Prodhimi botëror i vajit të ullirit dhe situata e eksporteve të produkteve shqiptare

Nga Enea Janko

Vaji i ullirit është padyshim një ndër produktet kryesore që Shqiperia mund të konkurojë jo vetëm në tregun vendas, por edhe në tregun ndërkombetar. Aktualisht vaji i ullirit është ndoshta i vetmi produkt shqiptar që zë rreth 1 përqind të sasisë së prodhimit botëror të vajit të ullirit, por kushtet klimatike dhe terreni i përshtatshëm i vëndit bën të mundur edhe rritjen e mëtejshme të prodhimit të tij.

Sasia e prodhimit të vajit të ullirit sipas vëndeve, në tonë dhe %

Prodhimi botëror i vajit të ullirit dhe situata e eksporteve të

Rënia me rreth 30 % e sasisë së prodhimit botëror të vajit të ullirit gjatë dy sezoneve rradhazi 2022/2023 dhe 2023/2024, për shkak të thatësirës së zgjatur në Spanjë që është vendi prodhues më i madh në botë i vajit të ullirit, si edhe një prodhim i mbarë në Shqipëri gjatë sezonit 2022/2023, kur u arrit edhe rekordi historik i prodhimit të vajit të ullirit shqiptar, bënë të mundur që eksporti i vajit të ullirit nga Shqiperia, (kryesisht i hapur mbi 95 %) të rritej në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 2023, kur eksporti arriti në mbi 6 mijë tonë, duke vazhduar edhe gjatë vitit 2024, megjithëse në një sasi më të vogël, sa gjysma e sasisë së eksportuar në 2023.

Por me ndryshimin e situatës së prodhimit në Spanjë kur gjatë sezonit të fundit 2024/2025 sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Ullirit pritet që prodhimi i vajit të ullirit të rritet në nivel botëror me mbi 30 % krahasuar me sezonin e kaluar, ku vecanërisht në Spanjë pritet një rritje rreth 50 % e prodhimit, në Turqi rreth 100 %, në Tunizi rreth 54 %, në Greqi një rritje rreth 43 %, në Portugali 21 % e keshtu me rradhë, kushtet në tregun botëror të vajit të ullirit e kanë vështirësuar së tepërmi eksportin e vajit të ullirit nga Shqipëria, megjithëse edhe gjatë këtij sezoni në Shqipëri pritet një rritje e sasisë së prodhimit me mbi 25 % krahasuar me një vit më parë.

Situata e tregut ndërkombëtar për eksportin e vajit të ullirit shqiptar po bëhet nga dita në ditë më e vështirë për disa arsye:

Së pari, cmimi i ofruar nga prodhuesit shqiptar për vajin ekstra të virgjër prej rreth 6-7 euro/ kg është rreth 40%-50% më i lartë sesa cmimi aktual për të njëjtën cilësi të vajit në Spanjë, Greqi dhe shumë prej vendeve të tjera prodhuese ku cmimi po ulet cdo ditë dhe aktualisht është mesatarisht rreth 4-5 euro/kg.

Së dyti, kapaciteti magazinues në depozita inoksi të përshtatshme për të garantuar cilësinë e vajit të ullirit në Shqipëri është akoma shumë i ulet, duke mos arritur më shumë se 10-15 % të prodhimit total vjetor të vëndit. Ruajtja e vajit të ullirit në bidona plastike dhe në kushte të papërshtatshme të temperaturave dhe dritës, sic ndodh në mënyre masive në Shqipëri, shkakton një dëmtim të ndjeshem të cilësisë së vajit dhe e ulë konsiderueshëm vlerën e tij.

Së treti, cilësia e vajit të ullirit të prodhuar në Shqipëri nga pikepamja e sigurisë ushqimore është cënuar në mënyrë të dukshme, për shkak të pesticideve të ndaluara që përdoren masivisht nga kultivuesit për mbrotjen e ullirit nga dëmtuesit.

Siguria ushqimore kërcenohet akoma më shumë në kushtet kur mbi 90 % e sasisë së vajit që tregtohet me pakicë në Shqipëri, shitet nëpër rrugë me bidona plastike, të pa etiketuar dhe jashtë cdo lloj kontrolli laboratorik nga institucionet përkatëse të mbrojtjes së sigurisë ushqimore.

Së katërti, niveli i ulët teknologjik i industrisë së paketimit të vajit të ullirit në Shqipëri dhe mungesa e njohjes së brandeve shqiptare në tregun ndërkombëtar e bën pothuajse të pamundur konkurrimin me cmime të larta të produkteve shqiptare në këto tregje.

Së pesti, fatkeqësisht edhe produktet e branduara të vajit të ullirit që eksportohen në BE apo SHBA nuk i nënshtrohen procedurave rigoroze të testimit dhe kontrollit laboratorik, duke krijuar hapësira që një sasi e eksportuar nga kompani të ndryshme të bllokohet në keto vënde për shkak të problemeve të sigurisë ushqimore që ato paraqesin, duke shkaktuar jo vetem futjen në listë të kuqe të ketyre kompanive, por duke dëmtuar njëkohesisht edhe imazhin e produkteve shqiptare në këto tregje.

Në kushtet e sipërpërmendura, për kompanitë shqiptare të prodhimit dhe tregtimit të vajit të ullirit, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si edhe për aktorët e tjerë që janë të interesuar për rritjen e prodhimit dhe rritjen e shitjeve dhe zgjerimin e pjesës së tregut të prodhukteve shqiptare të vajit të ullirit në tregun global, bëhet e domosdoshme një sjellje më profesionale dhe ndërmarrja e veprimeve që do të rritnin dukshëm avantazhet konkurruese dhe do të zvogelonin disavantazhet në konkurencën me prodhuesit e vëndeve të tjera.

Kompanitë shqiptare duhet që për eksportin e produkteve të tyre të targetojnë ato segmente të tregut botëror ku ato paraqesin avantazhet më të mëdha konkuruese.

Më interesante për eksportin e produkteve shqiptare të vajit të ullirit të paketuara apo të branduara mendoj se janë tregjet e atyre vendeve që së pari kanë një konsum shumë të lartë të vajit të ullirit, së dyti, që nuk prodhojnë vetë vaj ulliri dhe së treti ku jeton një komunitet i madh i bashkëatdhetarëve shqiptar që kanë emigruar në këto vënde dhe që e njohin dhe e pëlqejnë shijen e vajit të ullirit shqiptar.

Importi i vajit te ullirit sipas vëndeve, viti 2024 (në tonë)

Prodhimi botëror i vajit të ullirit dhe situata e eksporteve të

Vëndet kryesore të importit të vajit të ullirit sot në botë që nuk prodhojne ose prodhojnë sasi shumë të vogla të vajit të ullirit janë SHBA që importon cdo vit rreth 350 – 400 mijë tonë vaj ulliri, Brazili 90 mijë tonë, Japonia 60 mijë tonë, Gjermania 55 mijë tonë, Kanadaja 50 mijë tonë, Anglia 40 mijë tonë, Kina 40 mijë tonë, Australia 32 mijë tonë, Zvicra 15 mijë tonë, etj.

Nga tregjet e mësiperme vëndet më me interes për produktet shqiptare janë SHBA ku jetojnë rreth 500-600 mijë shqiptare, Anglia ku jetojnë rreth 100 mijë shqiptar dhe më pas Gjermania, Kanadaja dhe Zvicra ku jeton një komunitet shumë i madh i bashkëatdhetarëve tanë.

Së dyti, kompanite shqiptare të prodhimit të vajit të ullirit duhet që të njohin dhe zbatojne sa më mirë kërkesat ligjore për eksportin në tregun amerikan dhe tregjet e tjera të huaja, të njohin standartet e cilësise, rregullat e etiketimit dhe të paketimit, kërkesat e sigurisë ushqimore dhe analizat e domosdoshme laboratorike, etj.

Së treti, është e domosdoshme që kompanitë shqiptare të përzgjedhin për të bashkepunuar kompani importuese dhe distributorë serioz dhe me eksperiencë për të zhvilluar dhe bërë të njohura së bashku brandet e tyre në tregjet e këtyre vëndeve, dhe jo të bashkëpunojnë me personin e parë që ju ofrohet për të blerë produktet e tyre. Pra është e domosdoshme që të sillen si biznesmen me vizion dhe objektiva afatgjatë dhe jo si tregtar që kënaqen me shitjen e shpejtë të një sasie produkti.

Së katërti edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duhet që të mbështet më shumë kompanitë prodhuese shqiptare, si ato me eksperiencë ashtu edhe kompanitë e reja, sidomos nëpërmjet realizimit të analizave laboratorike falas, krijimit dhe funksionit të një bordi për degustimin, testimin dhe certifikimin e produkteve të vajit të ullirit përpara se ato te eksportohen, si edhe nëpërmjet mbështetjes me financime për marketingun, pjesëmarrjen në panaire dhe konkurse të njohura ndërkombëtare, duke përqendruar marketingun në ato vënde që janë me interes për produktet shqiptare dhe jo në tregje pa lidhje, etj.

Shqipëria është me fat që bashkeatdhetarët tanë në SHBA, Angli, Gjermani, Kanada, Zvicer, etj. jo vetëm janë të shumtë në numër, por një pjesë e madhe e tyre kanë në pronësi ose menaxhojnë mijëra biznese në fushën e shërbimeve ushqimore si restorante, fastfood, piceri, supermarkete, etj., që përbëjnë një treg shumë të fuqishëm për prodhimet shqiptare.

Në këtë drejtim kërkohet një angazhim shumë më i madh i institucioneve qeveritare shqiptare, i trupit diplomatik shqiptar, i organizatave jo qeveritare të biznesit dhe ato shoqërore për të bashkëpunuar me pronarët dhe menaxherët shqiptar për të futur në menutë e restoranteve apo raftet e supermarketeve të tyre disa nga produktet më cilësore ushqimore dhe pijet e prodhuara nëe Shqipëri.

Është koha për të punuar në mënyrë konkrete dhe për të qënë të fokusuar në strategji dhe plane veprimi që do të sjellin rezultate reale në rritjen e eksportit të produkteve shqiptare.

Mundësitë janë të mëdha.

Artikulli paraprakShembja e digës së hidrocentralit, Kontrolli i Lartë i Shtetit nis auditimin
Artikulli tjetërShënim/ Përveçse në komunizëm, administrat shtetërore nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq shumë e politizuar