Ministrinë e Industrisë së Minierave. Në janar të vitit 1920 ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, ku mori pjesë si përfaqësues i prefekturës së Beratit, Lushnjës dhe Skraparit. Ferit Vokopola mbajti fjalën e hapjes së Kongresit dhe u zgjodh sekretar për mbarëvajtjen e punimeve të tij. I takon atij merita, sepse shkroi “Himnin e Kongresit të Lushnjës”.

Punoi në sekretarinë e Kryeministrisë nga viti 1920 deri në vitin 1923, kur nisi veprimtarinë si deputet i Beratit. F. Vokopola u zgjodh disa herë deputet, deri në vitin 1939, dhe ishte një nga zërat më aktivë të parlamentit të kohës, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën legjislative. Së bashku me disa deputetë të tjerë, ishte njëri nga hartuesit e Kodit Civil. Si Ministër i Bujqësisë, propozoi ligje që janë ende sot në fuqi.

Në vitet 1920-1928, ishte një nga nismëtarët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe dha kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939, u tërhoq nga jeta politike dhe shtetërore dhe iu kushtua krejtësisht aktivitetit fetar. Drejtoi revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga viti 1942 deri në qershor të vitit 1944.

Ky intelektual shqiptar ishte ndër të parët që përktheu Kuranin nga osmanishtja e vjetër për një kohë dhjetëvjeçare. Pas çlirimit të vendit, ai u burgos nga pushteti komunist për dhjetë vjet. Edhe pas daljes nga burgu, e lanë pa punë. Në vitet e fundit të jetës punoi për pesë vjet si përkthyes nga osmanishtja në Institutin e Historisë. Vdiq i harruar në vitin 1969 dhe u nderua, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara), një tjetër veprimtar i Rilindjes Kombëtare, lindi më 5 maj të vitit 1842 në lagjen “Kala” të Beratit. Në moshë të thyer e thërrisnin, për respektin që gëzonte në popull, “Babë Dudë”. Mësimet e para i kreu në Berat, ku përdorej gjuha greke, dhe më pas shkoi në Korfuz në një shkollë për mësues. Prej këtej shkoi në Trieste (Itali), ku përfundoi gjimnazin klasik dhe mori një kulturë të gjerë për kohën. Njihej mirë greqishtja e vjetër dhe latinishtja, greqishtja e re dhe italishtja, si dhe frëngjishtja; ishte i kompletuar me njohjen e kulturës antike greke dhe asaj romake.

Në vitin 1870 filloi punë si mësues në shkollën Unike të Beratit. Nuk e ndërpreu aktivitetin e tij patriotik dhe u bë një nga veprimtarët e rëndësishëm të degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat. Ai punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe dhe ideve kombëtare në shkollat e Beratit dhe fshatrat përreth, në zonën e Shpiragut dhe të Muzeqesë. Viti 1895 e gjen duke psalur Ungjillin në gjuhën amtare, por kjo u ndalua. Shqiptarizmi i tij ra në sy të autoriteteve turke të cilët e përndoqën dhe i dogjën shtëpinë bashkë me të edhe librat.

Në vitin 1898 ai ishte një nga nismëtarët e Shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Me nismën e kësaj dege u hap gjimnazi në lagjen “Goricë” ku drejtor ishte patrioti i shquar beratas Llambi Goxhomani delegat i Kongresit të Lushnjës dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar. Babë Dudë Karbunara u bë pjesë e trupës mësimore të këtij gjimnazi. Me shpalljen e Kushtetutës Turke  në vitin 1908 me mbështetjen e patriotëve shqiptar Babë Dudë Karbunara hapi dy shkolla shqipe së bashku me patriotin Sulo Resulin jepnin mësim.

Më 1908 ai u zgjodh nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Beratit. Babë Dudë Karbunara njihet për veprimtarinë e tij patriotike të viteve 1911-1912, ku ai ishte nismëtari i krijimit të Komitetit të Shqiptarëve që vendosi lidhje me Komitet e tjera që vepronin në gjithë Shqipërinë. Ai dha ndihmesë të madhe në thirrjen e Kuvendit të Sinjës më 23 korrik1912.

Në nëntor u zgjodh delegat i Kuvendit të Vlorës si përfaqësues i Beratit dhe njëkohësisht është firmëtar i Shpalljes së Pavarsisë. Si anëtar i Pleqësisë ai bashkëpunoi ngushtë me Luigj Gurakuqin dhe Jani Mingën për çështjet e arsimit. Esad pashë Toptani ishte armiku i tij kryesor, i cili me mercenarët e tij i dogji shtëpinë dhe e arrestoi duke e torturuar.

Babë Dudë Karbunara mbylli sytë në moshën 75 vjeçare në vitin 1917, pra 3 vjet përpara Kongresit të Lusnjës, në të cilin padyshim po të kish jetuar më gjatë do të ishte delegat dhe përfaqësues i popullit të Beratit, Skraparit dhe Myzeqesë, të cilët e respektuan gjatë ceremonisë së përcjelljes për në banesën e fundit. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Nebi Sefa lindi në Lushnjë në vitin 1861. Mësimet e para i mori në vendlindjen e tij dhe në Berat. Si bir i një pronari të madh tokash, Ismail bej Sefës, por edhe një veprimtari patriot, i cili fuste libra shqip nga Bukureshti dhe Sofja, Nebiu u ndikua shumë në formimin e tij patriotik. Gjatë udhëtimeve që bënte me të atin në Sofje dhe në Bukuresht për punë tregtie, ai ra në kontakt me atdhetarët e kolonive shqiptare dhe nisi një propagandë pro ideve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Lushnjë.

Në vitin 1908 mbështeti Kongresin e Manastirit dhe propagandoi vendimet e tij për përhapjen e gjuhës shqipe me alfabetin latin. Ai u ftua në ceremoninë e hapjes së shkollës “Normale” të Elbasanit. Nebi Sefa u bë një veprimtar i flaktë i çështjes kombëtare kundër zgjedhës turke, dhe me shumë patriotë lushnjarë mbështeti Memorandumin e Greçës, si dhe nënshkroi një sërë peticionesh në përkrahje të autonomisë së Shqipërisë.

Në nëntor të vitit 1912, ai priti në Kavajë Ismail Qemalin dhe delegatët që shkonin drejt Vlorës, dhe falë njohjeve që kishte në zonën e Lushnjës, bëri që të shmangeshin përplasjet me xhandarmarinë osmane, e cila kishte marrë urdhër për arrestimin e Ismail Qemalit. Në Kuvendin e Vlorës ai u zgjodh delegat i Lushnjës dhe nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë. Qeveria e Përkohshme e Vlorës e ngarkoi me detyrën e organizimit të ushtrisë në zonën e Lushnjës, Fierit dhe Mallakastrës.

Ngjarjet e vitit të mbrapshtë e gjejnë patriotin Nebi Sefa në krye të mbrojtjes së qytetit të Lushnjës nga forcat e Esad pashë Toptanit. Po ashtu, në vitin 1914, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, forcat rebele të Haxhi Qamilit i dogjën shtëpinë dhe një pjesë të pronave iu vu zjarri, ndërsa Nebiun e dënuan me vdekje.

Në Kongresin e Lushnjës, e gjejmë Nebi Sefën si një nga organizatorët e tij në komisionin nismëtar për mbajtjen e kongresit. Gjatë zhvillimit të punimeve, ai u kujdes për mbarëvajtjen e tyre dhe për strehimin e delegatëve. Mund të thuhet se të gjitha shpenzimet e mbajtjes së Kongresit u përballuan nga financat personale të këtij patrioti.

Pas këtij kontributi në jetën e tij, ai u tërhoq për t’u marrë me biznes dhe përkrahu fuqimisht qeverinë e Fan Nolit. Mbylli sytë në qytetin e Lushnjës në vitin 1942 dhe u nderua, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

Qemal Karaosmani, një tjetër patriot nga Elbasani, mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Qemali shkollën fillore e mbaroi në Elbasan, më pas studimet e mesme dhe të larta i kreu në Stamboll. Pas studimeve, u emërua në Berat si shef i kadastrës dhe u lidh shumë me patriotët Babë Dudë Karbunara, Azis pashë Vrionin dhe Iliaz Vrionin për përhapjen e gjuhës shqipe. Q. Karaosmani u zgjodh delegat në Kongresin e Manastirit dhe mbrojti alfabetin latin.

Një ndikim të madh në jetën e tij pati edhe (kushëriri) Aqif pashë Elbasani, një tjetër delegat i shquar i Kongresit të Lushnjës, me të cilin bashkëpunoi në Kongresin e Elbasanit të vitit 1909 dhe për çeljen e shkollës “Normale” në këtë qytet. Në Kuvendin e Vlorës ai ishte delegat i Elbasanit dhe ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë nën siglën Qemal Elbasani.

Ai u emërua nga Kuvendi i Vlorës si kryesekretar i Qeverisë së Përkohshme dhe në fund të vitit 1913 mori postin si Ministër i Bujqësisë. U zgjodh disa herë deputet dhe, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u tërhoq nga jeta politike. U gjend pas çlirimit të vendit në Kavajë, ku jetoi deri në fund të jetës së tij dhe mbylli sytë përgjithmonë në vjeshtën e vitit 1949. U nderua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Disa nga figurat kryesore të Kongresit të Lushnjes

 

Xhemal Naipi, përfaqësues i Shkodrës dhe kryetar i Këshillit Kombëtar, ishte delegat i Kongresit të Lushnjës. Xhemali, i shkolluar mirë për teologji dhe jurisprudencë, u kthye në atdhe nga Stambolli dhe nisi të kryejë detyra të rëndësishme fetare dhe shtetërore. Ai ka qenë kadi, myfti dhe kryetar për arsimin në Shkodër.

Me krijimin e Drejtorisë së Vakëfeve, u bë drejtuesi i saj dhe grumbulloi ndihma për ngritjen e shkollës së “Medresesë” në Tiranë, në vitin 1922. Ai punoi shumë për forcimin e një miqësie të sinqertë mes drejtuesve të tri besimeve që bashkëjetonin në qytetin e Shkodrës. Si veprimtar i çështjes kombëtare, ai përkrahu dhe ndihmoi në krijimin e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, më 7 nëntor 1918. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga delegatët më aktivë të tij.

Në një nga mbledhjet e Kongresit të Lushnjës, u vendos që Shkodra të përfaqësohej me katër senatorë (Senat) në Këshillin Kombëtar, dhe një ndër ta ishte edhe Xhemal Naipi. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, që u mbajt më 27 mars të vitit 1920 në Tiranë, u zgjodh edhe komisioni prej pesë vetash. Kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Xhemal Naipi deri në shtator të 1920-s; më pas u zgjodh Dhimitër Kacimba.

Xhemal Naipi bashkëpunoi ngushtë me Hil Mosin, që ishte sekretar i Këshillit Kombëtar, për mbarëvajtjen e punimeve të legjislaturës së parë. Ai kundërshtoi pushtimin fashist të Shqipërisë dhe nuk u bë pjesëtar i delegacionit që i dërgoi kurorën e Skënderbeut në Romë, Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III. Për këtë akt, u burgos si antifashist në burgjet e Italisë.

Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i Lëvizjes së Legalitetit dhe qëndroi në ilegalitet deri në vitin 1946. Më pas fillon kalvari tjetër i vuajtjeve të tij: i konfiskojnë pasurinë, i internojnë familjen në Berat, e dënojnë me pushkatim, por ia kthejnë në burgim të përjetshëm, për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj regjimit komunist në fuqi. Ai njohu të gjitha kampet e punës dhe burgun e Burrelit.

Vdiq pa dijeninë e familjes në vitin 1955, në moshën 77-vjeçare. U dekorua me rastin e 75-vjetorit të Kongresit të Lushnjës me urdhrin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”, ndërsa me rastin e dekorimit të një grupi klerikësh është nderuar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

Përgatiti
Kastriot Kotoni

Artikulli paraprakDështimi i impiantit të Shkumbinit, mbetjet vijojnë të vërshojnë në grykëderdhje
Artikulli tjetërKonflikti për notën e anglishtes/ E rëndë në Peshkopi, vëllai i mësueses masakron studentin, institucionet heshtin!